Ballina Kulturë Riki

Riki

55
0

Nga Ilir Muharremi 

Riki, buzëqeshja jote sillte ngrohtësi si drita e parë që prek dritaren në agim. Ajo mposhtte çdo mendim të errët, si një dorë e padukshme që hap perdet e shpirtit. Ti ishe pushtues i të mirave, jo me zhurmë, por me butësi  me atë qetësi që vetëm njerëzit e dritës e kanë.

Edhe sot i kujtoj detajet e buzëqeshjes sate të thellë, mënyrën si ngulte parajsën e lumturisë brenda meje. Nuk ishte thjesht buzëqeshje, ishte filozofi. Ishte bindje se e mira nuk është dhuratë e rastit, por zgjedhje e përditshme. Më mësove se formula e saj fshihet në shpirtin tonë, aty ku askush tjetër nuk mund të hyjë pa lejen e dashurisë.

Riki, ti ishe artist dhe njeri që të mirën nuk e mbaje për vete. E shpërndaje si dritën  pa kursim, pa llogari. Me buzëqeshjen tënde dielli lindte më lehtë, ndërsa kaltërsia e qiellit dukej sikur gërvishtej nga pozitiviteti yt. Artist në shpirt, paqësor në tokë, ledhatues i mendimeve dhe ndjenjave të mira. Bota, në sytë e tu, ishte e bukur  dhe ne e besonim sepse ti e shihje ashtu.

Bisedat tona të gjata ishin si dialogë të heshtur mes piktorësh të mëdhenj si Paul Gauguin dhe Vincent van Gogh në një ishull të largët ngjyrash. Flisnim për artin, për bukurinë, për retrospektivën e jetës sate. Zhyteshim në të kaluarën tënde me një përkushtim të rrallë, dhe ti, me ngrohtësi e lehtësi, sillje imazhet sikur të ndodhnin atë çast. Në fund lodheshim si llamba që kanë ndriçuar gjithë natën  do të thoshte Van Goghu  por e nesërmja sillte sërish dritë dhe risi.

Ti ishe paralel me diellin dhe ajrin. I domosdoshëm pa u imponuar. Artistët, thonë, janë njerëz të mirë sepse buzëqeshin edhe kur dhimbja ndërton folenë brenda tyre. Ti e pohoje çdo dhimbje, por e jetoje mbi kurrizin e lumturisë. Sepse arti, thoshe, ka këtë formulë: e shndërron plagën në dritë.

Tani minutat kalojnë. Orët, ditët, muajt, vitet. Ti i varrosur në tokë, në ftohtësinë e saj. Ndoshta nuk e di për vdekjen tënde  ose ndoshta e di më mirë se ne. Por unë po të tregoj do të kthehesh. Do ta pimë sërish kafen e mëngjesit herët, në orën 7:30, kur vesa pushon mbi degë e gjethe dhe ajri ka aromën e fillimit. Do të flasim për artin, për dritën, për jetën që nuk mbaron.

Sepse buzëqeshja jote nuk mungon, Riki.

Ajo endet nëpër ajër, prek kujtimet, zgjon mëngjeset.

Dhe sa herë që drita hyn në dhomë, e di

je aty, duke buzëqeshur.