Ballina Rajoni Përfunduan të dy me plagë thike në spital, por njëri humbi jetën,...

Përfunduan të dy me plagë thike në spital, por njëri humbi jetën, adoleshenti tregon vrasësin e 17-vjeçarit shqiptar

61
0

Një përleshje e dhunshme në Lutraqi, Lutrak, në orët e para të mëngjesit të së premtes ka çuar në vdekjen e 17-vjeçarit shqiptar Aleks Vangjeli dhe plagosjen e një 19-vjeçari. Ngjarja po hetohet nga autoritetet greke, ndërsa detaje të reja u raportuan nga emisioni “Zbulesa”.

Sipas informacionit, 19-vjeçari i plagosur ka treguar autorin e vrasjes së 17-vjeçarit me origjinë nga Berati dhe i ka dhënë policisë informacione të rëndësishme për hetimin. I mituri 17-vjeçar u transportua në spital nga një i afërm, por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ai ndërroi jetë nga plagët e marra. 19-vjeçari, fillimisht u paraqit në Spitalin e Lutrakut me lëndime në bark dhe gjoks. Ai i kishte thënë mjekëve se plagët ishin shkaktuar nga një aksident me makinë, por mjekët konstatuan se lëndimet ishin shkaktuar nga një objekt i mprehtë. Për shkak të seriozitetit të gjendjes, ai u transferua në një spital në Athinë, ku aktualisht po trajtohet jashtë rrezikut për jetën.

Presidenti i Shoqatës Mjekësore të Korinthit dhe Zëvendësguvernatori i Peloponezit në fushën e Shëndetësisë, Chrysovalantis Mellos, deklaroi për Korinthostv.gr se 19-vjeçari ishte i pari që mbërriti në Qendrën Shëndetësore të Lutrakut rreth orës 2 të mëngjesit, me plagë në gjoks dhe bark. Gjendja e tij u stabilizua fillimisht në qendër, por u pa e nevojshme transferimi në spital në Atikë për trajtim më të specializuar. I ndjeri 17-vjeçar mbërriti i vdekur në Spitalin e Korinthit rreth orës 6 të mëngjesit, dhe duket se plagët e tij i janë shkaktuar disa orë më parë, para se të dërgohej për trajtim.

Hetimet vazhdojnë, ndërsa autoritetet po përpiqen të sqarojnë rrethanat që çuan në këtë ngjarje tragjike.