Ballina Lifestyle Wondermind nga Selena Gomez përballet me padi rreth 690 mijë euro

Wondermind nga Selena Gomez përballet me padi rreth 690 mijë euro

71
0

Platforma e shëndetit mendor Wondermind, e themeluar në vitin 2021 nga Selena Gomez, nëna e saj Mandy Teefey dhe Daniella Pierson, është përfshirë në një betejë ligjore që mund t’i kushtojë shtrenjtë.

Sipas dokumenteve gjyqësore, kompania dyshohet se i detyrohet 813 mijë dollar (rreth 690 mijë euro) qira të papaguar ish-pronarit të zyrave në New York, Genius Sports Media Inc., në një padi për shkelje kontrate të ngritur në shkurt 2025.

Paditësi ka kërkuar gjykim të përshpejtuar, ndërsa në dokumentet e fundit shpreh shqetësimin se kompania mund të shpallë falimentim përpara se borxhi të shlyhet, shkruan DailyMail.

Sipas tyre, çdo vonesë rrit rrezikun që Wondermind të likuidojë asetet, duke vështirësuar rikuperimin e shumës së pretenduar.

Nga ana tjetër, avokati i Wondermind ka përmendur vështirësi komunikimi me klientin si arsye për zvarritjet dhe ka marrë leje nga gjykata të paraqesë kërkesë për t’u tërhequr nga çështja, edhe pse një hap i tillë ende nuk është zyrtarizuar.

Kompania ka qenë nën presion financiar edhe më herët. Raportime të mëparshme kanë folur për krizë likuiditeti, vonesa pagash dhe shkurtime të stafit.

Wondermind i ka mohuar akuzat për keqmenaxhim dhe pretendimet e tjera që kanë qarkulluar gjatë vitit të fundit.

Pavarësisht polemikave, projekti i fundit i platformës, seriali dokumentar dhe podkasti “Suspicious Minds”, u publikua në fund të vitit 2025 në bashkëpunim me regjisorin Sean King O’Grady, me Gomez dhe Teefey si producente ekzekutive.