Apeli i GJKKO-së ka miratuar vendimin e Shkallës së Parë të Gjykatës së Posaçme, e cila vendosi shuarjen e masës së sigurisë edhe për inceneratorin e Fierit, pasi kishte kaluar afati 3-vjeçar i paraburgimit.
SPAK kishte ankimuar vendimin e GJKKO-së, ndërsa pas vendimit të sotëm, Prokuroria e Posaçme ka mundësi që të bëjë rekurd në Gjykatën e Lartë, brenda afatit të caktuar.
Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka u lirua në dhjetor të vitit të kaluar, pasi qëndroi për 4 vite në burg, që prej 14 dhjetorit të vitit 2021.
Vendim i gjyqtarit të GJKKO, Bib Ndreca, shoi pengesën e fundit të Lefter Kokës drejt lirisë, masën e sigurisë për inceneratorin e Fierit. Për këtë dosje, ish ministri Koka ndodhej në burg që prej 29 marsit 2022 dhe për GJKKO afati 3-vjeçar i paraburgimit që lejon Kodi, tashmë kishte kaluar dhe gjykimi i mëtejshëm duhet të vijonte në liri.
Për inceneratorin e Fierit, Lefter Koka është dënuar me gjykim të shkurtuar 6 vite e 8 muaj burgim nga GJKKO e shkallës së parë për akuzat e korrupsionit, pastrimit të parave dhe shpërdorimit të detyrës, por ende nuk ka një vendim të formës së prerë, pasi dosja u rikthye në Gjykatën e Apelit, ku e risolli Gjykata e Lartë.
Sa i përket dy dënimeve të tjera ndaj Lefter Kokës, atë për incenerarorin e Elbasanit dhe atë të Tiranës, ish-ministri e kishte fituar më herët lirimin nga burgu.
Njoftimi i Apelit të GJKKO-së:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtare Tereza Merkaj, sot më datë 26.02.2026, disponoi për çështjen penale nr. 66 akti, datë 17.02.2026 regjistrimi, mbi ankimin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me objekt: “Ankim kundër vendimit nr. 798, datë 11.12.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: Konstatimin e humbjes së fuqisë së paraburgimit dhënë shtetasit L.K, me vendimin nr. 22, datë 23.06.2022, të Gjykatës e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e zbatuar nga policia gjyqësore në datë 29.03.2022, ora 09:15 dhe e lënë në fuqi me vendimin nr. 23, datë 31.03.2022, të po asaj Gjykate”, si vijon:
– Miratimin e vendimit nr. 798, datë 11.12.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
– Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë sipas ligjit.
U shpall në Tiranë, sot më datë 26.02.2026.







