Gjyqtarja Flojera Davidhi e Gjykatës së Posaçme vendosi të premten që të kthejë për plotësim hetimesh në SPAK çështjen penale në ngarkim të 16 individëve dhe 4 kompanive, të akuzuara për mashtrime me pasoja të rënda përmes skemave të mikrokredisë dhe mbledhjes së detyrimeve financiare.
Davidhi i caktoi një afat 5 mujor prokurorit Edvin Kondili që të plotësojë hetimet për këtë çështje, ku nga hetimet paraprake u konstatua se personat nën hetim zhvatën të paktën 36.8 milionë euro dhe 1700 prona të paluajtshme nga mijëra qyterarë, përmes skemës së rifinancimit të kredive të këqija dhe shantazhit.
Sipas SPAK, grupi vepronte si një strukturë e vetme, duke përdorur të njëjtin sistem kompjuterik, duke ndarë burimet financiare dhe duke qarkulluar stafin mes subjekteve, në funksion të një skeme kriminale që synonte pasurimin e paligjshëm në kurriz të qytetarëve në vështirësi ekonomike.
Të pandehurit akuzohen për mashtrim me pasoja të rënda, falsifikim dokumentesh dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal. Në listën e të pandehurve përfshihen gjithashtu edhe katër persona juridikë: “Micro Credit Albania” sh.p.k., “ADCA” sh.p.k., “Final” sh.p.k. dhe “Zyra e Përmbarimit Privat TDR Group”.
Hetimet tregojnë se për më shumë se nëntë vite, këto kompani kanë shumëfishuar në mënyrë të paligjshme detyrimet e qytetarëve përmes interesave ditore deri në 2%, duke ushtruar presion dhe kërcënime telefonike ndaj debitorëve dhe familjarëve të tyre. Në disa raste, detyrimet janë kaluar te familjarët pa lidhje me kredinë fillestare, ndërsa pasuritë e qytetarëve janë sekuestruar dhe kaluar në pronësi të kompanive përmes ankandeve fiktive.
Pasojat e skemës janë jo vetëm financiare, por edhe sociale, pasi mijëra qytetarë kanë pësuar bllokim të llogarive bankare për vite të tëra, ndërsa dhjetëra prona janë sekuestruar në mënyrë të paligjshme./Reporter.al







