Qeveria ka ngarkuar zyrtarisht një sërë institucionesh të pavarura dhe struktura kyçe shtetërore për zbatimin e vendimit më të fundit që i hap rrugë transferimit të pronave të tyre te Korporata e Investimeve Shqiptare, me qëllim zhvillimin e projektit “Për zhvillimin dhe menaxhimin e pronave shtetërore”. Në listën e institucioneve të përfshira janë Instituti i Statistikave, Avokati i Popullit, Autoriteti i Konkurrencës, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil dhe Komisioni i Prokurimit Publik, të gjitha institucione që ndodhen në zona të lakmuara të Tiranës, një pjesë në qendër përballë me KLSH dhe të tjerë në zonën e Ministrisë së Jashtme.
Vendimi parashikon që një pjesë e institucioneve të pavarura të zhvendosen nga godinat aktuale, pasi këto prona shtetërore do të transferohen në pronësi ose në administrim zhvillimi te Korporata e Investimeve Shqiptare. Në vend të tyre do të ndërtohen projekte të reja zhvillimi, përfshirë kulla dhe komplekse multifunksionale, në bashkëpunim me partnerë privatë, përmes një procedure konkurruese ndërkombëtare.
Projekti ndahet në disa nënprojekte strategjike, mes tyre “Korpusi i institucioneve të pavarura”, “Qendra për Zhvillimin Multifunksional Tiranë” dhe “Copëzat”. Sipas skemës së miratuar, modeli i zhvillimit do të bazohet në instrumentin e sipërmarrjes, ku privati ndërton dhe zhvillon pronën, ndërsa shteti përfiton ambiente të reja moderne për institucionet publike. Një pjesë e sipërfaqeve do të mbeten në funksion publik, ndërsa pjesa tjetër do të kalojë në pronësi apo shfrytëzim të partnerit privat, duke i dhënë projektit një karakter tipik partneriteti zhvillimor mbi pronë shtetërore.
Vendimi autorizon Korporatën të hapë procedurë konkurruese për përzgjedhjen e partnerit privat, sipas rregullave në fuqi për mënyrën e përdorimit të pronës shtetërore nga Korporata (qira, enfiteozë, leasing, shitje apo forma të tjera). Koncepti arkitekturor do të dalë nga një konkurs ndërkombëtar, ndërsa Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit do të asistojë në hartimin e termave të referencës dhe kritereve të vlerësimit të projektideve.
Vendimi kërkon garancinë që, përpara çdo prishjeje apo ndërhyrjeje në objektet ekzistuese, duhet të sigurohet vazhdimësia e aktivitetit të institucioneve publike në ambiente të tjera të përkohshme, deri në dorëzimin e godinave të reja. Po ashtu, Korporata autorizohet të kryejë procesin e konsolidimit të pronave në rast të mospërputhjeve mes gjendjes faktike dhe asaj ligjore.
Projekti hap edhe një debat të ri mbi balancën mes interesit publik dhe përfitimit privat në zhvillimin e pronës shtetërore, si dhe mbi mënyrën se si do të garantohet transparenca dhe konkurrenca reale në përzgjedhjen e partnerëve. Me hyrjen në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare, vendimi shënon nisjen formale të një procesi që pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në hartën institucionale dhe urbane të kryeqytetit./ekofin







