Autoritetet amerikane të aviacionit kanë ngritur alarmin pas dy incidenteve të rënda që përfshijnë avionë të prodhuesit Boeing, ku temperatura në kabinën e pilotëve u rrit mbi nivelet e sigurisë, duke krijuar një “efekt saune” të rrezikshëm për ekuipazhin. Sipas raportimeve, pilotët nuk arritën ta ulnin temperaturën përmes procedurave normale, duke u përballur me rrezik real për shëndetin, pasi nxehtësia ekstreme mund të shkaktojë marramendje, lodhje të rëndë apo edhe humbje ndjenjash.
Pas këtyre ngjarjeve, Administrata Federale e Aviacionit në SHBA, Federal Aviation Administration (FAA), ka vendosur të hetojë dhe të marrë masa për 771 avionë që operojnë në territorin amerikan. Bëhet fjalë për modelet 737-8, 737-9 dhe 737-8200, pjesë e flotës së njohur 737 MAX. Sipas autoriteteve, këta avionë mund të përballen me të njëjtin problem elektrik që ndikon në sistemin e kondicionimit të ajrit, duke krijuar situata të rrezikshme jo vetëm për pilotët, por potencialisht edhe për pasagjerët.
FAA ka urdhëruar që kompanitë ajrore të zbatojnë menjëherë masa të përkohshme sigurie dhe brenda 30 ditëve të përditësojnë Manualin e Fluturimit të Avionit (AFM). Kostoja për këtë përditësim është vlerësuar rreth 85 dollarë për çdo avion, por rëndësia e masës konsiderohet jetike për sigurinë ajrore.
Sipas udhëzimeve të reja, nëse ndodh ky problem gjatë fluturimit, piloti duhet të planifikojë ulje të menjëhershme në aeroportin më të afërt. Pasi të marrë lejen për ulje, avioni duhet të zbresë në një lartësi maksimale prej 10 mijë miljesh dhe lejohet vetëm një tentativë për të rindezur sistemin elektrik. Nëse defekti vazhdon, piloti duhet të presë maksimumi dy minuta përpara se të nisë procedurat e afrimit për ulje emergjente.
Në kushte alarmi, ekuipazhi mund të ndalojë shërbime jo thelbësore në bord, si sistemet e argëtimit dhe të reduktojë ndriçimin e përgjithshëm për të lehtësuar ngarkesën elektrike. Një nga masat më delikate është mundësia e hapjes së derës së blinduar që ndan kabinën e pilotëve nga pasagjerët, për të lejuar hyrjen e ajrit më të freskët. Kjo derë zakonisht qëndron e mbyllur për arsye sigurie kundër ndërhyrjeve të paautorizuara, ndaj vendimi për ta hapur konsiderohet i jashtëzakonshëm dhe merret vetëm në situata emergjente.
Nga ana e saj, Boeing është zotuar të bëjë ndryshime strukturore në qarqet elektrike të avionëve të prekur, për të parandaluar përsëritjen e incidenteve të tilla dhe për të garantuar standarde më të larta sigurie.







