Ballina Opinion Korrupsioni – mënyra jonë e jetesës

Korrupsioni – mënyra jonë e jetesës

53
0

Nga Erl Kodra 

Prej shumë vitesh – tashmë jemi në vitin e 14-të – kam vërejtur me vëmendje pushtetin e Edi Ramës. Përpjekja ime ishte për të kuptuar qartë se nga buron forca e pushtetit të tij gati absolut mbi qytetarët shqiptar. Sigurisht që ai ka vjedhur votat – dhe kjo është e provuar me dosje dhe prova konkrete – pavatësisht se për ato vjedhje asnjëherë nuk janë bërë hetime serioze. Në fakt krejt historia e tij politike është ngritur mbi dy shtylla të forta: vjedhje e pastër dhe propagandë e shfrenuar.

Edi Rama është hajdut patologjik dhe demagog i paskrupullt. Provat dhe faktet janë kaq të shumta, sa nuk besoj se ka shqiptar që nuk e di, përfshirë edhe antarët e partisë së tij. Dhe kjo histori nuk ka filluar në vitin 2013, por para më shumë se 28 vitesh.

Pyetja (retorike) që vjen natyrshëm është:

Si ka mundësi që qytetarët janë kaq të pandjeshëm sa nuk e ndëshkojnë me votë një hajdut të paskrupullt?!

Në fakt përgjigja nuk është e thjeshtë, madje është kaq komplekse, sa do të duhej të merreshin studiues dhe sociolog për të kuptuar saktë se pse jemi katandisur në këtë gjendje. Megjithatë, ka një përgjigje që mendoj se i jep kuptim këtij paradoksi social.

Ne shqiptarët vinim nga një shtet diktatorial dhe i korruptuar. Gjatë komunizmit qytetarët bënin korrupsion për mbijetesë, duke shkëmbyer favore me pronën e askujtë, për një tallon më shumë ose për një autorizim për të blerë një televizor ose frigorifer. Ndërsa fshatari shqiptar mbijetonte duke vjedhur perime, misër ose grurë. Pra – korrupsion për bukën e gojës. Prej komunizmit ne dolëm të uritur në kuptimin literal të fjalës.

Në demokraci u ndamë në dy kampe – PS dhe PD. Ata më të vuajturit iu bashkuan PD-së, ndërsa të majtët “tradicional” u bashkuan me PS. Në fakt nuk ndryshoi asgjë thelbësore – përveç lirive politike – sepse kaosi dhe korrupsioni mori një trajektore të frikshme. Tani vjedhjet legjitimoheshin përmes dy partive, duke shfrytëzuar lidhjet personale, njohjet familjare dhe klanet kriminale.

Nuk është e nevojshme të evokohen vjedhjet e asnjërit kamp politik, sepse të gjithë i njohim të gjithë. Një shoqëri e korruptuar – me dy parti dhe elita të korruptuara në krye – padyshim që nuk do të bënte përpjekje për të luftuar korrupsionin, por do përpiqej të mbijetonte duke korruptuar akoma më shumë.

Kështu korrupsioni u kthye në mënyrë jetese. Derisa SHBA dhe BE vendosën që në skenë të vijë SPAK.

Është paradoksale – por fakt – se Reformën në Drejtësi e votuan 140 deputetë nga të dyja partitë. Kjo nuk do të ndodhte pa presionin e Donald Lu. Kurrë. Por ja që ndodhi.

Ajo që po ndodhë sot me hajdutin dhe demagogun Edi Rama është padyshim meritë e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian. Por për fat të keq, kam frikë se përsëri Rama do të mbijetojë – të paktën për momentin. Krahu tjetër, ata që e quajnë veten “opozitë” në fakt janë po aq të interesuar që Rama të vazhdojë të qëndrojë në pushtet. Ata e dinë si buka që hanë se nuk kanë shanse të fitojnë zgjedhjet në Shqipëri, nuk mund të rrëzojnë Ramën, nuk kanë mbështetje ndërkombëtare, dhe se, fundi i Ramës do të thotë edhe fundi i tyre. Ndaj ata janë fort të interesuar që të mos bjerë Rama; sepse së pari bie modeli dhe pushteti që të dy partitë përfaqësojnë, dhe së dyti ndalojnë bizneset që kanë së bashku. Kështu, rënia e Edi Ramës do të thotë të shembet modeli i tyre socio – ekonomik me të cilin kanë ngritur pasuritë prrallore, përmes krimit, vjedhjes dhe korrupsionit.

Mbetet të shpresojmë se nuk jemi të nëmur përjetësisht.