Ballina Ekonomia Si të bëni rivlerësimin e pasurisë? Mund të zgjidhni mes tarifës minimale...

Si të bëni rivlerësimin e pasurisë? Mund të zgjidhni mes tarifës minimale në e-Albania dhe vlerësuesit të certifikuar

69
0

Rivlerësimin e pasurisë qytetarët mund ta bëjnë ose duke i dhënë pronës vlerën reale që ka në treg me një rivlerësues të licencuar.

“Një mundësi është përmes kontraktimit  të një vlerësuesi të pasurisë së paluajtshme, duke synuar t’i japësh pronës vlerën që meriton. Bëhet raporti i rivlerësimit dhe më pas aplikohet në ashk  nëpërmjet e-albania duke depozituar raportin e rivlerësimit, së bashku me licencën e vlerësuesit”, tha Reinaldo Pipiria, Shoqata e Ndërmjetësve të Pasurive të Paluajtshme.

Ose duke pranuar çmimet minimale fiskale që ka vendosur Agjencia Shtetërore e Kadastrës.

“Mënyra e dytë është me çmime minimale fiskale, ku shkon direkte në e-abania, aplikon në ashk dhe ashk në varësi të zonës ku je dhe në varësi të vjetërsisë së pronës të vendos çmimin minimal fiskal. Çmimi minimal fiskal është çmimi i referencës minus 1 përqind amortizim për çdo vit përdorim.”, shtoi Pipiria.

Secila rrugë rivlerësimi ka tarifa të ndryshme. Nëse kërkon që procesin ta bësh me çmimet minimale fiskale në treg, tarifa e shërbimit që duhet paguar llogaritet në varësi të shumës së tatimit që do të rezultojë nga rivlerësimi.

“Në varësi të volumit të tatimit që do të paguhet, fillon me 3.500 lekë tarifa që paguhet në ashk deri në 10 mijë lekë”, deklaroi më tej Pipiria.

Nëse drejtohesh te një rivlerësues i licencuar, tarifat janë të tjera.

“Nëse ndjek rrugën me një vlerësues të pasurisë së paluajtshme, në varësi të kompleksitetit të  pronës, raporti i vlerësimit për apartamente kushton 10-15 mijë lekë, nëse ke zyra shkon 40-50 miujë lekë maksimumi”, tha ai.

Ndryshe nga sa pritej, rivlerësimi do të bëhet me referencat e vjetra në 60 bashkitë e vendit, që janë rishikuar për herë të fundit në vitin 2016. Ndërsa në Tiranë, referencat u rishikuan në vitin 2023.