Ballina Lifestyle Princ Leka konfirmon martesën me Blerta Celibashin! Nga fustani tek unaza, zbulohet...

Princ Leka konfirmon martesën me Blerta Celibashin! Nga fustani tek unaza, zbulohet detaje nga dasma e tyre: Ëndërrojmë një ceremoni elegante

75
0

Pas një fejese të organizuar në jug të Shqipërisë, Princ Leka dhe e fejuara e tij, Blerta Celibashi, janë në përgatitje për ceremoninë e dasmës. Lajmi u konfirmua nga vetë princi për revistën franceze “Point de Vue”.

Festa e fejesës u zhvillua në një kompleks hotelier privat, i rrethuar nga pisha dhe me pamje nga deti. Tre muaj më pas, çifti synon të ruajë të njëjtin atmosferë intime edhe në ceremoninë e dasmës, ndonëse shumë detaje mbeten ende në proces finalizimi.

“Gjërat më të rëndësishme për ne janë të jemi rrethuar nga të afërmit tanë dhe të ndajmë këtë moment me sinqeritet dhe thellësi. Ëndërrojmë një ceremoni të thjeshtë dhe elegante, pa pretendime, vetëm një moment autentik dhe prekës,” rrëfen princi për “Point de Vue”.

Sipas revistës franceze, çifti po bashkëpunon me profesionistë për organizimin e ceremonisë. Programi i dasmës parashikon një koktej mirëseardhjeje një natë para ceremonisë dhe një darkë festive në ditën e dasmës.

Stili i eventit do të reflektojë preferencat e tyre: klasik, elegant dhe i qëndrueshëm në kohë. Paleta e ngjyrave dhe elementët dekorativë nuk janë përcaktuar ende, thuhet në shkrimin e “Point de Vue”.

“Blerta dhe unë jemi mjaft klasikë. Ne preferojmë elegancën, që e konsiderojmë më të përjetshme sesa trendet e momentit,” shprehet princi.

Në aspektin kulinar, shefi shqiptar dhe mik i familjes, Erion Fejzaj, do të udhëtojë nga Firence për të përgatitur darkën.

“Sa i përket ushqimit, shefi shqiptar dhe mik i familjes, Erion Fejzaj, do të vijë veçanërisht nga Firence për të përgatitur darkën. Ai, i cili ishte gjithashtu përgjegjës për ushqimin e fejesës, do të shpalosë sërish kuzhinën mesdhetare, e përzier me ndikime osmane, duke mos harruar një menu vegjetariane për të kënaqur shijet e nuses së ardhshme”, thuhet në artikull.

Ndërkohë, mësohet se unaza e Blertës është përzgjedhur nga “Tiffany & Co.”, ndërsa fustani i saj do të realizohet nga një stiliste kosovare shume e njohur, si një homazh për gjyshen e princit, princeshën Geraldinë.

“Me unaza nga Tiffany & Co., Blerta ka zgjedhur gjithashtu stilin e fustanit të saj të ardhshëm. Krijuesja kosovare Diana Qerimi është një nga më të talentuarat e brezit të saj. Sensibiliteti i saj është në përputhje me mënyrën se si Blerta e koncepton veshjen, menduar si një homazh për gjyshen time, princeshën Geraldinë, e njohur për elegancën e saj. Fustani do të zbukurohet në mënyrë të subtilizuar me simbole shqiptare,” shpjegon princi.

Dasma do të zhvillohet në mënyrë diskrete, me fokus te familja dhe miqtë e ngushtë.

Ndërkohë, brenda dy viteve, familja mbretërore shqiptare planifikon të shënojë një moment me rëndësi historike, 100-vjetorin e monarkisë shqiptare, përmes një ceremonie në Tiranë.

“Brenda dy vitesh, ne do të kremtojmë një ngjarje me rëndësi historike të madhe: njëqindvjetorin e monarkisë shqiptare. Ne planifikojmë ta festojmë atë në një tubim më të madh, duke mbledhur miqtë dhe anëtarët e familjes mbretërore në Tiranë – një tjetër rast për të parë monarkinë në ditën e saj më të bukur”, tha Princ Leka.