Ballina Aktualitet Procedimi penal për mjekun në Durrës, spitali ngre komision hetimor për vdekjen...

Procedimi penal për mjekun në Durrës, spitali ngre komision hetimor për vdekjen e foshnjës

120
0

Një ditë pas nisjes së procedimit penal ndaj një mjeku në Spitali Rajonal i Durrësit për neglizhencë mjekësore, që dyshohet se çoi në humbjen e jetës së një foshnje, drejtoria e institucionit ka ngritur një komision të posaçëm për të shqyrtuar rastin.

Në një njoftim zyrtar, drejtoria bën me dije se “është ngritur komision për të bërë oponencën e kartelës mjekësore nga ana klinike sipas protokolleve mjekësore”, pa dhënë detaje të tjera mbi rrethanat e ngjarjes.

Policia e Durrësit informoi një ditë më parë se materialet janë referuar në Prokurori, ku ka nisur procedimi penal për shtetasin I. Sh., 43 vjeç, me detyrë mjek në spitalin rajonal.

Procedimi ka ardhur pas kallëzimit të shtetases A. B., e cila pretendon se më 19 shkurt 2026 ka lindur foshnjën e saj në maternitetin e këtij spitali dhe, për shkak të neglizhencës së mjekut, foshnja ka humbur jetën disa orë pas lindjes.