Ministri i Mbrojtjes së Italisë, Guido Crosetto, ka mbetur i bllokuar në Dubai, pas sulmeve që Irani kreu në Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat erdhën pas sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit në Iran.
Mediat italiane bëjnë të ditur se ai kishte qenë në Emiratet e Bashkuara Arabe që nga dita e djeshme për arsye personale (kishte shkuar të merrte familjen e tij përpara se të kthehej në Itali).
Po ashtu bëhet e ditur se Crosetto kishte planifikuar të kthehej sot, por fluturimi i tij i planifikuar u anulua për shkak të mbylljes së hapësirës ajrore pas sulmeve izraelite dhe amerikane në Iran.
Po ashtu mediat italiane bëjnë të ditur se 200 të rinj italianë janë bllokuar në hotelin e sulmuar nga Irani në Dubai.
Autoritetet e Dubait kanë konfirmuar një incident në një ndërtesë në zonën Palm Jumeirah, ku raportohet se janë plagosur 4 persona. Katër personat e plagosur janë transportuar në spital, për të marrë ndihmë mjekësore.
“Ekipet e reagimit emergjent u dërguan menjëherë dhe vendi është siguruar. Mbrojtja Civile e Dubait ka konfirmuar se zjarri tani është nën kontroll”, tha zyra e shtypit e hotelit në një deklaratë, raporton Al Jazeera.







