Ilir Proda nuk do të jetë më drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Një figurë e shumëpërfolur, e cila për vite me radhë u shfaq në lajme si drejtues me profil të theksuar politik, largohet nga detyra në një moment tensioni të lartë publik dhe institucional.
Në versionin më të butë të leximit, Proda ishte një drejtues i rreshtuar hapur në shërbim të qeverisë. Në versionin më të ashpër, ai mbetet i vetmi kryepolic në këto 30 vite me fije të dukshme dhe të padukshme që e lidhin me segmente të krimit të organizuar.
Që në nisje të detyrës, telefoni i tij u sekuestrua nga SPAK, nën dyshimet për dekonspirim të një operacioni për kapjen e bandave në Elbasan, kohë kur Proda drejtonte policinë në atë qytet. Një akt i pazakontë për një drejtues të nivelit më të lartë të Policisë së Shtetit, që vendosi mbi të një hije të fortë dyshimi, e cila nuk u zhduk kurrë plotësisht.
Ndërkaq, lidhja e tij me të shumëpërfolurin Ergys Agasi nuk mbeti thjesht në territorin e legjendave urbane. Emri i Prodes figuron në dosjen hetimore të SPAK. Dhe pikërisht kjo, sipas shumë burimeve, mund të jetë arsyeja reale e shkarkimit të tij – më shumë sesa protesta e fundit e opozitës.
Ngjarja e goditjes me molotov të një vile ku ndodheshin artistë është pa dyshim çështje sigurie dhe përgjegjësie. Por a nuk ishte çështje sigurie edhe momenti kur mbështetës të Erion Veliajt dhunuan godinën e SPAK, duke shkelur perimetrin e sigurisë, ndërsa kryebashkiaku njihej me masën e arrestit? Atëherë nuk pati alarm publik nga qeveria. Nuk pati tone të forta. Nuk pati reagim me “dorë të hekurt”.
Sot, reagimi është i menjëhershëm dhe drastik.
Shkarkimi i Prodes mund të lexohet si masë disiplinore pas një dështimi sigurie. Por mund të lexohet edhe si lëvizje parandaluese në një moment kur dosjet po afrohen rrezikshëm pranë kupolës së policisë. Nëse emri i tij ndodhet në hetime aktive, atëherë largimi nuk është thjesht rotacion administrativ – është akt mbrojtës për qeverinë dhe distancim i vonuar nga një figurë që për vite mbajti mbi supe jo vetëm uniformën, por edhe dyshimin.
Pyetja që mbetet nuk është pse u shkarkua Ilir Proda.
Pyetja është: Pse tani?/vna







