Ballina Ekonomia Qeveria shqiptare takson eficencën energjetike, kondicionerët inverter barrë 5 herë më shumë...

Qeveria shqiptare takson eficencën energjetike, kondicionerët inverter barrë 5 herë më shumë se në BE

73
0

Ndryshimet klimatike i kanë shtyrë qeveritë kudo në botë, që të ndërmarrin politika agresive në drejtim të efiçencës energjetike. Shumë qeveri përveçse kanë hequr taksat për pajisjet që kursejnë energjinë, paralelisht janë duke subvencionuar familjet direkt me para në dorë për blerjen e tyre.

Por në Shqipëri, ndodh fenomeni i kundërt. Ndërsa Shqipëria aspiron të bëhet pjesë e familjes europiane, politikat e saj fiskale ecin në drejtim të kundërt me kërkesat e Brukselit.

Pajisjet me eficiencë të lartë energjetike, si kondicionerët inverter, taksohen në Shqipëri me taksë doganore 10%, ndërkohë që në vendet e BE-së kjo tarifë është pothuajse zero (0 deri në 2.2%).

Kjo mospërputhje nuk është thjesht një barrë financiare për xhepat e qytetarëve, por sipas ekspertëve, përbën një pengesë reale në procesin e anëtarësimit.

Kundër frymës së negociatave me BE
Eficienca energjetike është një nga shtyllat kryesore të kapitujve që Shqipëria duhet të negociojë për t’u anëtarësuar në BE. Dhomat e biznesit në vend kanë ngritur alarmin se mbajtja e tarifave doganore mbi nivelin europian për pajisjet që kursejnë energji është në kundërshti të hapur me vetë procesin e integrimit.

Sipas përfaqësuesve të biznesit, Shqipëria nuk mund të pretendojë përafrim me standardet e “Agjendës së Gjelbër” të BE-së, ndërkohë që penalizon fiskalisht qytetarët që blejnë teknologji kursimtare.

Tabela e paradoksit: Shqipëria “ekstremi” i rajonit
Krahasimi i tarifave tregon se si Shqipëria rëndon konsumatorin final më shumë se fqinjët:
• Pajisjet Inverter:

Shqipëria        10%

Mali i Zi            0%

BE                   0-2.2%.

• Televizorët (Eficience A+):

Shqipëria             10%

Mali i Zi                 3%

Greqia                   4%.

Një barrë e dyfishtë për qytetarin
Nëse qeveria do të ndiqte modelin evropian, duke e ulur këtë tarifë në 2%, efekti do të ishte i menjëhershëm: qytetarët do të blinin pajisje që konsumojnë më pak energji dhe fatura e dritave në fund të muajit do të ishte më e ulët.

Për dhomat e biznesit, kjo heshtje trevjeçare e institucioneve ndaj kërkesave për rishikim tarifash tregon mungesë vizioni.

“Në vend që të inkurajohet eficienca për të lehtësuar sistemin energjetik kombëtar, shteti zgjedh të mbledhë taksa të larta në doganë, duke e lënë qytetarin të vetëm përballë kostove të larta të jetesës,” shprehen përfaqësuesit e bizneseve.

Duket se rruga drejt BE-së po pengohet nga vetë tarifat “Made in Albania” të Qeverisë, të cilat po mbajnë peng modernizimin e shtëpive shqiptare dhe po rëndojnë konsumatorin final./kapitali