Nga Denis Dyrnjaja
Në Shqipëri politika ka ekzistuar gjatë me logjikën e shpëtimtarëve. Në 35 vjet pluralizëm janë prodhuar figura që kanë premtuar kthesë historike apo transformim epokal. Dhe megjithatë, shoqëria vazhdon të mbetet në një tranzicion të zgjatur, ku emocionet politike janë të forta dhe stabiliteti institucional i brishtë. Ndoshta problemi nuk është mungesa e ambicies për ndryshim por modeli i lidershipit.
Shqipërisë nuk i duhet më politikani spektakolar, nuk i duhet lideri që dominon hapësirën publike me retorikë, konflikt të përhershëm dhe dramë të kalkuluar. Por mbi të gjitha, nuk i duhet politikani me emotivitet populist, që ushqen zemërimin kolektiv, që thjeshton problemet komplekse në sloganë të ndezur dhe që e kthen politikën në arenë ndjenjash militanteske.
Emocioni është pjesë e demokracisë, ndërsa populizmi emotiv është deformimi i saj.
Politikani emotiv-populist vetëm propagandon, nuk drejton. Ai polarizon për të mobilizuar, dramatizon për të dominuar dhe personalizon debatin për të shmangur thelbin.
Afatshkurtër prodhon energji elektorale, afatgjatë prodhon lodhje dhe mosbesim. Shqipërisë i duhet një udhëheqës i normalitetit social/politik. Çfarë do të thotë kjo?
Së pari, një politikan që e kupton pushtetin si administrim përgjegjësie, jo si afirmim force. Një lider që ndërton autoritet mbi koherencë dhe rezultate, jo mbi duartrokitje momentale.
Së dyti, një figurë që e sheh shtetin si nocion mbi partitë. Në një vend ku polarizimi është kthyer në kulturë politike, nevojitet dikush që e ul tensionin pa e zbehur konkurrencën demokratike, që fiton pa përjashtuar dhe qeveris pa përçmuar.
Së treti duhet një politikan me etikë personale të pakontestueshme. Në një klimë mosbesimi, morali publik bëhet kapital politik dhe integriteti shndërrohet në themel funksional.
Dhe së fundi nevojitet një politikan që kupton kohën. Shqipëria është pjesë e një Evrope në transformim dhe integrimi në BE nuk është vetëm objektiv politik, por standard kulturor i qeverisjes dhe shoqërisë.
Narrativa e së ardhmes nuk duhet të jetë më kush flet më fort, por kush mendon dhe vepron si duhet, jo kush ndez më shumë emocione, por kush prodhon më shumë besim, sepse Shqipëria nuk ka më nevojë për cikle entuziazmi dhe zhgënjimi të ushqyer nga populizmi emotiv.
Shqipëria ka nevojë për stabilitet inteligjent, për kulturë institucionale dhe për një lidership që e kupton se forca e vërtetë politike nuk është intensiteti i zërit, por qëndrueshmëria e vizionit. Dhe ndoshta pikërisht kjo maturi, në vend të emocioneve të manipuluara do të ishte ndryshimi më i madh që vendi pret.







