Ballina Opinion Pse njerëzit e mirë nuk qëndrojnë në politikën shqiptare?

Pse njerëzit e mirë nuk qëndrojnë në politikën shqiptare?

78
0

Kjo pyetje shpesh shqiptohet si pyetje retorike por edhe e ngarkuar me një dozë të madhe zhgënjimi, sikur largimi i vullnetshëm të nënkuptonte brishtësi, dështim ose mungesë qëndrueshmërie e zotësie.

“Ah sikur njerëzit e mirë të kishin duruar ca më shumë, të kishin qëndruar ca më gjatë; të kishin mësuar të luanin lojën, nuk do të ishim dëshmimtarë të rrënimit të politikës edhe lidershipit në këtë derexhe”. Ky është arsyetimi me të cilin përballem sa herë flas për largimin vullnetar nga qeveria.

Por ky këndvështrim keqkupton problemin. “Njerëzit e mirë” nuk u larguan nga politika sepse nuk mund të përballonin presionin. Ata u larguan pasi kuptuan se çfarë shpërblente e çfarë ndëshkonte në heshtje sistemi i ngritur.

Kur flas për “njerëz të mirë”, nuk nënkuptoj as shenjtorë e as superheronj, por me dhjetra individë të larguar sepse vendosën të drejtohen nga parimet jo nga statusi, fama ose pushteti. Njerëz që përjetuan shqetësim të vërtetë kur ju kërkohej të shkëmbenin integritetin me përshtatshmërinë politike; njerëz që sapo vunë re se hendeku i thellë midis retorikës publike dhe qëllimeve së qeverisë nuk mund të njorohej, reaguan.

Në qeveritë e rilindjes pa asnjë përjashtim që nga e para e deri tek e fundit,  integriteti lëvdërohet retorikisht, por nuk mbrohet institucionalisht. Nëse kundërshton je naiv ose më keq konfliktual; nëse ngre shqetësime etike, të thuhet që “ende nuk e kupton se si funksionojnë gjërat”. Në to zotësia lidhet me aftësinë për të toleruar sjellje edhe veprime që janë tërësisht të papranueshme. Aty zotësi do të thotë të mësosh të ulesh i pashqetësuar në tavolina ku vendimarrjet nuk drejtohen nga interesi publik, por nga pozicionimi personal në lidhje me liderin; do të thotë të pranosh që rezultatet kanë pak ose aspak rëndësi dhe mbijetesa është gjithçka.

Ata që për hir të statusit edhe pushtetit masterizuan këto “zotësi” mbijetuan. Ata që i refuzuan këto zotësi edhe publikisht, u etiketuan si mosmirënjohës apo tradhtarë të familjes politike .

Bertnard Russell na kujton se: “njeriu ka bërë një jetë te denjë kur e ka parë botën përtej interesave personale”, edhe tragjedia e të mbijetuarve në politikë dhe qeverisje, (aty fatkeqësisht ka akoma njerëz të dashur për mua), nuk është se ata dinë gjithnjë e më pak për kuptimin e jetës së denjë, por se kuptimi i një jete të denjë i shqetëson ata gjithnjë e më pak.

E pra, largimi nga politika nuk është një heqje dorë, por një akt integriteti. Jo të gjithë janë të destinuar të mbijetojnë në mjedise ku fleksibiliteti moral shpërblehet dhe vlerësohet mbi qartësinë morale.

Sa mirë që ka akoma ndër nesh modele njerzish që refuzojnë të mbijetojnë në këto mjedise, si një kujtesë a provë që ky mjedisi politik duhet ndryshuar.