Nga Avni Nezaj
Pasi shfryu për disa orë më një inat të paparë kundër hetuesve të SPAK që i nxorën të palarat e zëvendëses së tij, por shkërmoqën pas ndihmës së huaj edhe piramidën e AKSHI-t ku derdheshin miliona euro e nuk dihej ku shkonin, Edi Rama si një “ari” i plagosur vendosi të mbulojë qelbin e hajdutllëkut me disa arnime në qeverinë e tij.
Për të kënaqur “armiqtë” e Ballukut, e shkarkoi atë. E vë në thonjëza fjalën armiqtë pasi askush nuk kishte punë personalisht me Belindën. Të gjithë edhe akuzuesit shqiptarë, ata ndërkombëtarë, por edhe alienët e “Diellës” e kishin me vjedhjet e organizuara, drejtuara, menaxhuar nga Balluku në urdhrat afërmendësh të “Palloshit”, që normal nuk e dimë se kush është.
Ndërmarrja e Ramës, që e ka përdhunuar deri tani, është Partia Socialiste. Asnjë nga ata që bëhen ministra, vjedhin, arrestohen, e zëvendësohen nga të tjerë hajdutë që vjedhin, arrestohen, nuk janë anëtarë me taban të Partisë Socialiste. Asaj që njohin shqiptarët. Por nejse. Nëse ata që mendojnë se janë vërtet socialistë kanë pranuar nga nja kockë rroge për lëpirje e për të ngritur dorën pa e menduar gjatë sa herë ka nevojë Rama, kjo është zgjedhje e tyre. Zgjedhje, ndoshta për të mirën personale por jo për të mirën e shqiptarëve për çka angazhohet një forcë politike serioze.
Belinda iku. Kështu paska vendosur lideri i majmur deri dje me mbështetje edhe brenda, por edhe jashtë. Por harroi se kë kishte përballë kësaj here. Nuk kishte Lulzimin tek PD, por Sali Berishën. Lideri historik ja arriti ta mbante bashkuar opozitën dhe të strukturonte një përmbledhje të qartë të abuzimeve në vijimësi të Edi Ramës saqë bënë që të ndryshonte qëndrimi i ndërkombëtarëve që i mbante me batuta, sidomos evropianët, sa herë që i binte ti takonte. Metodë e mirë kjo që Belindat e shpërndara në administratë të vijonin të vidhnin pa teklif. Opozitën po ashtu e kishte mbarsur me 20 përqindëshat e ndonjë tenderi dhe vijonte të shkulte copat e Shqipërisë për bandën e tij edhe nën mbrojtjen e mediave që shiten kollaj si prostitutat, por edhe nën mbrojtjen e gjyqtarëve që i kishte caktuar në punë motra e zëvendëses së tij.
Pra paska qenë e thjeshtë të largohen hajdutët. Opozita të mbushë sheshet dhe të mos harrojë ndërkombëtarët që këto ditë erdhën në Tiranë me shumicë. E nuk erdhën që të “shikojnë vajzat e bukura të Tiranës” por erdhën për tu treguar shqiptarëve se kryeministri i rrethuar nga kusarë, po vëzhgohet.
Edhe vetë Rama e kuptoi mirë këtë. Dhe për t’u hedhur hi syve hoqi Belindën e ndonjë tjëtër, e solli në qeveri të gjithë skalionin e dytë të bandës së hajdutëve. I përdor të gjithë. Ka sjellë në qeveri ata që kopsitnin letrat pas mesazheve të Palloshit dhe Belës. Disa nuk kanë telefona se u janë sekuestruar e disa të tjerë do ta pësojnë keq me shërbëtorllëkun në anti-ligj ndaj kreut të qeverisë.
Pra stukimi qe I bëri qeverisë së tij do ti japë edhe pak ditë oksigjen Ramës për të sajuar ndonjë reprezalje ndaj strukturave hetimore por assesi nuk do ta mbajë gjatë në qeverisje. Thjesht ai hoqi Belindën dhe emëroi Ballukun. Të tjerat janë si kashta e mullarit që e merr era e helikave të helikopterit kur ai sodit Shqipërinë si pronën e tij. Por edhe për sa kohë…







