Harry Kane ka bërë të qartë se synon të thyejë rekordin e golave në një sezon të vetëm në Bundesliga, pas dopietës së realizuar në fitoren 3-2 të Bayern Munichut ndaj Borussia Dortmundit.
I pyetur nëse po synon rekordin e Robert Lewandowskit nga sezoni 2020/21, sulmuesi anglez u përgjigj shkurt: “Sigurisht. Duhet të vazhdoj të bëj atë që po bëj”.
Kane realizoi edhe një penallti tjetër të shtunën, duke barazuar rekordin e Paul Breitner nga sezoni 1980/81 me 10 penallti të shndërruara me sukses në një sezon të Bundesligës.
Në të gjitha garat këtë edicion, 32-vjeçari ka shënuar tashmë 45 gola në vetëm 37 paraqitje për Bayernin, duke regjistruar sezonin më produktiv të karrierës së tij.
“Ka ende shumë ndeshje për t’u luajtur”, tha Kane për garën ndaj rekordit në 10 ndeshjet e mbetura. “Duhet të jem konstant gjatë kësaj periudhe.
Do ta shohim nga fundi i prillit, fillimi i majit, nëse është e mundur. Por tani për tani, unë thjesht duhet të vazhdoj të bëj lojën time”.
Së fundmi, Kane ka kaluar edhe shifrën e 500 golave në karrierë me klub dhe kombëtare.
Sa i përket rekordit aktual, Lewandowski e theu rekordin e legjendës Gerd Muller nga sezoni 1971/72, duke shënuar në minutën e fundit të ndeshjes së fundit në maj 2021. Në të njëjtën fazë të atij sezoni rekord, polaku kishte një gol më shumë se Kane, me 31 gola në 24 ndeshje.
Megjithatë, Kane nuk beson se gara për titull në Bundesliga ka përfunduar, pavarësisht se Bayerni kryeson me 11 pikë më shumë se Dortmundi.
“Kishim epërsi prej 11 pikësh edhe disa javë më parë dhe pamë sa shpejt mund të ndryshojë gjithçka brenda dy rezultateve. Duhet të qëndrojmë të fokusuar”, përfundoi ai.







