Ballina Opinion Batonizimi i Edi Ramës

Batonizimi i Edi Ramës

62
0

Nga Lis Bukuroca 

“Çfarë është përveçse ndërhyrje brutale, pezullimi i ministrit nga një prokuror dhe gjykatës, me vendim të një seance paraprake pa gjyq, i pandodhur në historinë e botës. Çfarë është përveçse ndërhyrje gjymtuese në territorin e pushtetit legjislativ…“

Të shqyrtojmë mendimin dhe ta zbërthejmë ashtu siç e shprehu kryeministri: A është ndërhyrje brutale? Po, por ndërhyrja brutale është e ekzekutivit ndaj një institucioni të pavarur, i cili e ka për detyrë të zbatojë ligjet, të mbikëqyrë respektimin e tyre dhe të ngrejë akuza, edhe kundër qeveritarëve.

Pozita nuk dhuron licencë për krim, e as nuk i lejohet qeverisë të ndërhyjë në drejtësi; e ndalon Kushtetuta. Kuptohet, kjo u shkakton probleme të mëdha disave, por jo Kushtetutës.

Prokuroria ka të drejtë ligjore të kontrollojë pushtetin, por jo pushteti prokurorinë. Kjo mund të ndodhë vetëm në regjime diktatoriale ose autokratike, aty ku mungon demokracia funksionale.

A e ka pezulluar Prokuroria zëvendësministren? Jo. A ka të drejtë prokuroria të kërkojë pezullimin? Po. Arsyeja? Për të penguar njeriun e dyshuar në zhdukjen e provave. Pra, ajo ka të drejtë ta kërkojë, por jo të vendosë. Vendimin e merr gjykata: e aprovon kërkesën ose e hedh poshtë atë.

Rama pyet: “Çfarë është përveçse ndërhyrje gjymtuese në territorin e pushtetit legjislativ…?”

A ka ndërhyrje nga prokuroria në pushtetin legjislativ? Jo. Zonja Balluku nuk dyshohet për veprimtari penale si deputete në Kuvend, por si zëvendëskryeministre. Si pjesëtare e ekzekutivit.

A ka raste të tilla në „historinë e botës“ ?

Natyrisht, nëpër rende demokratike, po. Hetimet janë procedura normale që dëshmojnë për funksionimin e shtetit ligjor normal. Imunitet për vepra penale ka lideri në diktaturë, teokraci apo autokraci, por jo në rendin demokratik.

Christian Wulff, ish-president gjerman, sapo nisën hetimet u detyrua të dorëhiqet. Pas dy vitesh, gjykata e shpalli të pafajshëm. Në demokraci dorëheqja shpesh është e menjëhershme ose rrëzimi ndodh sapo hapet procedura.

Shteti duhet të përfaqësohet nga njerëz dinjitozë, jo nga krimi i organizuar. Kjo është vlerë e demokracisë perëndimore.

Rasti tjetër: Matteo Salvini në Itali dhe Rod Blagojevich në SHBA. Ky i fundit u arrestua ndërsa ushtronte detyrën e guvernatorit, u shkarkua dhe u dënua.

Çka do të thotë kjo? Kjo domethënë se drejtësia duhet të luftojë krimin, por jo qeveria drejtësinë.

Ata shembuj, ka edhe shumë tjerë, tregojnë se në rendin demokratik është normale që prokuroria dhe gjykatat të veprojnë ndaj ekzekutivit. Pozita nuk garanton aty paprekshmëri. Kërkesa që pushteti të jetë mbi prokurorinë dhe gjykatën do të thotë t’i jepet liderëve politikë licencë për krime dhe imunitet ndaj dhe mbi organet e drejtësisë.

Nëse ndodh, atëherë institucione të pavarura të drejtësisë nuk do të kemi. Aty, në fakt, përfundon rendi demokratik.

Nuk është i çuditshëm veprimi i prokurorisë, por reagimi i qeverisë. Pse ka aq nervozizëm? Sepse për dekada drejtësia ka qenë në shërbim të elitës politike, e jo politika në shërbim të drejtësisë.

Problemi ynë është kulti. Ideja se lideri mund të ndërhyjë kudo, edhe në drejtësi, është trashëgimi e një kulture autoritare. Komuniste. Mirëpo në demokraci drejtësia nuk i raporton qeverisë dhe nuk kërkon leje se kë duhet të hetojë.

Kështu, ata ndihen të shpërfillur dhe nuk e kuptojnë se pozita është e përkohshme, kurse drejtësia duhet të jetë e përhershme.

Dorëheqja në demokraci është qëndrim etik, por jo rezistenca ndaj drejtësisë, apo ngulfatja e saj me ligje të reja.

SPAK u krijua për të mënjanuar ndikimin e politikës në drejtësi, mirëpo disa media dhe disa përfitues përpiqen të krijojnë mekanizma që do të kufizonin hetimet ndaj atyre që kanë pushtet. Ndaj elitës. Me ligje të tilla BE nuk do të pajtohej.

Togfjalëshit “grushtshtet”, “ndërhyrje brutale”, “drejtësi politike” janë trashëgimi komuniste të barasvlershme me: „agjitprop“, „armik i popullit“, „armik i partisë dhe shtetit“.

Qeveria nuk duhet të mbrojë individin, por institucionin dhe imazhin e vendit. Haxhiu thotë se në Shqipëri hetohet pafund, se standardet ndaj Metës duhet të përmirësohen — domethënë të zbuten ndaj elitës.

Edi Rama po sillet mu si Vuçiqi. Ja një citat nga gazeta Le Monde e 05.02.26:

“Në Serbi, drejtësia është vënë në shënjestër nga presidenti Aleksandar Vuçiç… me qëllim pengimin e hetimeve për korrupsion që përfshijnë disa ministra të partisë së tij.”

Për “batonizimin” e Ramës ka shumë shembuj. Dhjetëra. Për fat të keq. Madje duket se Rama vepron mu siç i pëlqen atij. Haxhiu merr përsipër të përligjë veprimet e kryeministrit dhe të bindë popullin se shoku Rama po vepron drejt dhe se po gabojnë institucionet e pavarura të drejtësisë.

Sidoqoftë, lufta për të mbrojtur Ballukun dhe për të penguar drejtësinë nuk flet vetëm për zonjën, por më shumë për shefin e saj.

Nëse karma vepron, mund të ndodhë që Hashim Thaçi të kthehet në verë dhe të shfaqet në Tiranë me helikopter, me ndonjë kërkesë për Edi Ramën.