Ballina Kulturë Zhani Ziçishti – aktori i pazhurmë, ylli i kinemasë që nuk shuhet…

Zhani Ziçishti – aktori i pazhurmë, ylli i kinemasë që nuk shuhet…

68
0

Nga Ilir Çumani 

Ndarja nga jeta e aktorit të mirënjohur të skenës dhe kinematografisë shqiptare, Zhani Ziçishti, përbën jo vetëm një humbje të ndjeshme në planin njerëzor për familjen, miqtë dhe për të gjithë ata që e patën privilegjin ta njohin nga afër, por edhe një mungesë të konsiderueshme për korpusin artistik të interpretimit shqiptar, në të cilin ai kontribuoi ndër dekada me përkushtim, pasion, integritet profesional dhe vetëdije të lartë estetike.

Në profilin e tij artistik, Zhani Ziçishti përfaqësonte atë tipologji aktori që e ndërtonte marrëdhënien me rolin mbi bazën e një procesi pune serioze, të gjerë e të thellë, përmes identifikimit psikologjik dhe një disipline interpretative që shmangte çdo formë ekspresiviteti të jashtëm apo retorike të panevojshme, duke synuar gjithnjë një racionalitet të brendshëm të mjeteve shprehëse dhe një përmbajtje të vetëdijshme emocionale. Loja e tij skenike karakterizohej nga një përdorim i matur i mjeteve shprehëse, nga një kontroll i vetëdijshëm i gjuhës trupore dhe nga një artikulim i përmbajtur i dimensionit emocional të personazhit, çka i mundësonte të realizonte figura dramatike të besueshme, me densitet të lartë psikologjik e njerëzor, ku çdo nuancë interpretimi ndërtohej mbi një përjetim të brendshëm autentik.

Në teatër, ashtu edhe në kinematografi, prania e tij artistike dëshmonte për një qasje metodologjike profesionale ndaj interpretimit, ku analiza e strukturës psikologjike e rolit dhe përjetimi i brendshëm viheshin në funksion të një komunikimi të drejtpërdrejtë dhe autentik me spektatorin. Ai nuk synonte ta impononte personazhin përmes efektit, por e ndërtonte gradualisht në një marrëdhënie empatie e reflektimi, duke e bërë publikun bashkëudhëtar në procesin e përjetimit dramatik. Nga një këndvështrim antropologjik e social, personazhet që ai mishëroi në skenë dhe në ekran përçonin tensionet, dilemat dhe kontradiktat e njeriut në kontekste të ndryshme historike, duke reflektuar një sens të theksuar përgjegjësie artistike ndaj realitetit shoqëror, çka e bënte interpretimin e tij jo vetëm një akt estetik, por edhe një akt komunikimi me vlera njohëse e humane.

Zhani Petro (Ziçishti) lindi në Korçë, më 31 maj 1940. Kreu studimet në shkollën e lartë për aktor, në Akademinë e Arteve “Aleksandër Moisiu”, më 1964, dhe menjëherë pas diplomimit nisi punë si aktor në Teatrin e Korçës, “Andon Zako Çajupi”, ku shërbeu deri në vitin 1994, dhe më pas emigroi në Greqi. Në skenën e këtij teatri ai realizoi mbi 70 role, shumë prej tyre role kryesore dhe me peshë të veçantë artistike, duke sjellë tok me brezin e tij një mënyrë të re interpretimi, ku përveçohej vërtetësia e të vepruarit, natyrshmëria, tonet e buta psikologjike dhe saktësia e synimeve të personazhit, në kundërvënie ndaj teatralitetit të jashtëm dhe këngëzimit të fjalës. Këto cilësi u shfaqën në pjesët si “Vajza pa prikë”, “Rrethimi i bardhë”, “Shtëpia në rrugicë”, “Mësuesi i letërsisë”, “Qyteti i akuzuar”, “Engjëjt e skëterrës”, “Opera për tri grosh”, “Kopraci” dhe “Otello”, ku ai realizoi një galeri personazhesh me intensitet të brendshëm e finesë interpretative.

Në kinematografinë shqiptare, rrugëtimi i tij nis në mesin e viteve ’70, duke u shfaqur në vitin 1975 në filmin “Beni ecën vetë”, në rolin e babait të Benit, si dhe në “Lumë drite”, ku interpretoi mësues Agronin. Në vitin 1976 erdhën rolet e Gencit në “Fije që priten” dhe e Kopit në filmin “Përballimi”. Viti 1977 shënon një prani më të theksuar me Gregori Graf në “Flamur në dallgë” dhe me rolin e spiunit të Gestapos në filmin “Monumenti”. Në vitin 1978 interpretoi kuestorin Jani në filmin artistik shqiptar “Nga mesi i errësirës” dhe Resulin në “Vajzat me kordele të kuqe”, ndërsa në vitin 1979 luajti Sadik Bezhorën në filmin “Mysafiri”.

Në vitin 1980 u shfaq si Kristofori në “Dëshmorët e monumenteve”, ndërsa në vitin 1981 interpretoi regjisorin në “Kur xhirohej një film” dhe avokatin Hamdi Caka në filmin televiziv “Agimet e stinës së madhe”. Në vitin 1985 u shfaq si Xha Kozi, mësuesi në pension, në filmin “Asgjë nuk harrohet”. Viti 1986 ishte ndër më të ngarkuarit për të, ku interpretoi avokatin në filmin “Një jetë më shumë”, me regji të Gëzim Erebarës, Gjinin në “Dhe vjen një ditë” si dhe oficerin gjerman në filmin “Tre ditë nga një jetë”. Në vitin 1987 realizoi rolin e Kryeagronomit në filmin “Përsëri pranverë”, ndërsa më 1988 interpretoi Kolin në filmin serial televiziv “Rikonstruksioni”. Filmografia e tij mbyllet me rolin e fotografit në filmin “Kronikë e një nate”.

Në planin personal, Zhani Ziçishti mbetet për mua një mik i çmuar, shumë i afërt, një bashkëbisedues i vyer, me kulturë të gjerë artistike dhe qytetare të admirueshme. Përtej skenës, ai manifestonte me modesti dhe urtësi një thjeshtësi natyrale dhe një etikë të spikatur profesionale, të cilën e reflektonte në mënyrë koherente në raportin e tij me artin dhe me jetën.

Sot, në mungesë të pranisë së tij fizike, trashëgimia artistike që ai lë pas mbetet një referencë e rëndësishme për studimin e praktikave interpretative në teatër dhe në filmin shqiptar. Ndarja e tij nga jeta nuk shënon vetëm fundin e një biografie individuale, por kalimin në kujtesën kulturore të një profili artistik që do të vijojë të jetojë në memorien kolektive përmes roleve dhe ndikimit të tij në brezat e ardhshëm. Me largimin e tij, familja, miqtë, skena, arti në përgjithësi dhe kinematografia shqiptare në veçanti humbën një figurë të dashur e domethënëse, që la gjurmë të pashlyeshme në trashëgiminë e kulturës sonë.

Lamtumirë, miku im i paharruar.
Prehu i qetë në paqen e merituar!