Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar në rrjetet sociale pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama në mbrojtje të ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke ngritur akuza të forta për lidhje dhe ndërvarësi politike.
Në reagimin e tij, Këlliçi shprehet se Rama po “ushqen elegjinë” për Ballukun, edhe pse sipas tij ndaj saj rëndojnë akuza të rënda për abuzime me tendera, duke përmendur shifrën 1.1 miliardë euro në 11 procedura.
“Si ka mundësi që ranë të gjitha parimet për përgjegjësi personale dhe mosavokati kur ka probleme me drejtësinë?”, pyet deputeti demokrat, duke e akuzuar Ramën për standard të dyfishtë krahasuar me raste të tjera të ish-zyrtarëve që janë hetuar nga drejtësia.
Ai aludon se qëndrimi i kryeministrit nuk ka asgjë njerëzore apo sentimentale, por është, sipas tij, pasojë e një lidhjeje të fortë politike dhe interesash të përbashkëta.
Sipas Këlliçit, Rama po konfirmon publikisht se është i “kapur” nga Balluku, e cila po hetohet nga SPAK, dhe se kjo ndërvarësi po manifestohet hapur para qytetarëve.
Deputeti i PD-së shkon më tej duke pretenduar se fuqia e Ballukut buron nga përfshirja e vetë kryeministrit në aferat që po hetohen, ndërsa shton se kriza politike dhe institucionale në vend po thellohet.
“Ikja e Ballukut, pa Ramën, vetëm e thellon krizën”, shkruan Këlliçi, duke theksuar se largimi i kryeministrit është, sipas tij, e vetmja rrugë për të dalë nga situata aktuale.







