Ballina Rajoni Vuçiç për “planin sekret” amerikan: Nuk e flas me Rubion, Kosova është...

Vuçiç për “planin sekret” amerikan: Nuk e flas me Rubion, Kosova është Serbi

53
0

Aleksandër Vuçiç komenton “planin sekret” amerikan që detyron Serbinë të njohë Kosovën. Presidenti nxitoi që të hidhte poshtë pretendimin e ish-diplomatit Nebojsa Vujoviç, i cili më herët tha se takimi i ministrit të Jashtëm, Marko Gjuriç, me sekretarin e shtetit, Marco Rubio, në Uashington, u bë për të vulosur marrëveshjen e fshehtë për njohjen e pavarësisë, në mënyrë që Vuçiç të qëndrojë në pushtet.

Presidenti serb tha se takimi me Rubion nuk ishte aspak i planifikuar dhe se kreu i diplomacisë serbe e takoi atë krejtësisht rastësisht. “Nuk më shkon ndërmend të pranoj ndonjë njohje të ‘Kosovës’. Jo me Marco Rubio-n, por vetëm me Shën Pjetrin diskutoj për ‘Kosovën’. Kosova është Serbi. Ishte dhe do të jetë. Fundi i historisë”, tha Vuçiç.

Vetë kryediplomati serb postoi një imazh në rrjete sociale për takimin me sekretarin e shtetit, ndërsa shkruan: “Gjithmonë është kënaqësi të takosh sekretarin Rubio, ndërsa punojmë së bashku për ta bërë vitin 2026 një vit vërtet të shkëlqyer për marrëdhëniet Serbi-SHBA”.

Ish diplomati Vujoviç theksoi se “Gjuriq u ftua në Uashington në mënyrë që Rubio, në emër të qeverisë amerikane dhe Presidentit Donald Trump, t’i paraqiste atij marrëveshjen sekrete detyruese për njohjen e pavarësisë së Kosovës”.

“Ky ishte qëllimi kryesor i ftesës së Gjuriqit në Uashington. Çdo ditë, hap pas hapi, Serbia po i afrohet formalizimit dhe njohjes zyrtare të Kosovës si shtet i pavarur”, shtoi ish diplomati serb. Vujoviq argumentoi se “duke nënshkruar një marrëveshje detyruese për njohjen e Kosovës, Trump do të arrinte një sukses të madh, dhe në të njëjtën kohë do të godiste Bashkimin Europian dhe Rusinë”.

“Nga ana tjetër, kjo i shkon për shtat Vuçiçit sepse do të blinte kohë që ai të qëndronte në pushtet. Vuçiç kështu do të merrte miratim të heshtur për mbylljen e mediave të pavarura, dhe vendosja e sanksioneve të SHBA-së për korrupsion, mashtrim zgjedhor dhe shpërfillje të sundimit të ligjit sipas Aktit të Demokracisë në Ballkanin Perëndimor, i cili u miratua nga Kongresi i SHBA-së, do të vonohej”, theksoi ish-diplomati.