Ballina Opinion Një epitaf mbi varrin politik të Belës

Një epitaf mbi varrin politik të Belës

47
0

Nga Ilir Dako

Belinda Balluku ishte një nga ministret më të liga, injorante dhe të paskrupullta të qeverisë Rama. Shkallët e karrierës së saj në pushtetin e rilindjes u kaluan në mënyrë të rrufeshme, duke u katapultuar nga një drejtoreshë në një ent publik,  direkt në ministre të Transporteve dhe Zëvendëskryeministre e plotfuqishme e qeverisë. Personazhi Balluku tentoi të futej furishëm në politikën shqiptare si një personazh me ambicie të forta për të marrë  fuqi të pakufijshme në qeverisjen e Edi Ramës. Balluku pranoi të ishte masha e Edi Ramës që firmoste dhe vuloste për të gjitha aktet korruptive të tij në raport me tenderimet, koncencionet, licencat, lejet e ndërtimit, etj, duke mos pasur frikë nga shkelja e ligjit. Nuk dua të përmend aferat korruptive që tashmë janë evidente, por mënyrën sesi ajo u mundua të katapultohej drejt majës së pushteti politik, nën komandën e Edi Ramës.

Egua e saj e sëmurë për pushtet dhe për pasurim të shpejtë, ishte një nga qëllimet parësore të saj në kohën që drejtonte qeverinë e deleguar nga Edi Rama. Bela futi hundët kudo në qeverinë shqiptare. Ajo emëroi ministra, drejtorë, sekretarë të përgjithshëm dhe kandidoi thuajse 20 deputetë, me qëllimin e vetëm që të krijonte pushtet brenda pushtetit të Edi Ramës.

Bela zotëronte gjithçka, pushtetin politik, pushtetin ekonomik dhe pushtetin kriminal. Femër e paskrupullt dhe e frikshme,  e cila ishte gati të sakrifikonte gjithçka për të arritur qëllimin e saj. Pushtetin dhe pasurimin. Mjafton të përmendim një sekuencë nga biseda e saj me vartësin e saj për të kuptuar qëllimin e saj dhe ambiciet për pushtet. “ Të lutem ma mbaro porosinë e tunelit, pasi nga kjo varet fati yt, fati yne dhe fati i grupit tonë”, i thoshte ajo Berberit, duke shpalosur qartë se ajo ishte gati të bënte harakiri gjithçka për të ndërtuar rrjetën e saj korruptive. Qëllimi i Ballukut ka qenë i qartë, të pranonte gjithçka për të arritur aty ku donte, të firmoste gjithçka antiligjore, për ti fituar zemrën njëshit dhe në një monent të dytë ti fuste thikën pas shpine.

Ajo nuk e ndali turrin e vet për të kapur majat e pushtetit si një  Erisikton i pangopur, ku sa më shumë grabiste, sa më shumë pushtet fitonte, aq më shumë e uritur ndihej.

Për fatin e saj të keq, shefi i saj i la në dorë tepsinë e pushtetit për ta joshur, ndërkohë që pushtetin e përdorte për interesat e tij, duke i lënë Belës gjithë gjynahet e korrupsionit dhe një pjesë të tepsisë. Nepsqarja Belindë, e pangopura dhe e babëzitura Belindë, një fatkeqe injorante nuk e kuptonte se në dorën e kujt kishte rënë. Edi Rama si një Prokust i pabesë e thirri në sofrën e tij dhe i bëri gropën, duke e shfrytëzuar dhe më pas  hedhur hijenave për ta shqyer si një pre të pavlerë.

Në një intervistë të saj, Belinda deklaronte se babai i saj i kishte thënë se nuk duhej të merrej me politikë, por ajo nuk e kishte dëgjuar. Belinda u mor me politikë dhe u ngatërrua me njeriun e gabuar që në shpirtin e tij katran kishte një mllef të brendshëm ndaj saj dhe familjes së saj.

Nipi i xha Pilos, një zagari të Enver Hoxhës, nga njerëzit më të zinj të sistemit komunist dhe anëtar i  Byrosë politike, nga viti 1948 deri në 1981, mbarti vrerin  e dajës së tij,  duke e sakrifikuar Belën, ashtu si xha Pilo i bënte gjyqet gjyshit të saj Beqir Ballukut. Pilua ishte një nga figurat kryesore të Byrosë Politike që mbështeti plotësisht Enver Hoxhën gjatë goditjes së “Grupit Puçist në Ushtri” (1974-1975). Ai luajti një rol aktiv në mbledhjet e forumeve të larta të Partisë së Punës, ku u dënuan ministri i Mbrojtjes Beqir Balluku dhe gjeneralët Petrit Dume e Hito Çako. Dajo Pilua mbështeti vendimet për arrestimin dhe më pas ekzekutimin e Beqir Ballukut, Petrit Dumes dhe Hito Çakos, të cilët u pushkatuan në vitin 1975.

Belinda nuk e dëgjoi këshillën e babait të saj që kishte eksperiencën e keqe të gjyshit, i cili u pushkatua në mënyrë të tmerrshme nga krimineli Enver Hoxha edhe pse ishte i pafajshëm, i devotshëm dhe besnik i tij.

Fatkeqësia e Belës ishte se u fut në mënyrë naive në dorën e nipit të një prej xhelatëve të gjyshit të saj, dhe si për çudi, historia po përsëritet. Fati i saj është më i frikshmi që mund ti ndodhë dikujt. Nipi shpirtkatran i xha Pilo shpirtziut e mori e shfrytëzoi dhe e ka hedhur në një hon të frikshëm ku do të përfundojë pa nam e nishan.

Që Bela mos të përfundojë si gjyshi i saj naiv dhe besnik, i  cili edhe kur vajti para skuadrës së pushkatimit thërriste rroftë Enver Hoxha, duhet ti thërrasë mendjes dhe të zgjidhë hallin e saj, për mos të ndjekur shembullin e gjyshit dhe të bërtasë Rroftë Edi Rama dhe të përfundojë për një kohë të gjatë burgjeve.

Padyshim që nuk pres nga Bela të kuptojë se ç’duhet të bëjë pasi intelekti i saj nuk ja ofron komoditetin të arsyetojë për ti vënë gishtin kokës. Ashtu si nuk dëgjoi fjalën profetike të babait të saj, Bela nuk do të kapë asnjë sinjal edhe pse fati i saj ngjason me  një kufomë që i është hedhur korbave për ta çukitur./sot