Dhjetëra subjekte groposën tonelata mish pule dhe vezë kur shpërtheu gripi i shpendëve në Shqipëri, pasi u konsideruan të pasigurta për konsum.
Por ajo që e bën këtë situatë tronditëse është një fakt edhe më alarmant: ndërkohë që në terren urdhërohej asgjësimi i tyre, këto produkte të pakontrolluara përfunduan në menutë e çerdheve dhe kopshteve.
Këto janë konstatimet e Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) në raportin që mban datën 13.10.2023, i cili nuk u publikua asnjëherë, sepse mund të shkaktonte panik në vend.
Në raport theksohet se Bashkia Kamëz i është drejtuar AKU-së më një shkresë, ku i kërkon informacion nëse mund ta përdorë mishin e pulës dhe vezët në menunë ushqimore të çerdheve dhe kopshteve.
Në përgjigjen e saj, AKU ka theksuar se mishi i pulës dhe veza mund të përdorej në kopshte dhe çerdhe, vetëm me kushtin që para përdorimit këto produkte të gatuhen në 70 gradë celcius.
Teksa në terren AKU urdhëronte subjektet që ishin prekur nga gripi i shpendëve të tërhiqnin nga tregu mishin e pulës dhe vezët, sepse përbënin risk për konsumatorin, nga ana tjetër, në mënyrë paradoksale jepte miratimin që këto produkte të konsumoheshin nga fëmijët e moshës 1 deri në 6 vjeç.
Sipas KLSH-së, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka vepruar me dy standarde. Në terren, inspektorët kanë bllokuar vezët dhe kanë urdhëruar asgjësimin e tyre, ndërkohe që për të ruajtur shëndetin e fëmijëve, duhet të kishin marrë masa për analizimin laboratorik të vezëve.
Sipas raportit, nuk u krye analizimi laboratorik i vezëve përpara përdorimit, ndonëse kjo ishte masa minimale për të garantuar sigurinë ushqimore në kopshte dhe çerdhe.
Në raport theksohet se Drejtoresha e Përgjithshme e AKU-së në atë kohë, Jeta Deda, nuk ka marrë asnjë masë për të identifikuar riskun dhe nuk ka kërkuar bashkëpunim me institucionet ndërkombëtare për dhënien e mendimit shkencor për këtë situatë kritike.
Sipas raportit të KLSH-së, për këtë situatë mban përgjegjësi Drejtoresha e Përgjithshme e AKU, Jeta Deda.
Këto gjetje të KLSH-së janë një kambanë alarmi për sigurinë ushqimore të fëmijëve në çerdhe dhe kopshte.
Institucionet mund të fshehin raportet, por e vërteta mbetet: me shëndetin e fëmijëve nuk negociohet./OraNews







