Ballina Aktualitet SHBA-ja furnizon Shqipërinë me raketa Javelin

SHBA-ja furnizon Shqipërinë me raketa Javelin

61
0

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë furnizuar Forcat e Armatosura të Shqipërisë me një numër të konsiderueshëm raketash antitank Javelin, të konsideruara ndër sistemet më moderne dhe më efektive në botë për mbrojtje tokësore.

E ngarkuara me punë e SHBA-së në Shqipëri, Nancy VanHorn, e cilësoi këtë zhvillim si një moment të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e sigurisë.

“Sot këtu me ne është Komandanti i Detashmentit të Gardës së Sigurisë të Marinës së Ambasadës së SHBA, Rreshteri i Lartë Manuel Coronado. Përpara së të caktohej në Tiranë, në ambasadën tonë, Rreshter Coronado shërbeu në sistemet e raketave Javelin. Dhe në ditët e fundit, kam mësuar shumë për Javelinët nga Nëntogeri, duke perfshirë teknologjinë e tyre “gjuaj dhe harro” që u mundëson operatorëve të zhvendosen menjëherë pas gjuajtjes dhe aftësinë e tyre të sulmit nga lart që i lejon raketës të ngjitet lart dhe të zhytet me pjerrësi për të goditur pikën më të dobët të blindimit armik. Dhe Rreshteri ma shpjegoi shumë thjesht: këto sisteme janë shumë, shumë të shkëlqyera dhe ky është një pasqyrim i teknologjisë së tyre të përparuar dhe aftësive mbresëlënëse”, tha ajo.

Sipas saj, furnizimi me sistemin Javelin dëshmon angazhimin e vazhdueshëm të SHBA-së për stabilitetin rajonal dhe përmbush objektivat e Shqipërisë në kuadër të mbrojtjes kolektive.

“Po me aq rëndësi, këto Javelin ndihmojnë Shqipërinë të përmbushë angazhimin e saj të NATO-s për shpenzimet e mbrojtjes dhe objektivat e aftësive, thelbësore për sigurinë e Shqipërisë dhe mbrojtjen tonë kolektive. Në emër të Shteteve të Bashkuara, dua gjithashtu të vlerësoj kontributin tuaj me trupa dhe pajisje ushtarake për NATO-n dhe misionet ndërkombëtare në mbarë botën. Ne jemi krenarë të jemi partnerët tuaj në këto përpjekje”, u shpreh VanHorn.

Ajo theksoi se situata aktuale e sigurisë kërkon kontribut aktiv nga të gjithë aleatët, duke nënvizuar se partneriteti mes dy vendeve mbetet i fortë dhe i qëndrueshëm.