Në një zbulim që shpjegon pse njerëzit që jetojnë në lartësi kanë shumë më pak gjasa të zhvillojnë diabetin sesa ata në lartësi më të ulëta ose në nivelin e detit, një ekip shkencëtarësh me bazë në SHBA, ka zbuluar se qelizat e kuqe të gjakut veprojnë si “sfungjerë glukoze” në kushte me pak oksigjen.
Shumica e popullatave në lartësi të mëdha demonstrojnë vazhdimisht tolerancë të përmirësuar ndaj glukozës. Megjithatë, ekspertët e shëndetit më parë nuk kanë qenë në gjendje të zgjidhin një enigmë të gjatë se pse diabeti është më pak i përhapur tek njerëzit që jetojnë në lartësi më të mëdha.
Të botuara në revistën shkencore Cell Metabolism në shkurt, gjetjet e Institutit Gladstone tregojnë për një përshtatje në qelizat e kuqe të gjakut në lartësi të madhe, që i bën ato “të shpërndajnë oksigjen në inde në mënyrë më efikase” me “efekt të dobishëm anësor” të uljes së sheqerit në gjak.
“Rruazat e kuqe të gjakut përfaqësojnë një ndarje të fshehur të metabolizmit të glukozës, që nuk është vlerësuar deri më tani”, tha Isha Jain, një studiuese e Gladstone dhe profesoreshë e biokimisë në UC San Francisco.
“Mekanizmi i kësaj mbrojtjeje ka mbetur një mister”, tha Gladstone. Studiuesit e ekipit kishin vërejtur më parë se minjtë të cilëve u jepej ajër me pak oksigjen për të marrë frymë, kishin nivele “dramatikisht” më të ulëta të sheqerit në gjak, por ata nuk mundën ta përcaktonin me saktësi procesin që qëndronte pas kësaj rënieje deri më tani.
“Gjetjet tona hapin kështu rrugë të reja terapeutike”, përfundoi ekipi në punimin e tyre. “Ka ende shumë për të mësuar rreth mënyrës se si i gjithë trupi përshtatet me ndryshimet në oksigjen dhe si mund t’i shfrytëzojmë këto mekanizma për të trajtuar një sërë gjendjesh”, tha Jain.
Pra, a duhet që pacientët me diabet të zhvendosen në Himalaje? Të shkosh në një lartësi të madhe nuk është e vetmja mënyrë për të kërkuar përfitimet e mundshme të hipoksisë, ose mungesës së oksigjenit. Hulumtimet e mëparshme kanë treguar se ushtrimet me intensitet të lartë, janë gjithashtu efektive në menaxhimin e sheqerit në gjak për njerëzit me diabet të tipit 2 ose në rrezik për t’u prekur nga ky i fundit.







