Deri në momentin që u publikua kjo video në mars të vitit 2015, pak kush kishte dëgjuar për emrin e tij. Por pas publikimit të saj, emri i Durim Bamit do lakohej çdo ditë e më shpesh.
Përgatitja e një atentati ndaj dy deputetëve të asaj kohe, Tom Doshi dhe Mëhill Fufi, ngjante si një skenar filmi. Disa e besuan, por të shumtë ishin ata që e panë më tepër si një teatër. Madje shumë të tjerë nisën të bënin edhe humor, pa e menduar se në atë histori mund të kishte diçka të vërtetë.
Më 3 mars të vitit 2015, Policia njoftoi se kishte arrestuar personin e dyshuar si atentator që ishte paguar për ekzekutimin e deputetëve Tom Doshi e Mëhill Fufi. Ai ishte kapur në Hanin e Hotit, në tentativë për t’u “arratisur” drejt Malit të Zi. I dyshuari ishte Durim Bami, në atë kohë 36 vjeç, nga Nikla e Krujës, pronar i disa pika bastesh në Fushë-Krujë, i cili i kishte shpëtuar një atentati me eksploziv një javë para se të arrestohej. Eksplozivi i vendosur në automjetin tip “BMW X5”, në pronësi të Bamit ishte pikasur përpara se të ndodhte shpërthimi. Një person i rastësishëm kishte parë një sasi të konsiderueshme, prej rreth 400 gramësh tritol të vendosur në gomën e parë të automjetit në krahun e shoferit duke lajmëruar fillimisht Policinë dhe më pas të zotin e makinës. Makina ishte parkuar në fund të pallatit, në lagjen “Grumbullimi” të qytetit të Fushë-Krujës. Menjëherë në vendin e ngjarjes shkuan forca të shumta Policie dhe ekspertë xheniere, të cilat nisën nga puna për çaktivizimin e lëndës plasëse me anë të shpërthimit të kontrolluar. Sipas policisë, lënda plasëse ishte e përllogaritur që të shpërthente menjëherë sapo mjeti të ndizej. Burimet sqaruan në atë kohë se për hetimin e ngjarjes, po verifikohej e kaluara e Durim Bamit, i cili rezultonte person i njohur për Policinë lokale, për shkak të precedentëve të mëparshëm penal, duke filluar nga tentativa e vrasjes, heqja e paligjshme e lirisë, e deri te krijimi i skemave mashtruese, duke qenë se njihej si një person që jepte para me fajde, në Krujë dhe Tiranë. Vetë Bami, i pyetur për ngjarjen, deklaronte se nuk dyshonte tek ndonjë person në veçanti, duke ia lënë në dorë Policisë zbardhjen e ngjarjes.
Në momentin kur u arrestua në Han të Hotit, Policia tha se Bami ishte ndaluar pasi ishte shpallur në kërkim me kartelë të verdhë, si person që mund të kishte dijeni për rrëmbimin e Enver Stafukës, po ashtu edhe për eksplozivin që iu vendos një biznesmeni në Fushë-Krujë. Por përveç këtyre dy rasteve, arsyeja tjetër e ndalimit të tij, ishte pikërisht akuza e ngritur nga deputeti Tom Doshi, për persona që ishin paguar për vrasjen e tij.
Një video – parodi e publikuar pak ditë pas arrestimit të Durim Bamit në vitin 2015 në të gjitha mediat sociale, madje e shpërndarë edhe nga vetë kryeministri Edi Rama, ku një aktor i njohur humori shfaqej si vrasës me pagesë, pati jehonën e vet deri në dyert e Prokurorisë. Duke vazhduar këtë parodi, kreu i Komisionit të Sigurisë të asaj kohe, Spartak Braho, u paraqit në mbrëmje për të dëshmuar para prokurorëve, i shoqëruar edhe nga aktori që imitonte Durim Bamin. Madje u shpreh po me humor si ai, se kishte çuar atje një tjetër të penduar. Braho e kishte marrë me sportivitet pjesën e videos ku “vrasësi me pagesë” pyetej nëse kishte marrë porosi për “Baba Takun”, duke u përgjigjur: “Mos mor burrë… Unë i kam frikë vetë atij, jo më për tjerët”. Dhe me po kaq sportivitet e mori edhe paraqitjen për të dëshmuar para 3 prokurorëve të Krimeve të Rënda. Megjithatë duket se në zyrën e prokurorit Përparim Kulluri, Braho nuk bëri vetëm humor, pasi qëndruar aty afro 1 orë, shumë më tepër se Edi Paloka dhe Petrit Vasili. Duke iu kthyer seriozitetit, edhe pse pa dhënë përgjigje për shkak të sekretit hetimor, në ikje Braho shprehej për mediat se kjo histori kishte sajesa dhe trillime.
Përdoruesit e rrjeteve sociale e komentuan videon e aktorit të humorit, si një ironizim i asaj të publikuar nga Tom Doshi, ku një person pretendon se është paguar nga Ilir Meta për të ekzekutuar dy deputetë të Kuvendit, vetë Doshin dhe deputetin demokrat Mhill Fufi. Ndërsa vetë Doshi premtonte se do i shkonte deri në fund kësaj historie.
Pavarësisht atyre që do nxjerrin Iliri me Spartakun, një gjë ju garantoj, që kjo ngjarje nuk është sajese dhe porositësi është Ilir Meta. Zbardhjen e kësaj çështje do ta bëj unë bashkë me ndihmën tuaj. Jam i vendosur t’i shkoj deri ne fund.
E megjithëse u tentua të kthehej në një parodi e gjithë ajo histori, Tom Doshit dhe Mark Frrokut u kushtoi prangat.
Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë ka ekzekutuar urdhër -ndalimet për shtetasit Tom Doshi, lindur në Shkodër dhe banues në Tiranë, si dhe Mark Frroku, 43 vjeç, lindur në Pukë dhe banues në Tiranë, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë. Urdhër – ndalimet janë lëshuar nga Prokuroria e Përgjithshme e Republikës dhe mbajnë datën 26 mars 2015, për veprat penale “Kallëzim i rremë”, “Deklarata e rreme përpara Prokurorit” dhe “Kanosja për deklarime a dëshmi, ekspertim ose përkthim të rremë”.
E gjithë kjo histori u mbyll në korrik të vitit 2018. Më shumë se tre vjet pasi u akuzua për inskenimin dhe krijimin e provave të rreme për një plan të eliminimit fizik të tij, deputeti Tom Doshi u deklarua i pafajshëm. Këtë fat nuk e patën dy të bashkëpandehurit e tij, Mark Frroku dhe Durim Bami. Ata u fajësuan dhe u dënuan me burg për “kallëzim të rremë”, por asnjëri prej tyre nuk mbeti në burg.
Gjykata dha 8 muaj burg për ish-deputetin Mark Frroku, vendim që u pezullua duke e lënë atë të lirë me kusht dhe po me kaq muaj u dënua edhe Bami, por gjyqtari tha se kjo masë dënimi është më e vogël se koha e qëndrimit të tij në paraburgim dhe vendosi ta konsiderojë dënimin të kryer.
Në pretencën e lexuar në seancat e kaluara prokuroria kërkoi deklarim të fajshëm për të tre të pandehurit. Sipas prokurorisë, plani për vrasjen e Doshit, i kallëzuar në vitin 2015, nuk ka ekzistuar ndonjëherë por është krijuar në mënyrë të rreme nga të pandehurit me qëllim për të ushtruar ndjekje penale ndaj kryetarit të Kuvendit të kohës, Ilir Meta. Vendimi i Gjykatës së Tiranës i dha fund procesit të kthyer në një telenovelë gjyqësore. Nga dërgimi i çështjes në gjyq në dhjetor 2015, dosja bëri ping-pong nëpër të gjitha shkallët e gjyqësorit për të gjetur gjykatën kompetente, derisa në fund u dha një vendim.
Kjo ngjarje, e sajuar apo jo, u mbyll si shumë të tjera. Ndërsa për Durim Bamin historia do të vazhdonte. Madje vazhdon edhe sot. Ata që nuk e besuan në vitin 2015, sot duket se janë të bindur që Durim Bami, në mos i përfshirë vetë në shumë krime, ka dijeni për shumë prej tyre.
Deri mbrëmjen e 26 shkurtit 2026 ai ishte një prej personave më të kërkuar në Shqipëri. Drejtësia e kërkonte për ta arrestuar për dhjetëra krime ku dyshohet të jetë i përfshirë. Nga ana tjetër grupet kriminale e kërkonin për ta eliminuar. Motivi duket se është i njëjtë. Më shumë se për t’u hakmarrë, duket se vrasjen e tij e kërkonin për t’i mbyllur gojën.
Por kush është Durim Bami? Pse konsiderohet si një prej personazheve më të rëndësishëm të botës së krimit?
Ai sot është 46 vjeç. Ndodhej në Dubai, nga ku u bë çdo tentativë për ta ekstraduar, si një mënyrë që të përballet me akuzat e ngritura ndaj tij, pse jo edhe që të bashkëpunojë me drejtësinë. Ai u arrestua atje më 12 qershor 2024, dhe menjëherë nisën procedurat për ta ekstraduar. Autoritetet shqiptare nuk humbën kohë, duke mos dashur të rrezikohej me afatet dhe më 1 korrik dorëzuan dosjen e plotë, me akuzat e ngritura ndaj tij dhe kërkesën për ta kthyer në Shqipëri. Duke qenë se ligjet e Emiratit Arab, parashikojnë që në rrethana të tilla, askush nuk mund të qëndrojë në qeli më shumë se 2 muaj, pasditen e 13 gushtit, u zëvendësua masa e sigurisë, duke e lënë nën mbikëqyrje policore në Dubai. Megjithatë procedurat për ta ekstraduar vijuan, pasi autoritetet shqiptare ishin të vendosura që ta sillnin me çdo kusht në Tiranë. Derisa në dhjetor 2025, iu hap rrugë ekstradimit te tij, pasi humbi gjyqin për qëndrimin si rezident në Dubai. Dhe më 26 shkurt 2026 u realizua edhe ekstradimi në Shqipëri.
Ai aktualisht akuzohet për sigurim të kushteve për vrasje, në formën e grupit të strukturuar kriminal dhe kultivim të bimëve narkotike. Një provë e rëndësishme që SPAK ka në duar, janë edhe bisedat që ai ka zhvilluar në SKY, ku rezulton të jetë posedues i PIN JQJUS9.
Kundërshtarët e tij kërkojnë me çdo kusht që ai të eliminohet, duke e konsideruar si mjaft të fuqishëm në zonën e Niklës. Të paktën kështu rezulton nga një bisedë e zhvilluar në SKY mes Emiljano Shullazit dhe Marklen Hakës, që në fakt është edhe kushëriri i Bamit, por siç del nga bisedat, duket se e shet tek armiqtë.
Shullazi në një komunikim me Hakën, duke cituar Redjan Rrajën, i thotë se ai i bën reklamë Durim Bamit në burg, duke thënë që është më i fuqishmi në zonën e Niklës. Ndërsa theksohet herë pas here se për vrasjen e tij janë ofruar deri në 1 milion euro. Kjo tregon shumë për të. Rëndësinë që ai ka në botën e krimit, por edhe për drejtësinë.
Por historia kriminale e Durim Bamit nis më herët. Shumë kohë para se Tom Doshi të publikonte bisedën me të, teksa tregonte planet për vrasjen.
Në vitin 2006 Durim Bami u dënua për herë të parë për pengmarrje. Gjykata e Krimeve të Rënda e dënoi me 5 vjet heqje lirie. Në vendimin e Gjykatës përshkruhet ngjarja, për të cilën ai është gjykuar dhe dënuar.
Në datën 11 mars 2004, në Fushë-Krujë, Dritan Karaj ka vrarë me armë zjarri kunatin e tij dhe menjëherë është larguar nga vendngjarja. Për këtë vepër penale ai është hetuar e gjykuar në mungesë dhe përfundimisht është deklaruar fajtor e dënuar me vendim të formës së prerë.
Për t’iu shmangur hetimit dhe gjykimit, Dritan Karaj, me ndërmjetësinë e Vali (Vakie) Lulajt, me të cilën kishte lidhje krushqie, është strehuar përkohësisht për një periudhe 3 – 4 mujore tek një i njohuri i saj, i quajtur Edmond Tahiraj, që banonte në qytetin e Vlorës. I pandehuri ka shpresuar se strehuesi i tij do ta ndihmonte atë të largohej jashtë shtetit.
Gjatë periudhës që ka qëndruar i fshehur, në emer të tij ka ardhur nëpërmjet agjencisë “Money Gram”, shuma 8700 euro, e cila është tërhequr nga strehuesi i tij, Edmond Tahiraj. Pas dështimit të tentativave të herë pas hershme për t’u larguar jashtë shtetit, në qershor të vitit 2004, Dritan Karaj ka vendosur të kthehet në banesën e tij në fshatin Nikël të Komunës Fushë – Krujë. Me kërkesën e tij, autori i dyshuar është shoqëruar nga Edmond Tahiraj dhe deri në Vorë ata kanë shkuar me taksi. Në Vorë ata i ka pritur i pandehuri tjetër Durim Bami, në atë kohë 25 vjeç, shok i Dritan Karajt dhe me mjetin e Bamit, janë nisur për në banesën e Dritanit që ndodhej në fshatin Nikël.
Pasi kanë udhëtuar disa minuta, pa mbërritur ende në destinacion, Dritani dhe Durimi, kanë zbritur të dëmtuarin nga makina dhe e kanë keqtrajtuar për disa çaste, duke i kërkuar që nëpërmjet familjarëve të tij t’u jepte 10 mijë euro në këmbim të lirisë, pasi në të kundërt do t’i rrezikohej jeta.
Me pas e kanë hipur të dëmtuarin Edmond Tahiraj përsëri në makinë dhe e kanë dërguar në banesën e shtetasit Fatmir Bami, i afërm i Durim Bamit, duke e lënë vetëm në një dhomë të katit të parë. Pas izolimit, Edmondi ka komunikuar disa herë me telefon celular me dëshmitarin Rexhep Kaleshi, shok i tij kambist, duke i kërkuar sigurimin urgjentisht të 10 mijë eurove, si dhe me bashkëshorten e tij.
Të nesërmen, bashkëshortja e tij, sipas porosisë së të shoqit, 7000 mijë euro që ka mundur të sigurojë, ia ka dorëzuar të pandehurës Vali Lulaj dhe kjo e fundit është nisur në drejtim të fshatit Nikel për t’ua dorëzuar të pandehurve. Pasi janë vënë në dijeni të dorëzimit të shumës, rreth orës 12:00 të pandehurit e kanë lënë të lirë Edmondin, duke e nisur në drejtim të Tiranës, nën shoqërimin e dëshmitarit Nebi Kulla, i afërm i tyre.
Për këtë ngjarje, dy autorët e dyshua Dritan Karaj dhe Durim Bami janë akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Rrëmbimit dhe mbajtjes peng të personit”, në bashkëpunim, ndërsa e dyshuara Vali Lulaj është akuzuar për “Përkrahje të autorit të krimit”.
Shkalla e Parë, më datë 24 maj 2006 i ka deklaruar fajtorë të pandehurit, Dritan Karaj dhe Durim Bami, duke i dënuar respektivisht me 7 e 5 vjet burgim, ndërsa me 2 vjet burg Vali Lulajn. Ndërsa Apeli, me vendimin e datës 10 tetor 2006 i ka dënuar me 13 vjer burg Dritan Karajn dhe 11 vjet burg Durim Bamin. Kundër vendimit të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda kanë paraqitur rekurs të gjithë të pandehurit, duke parashtruar se Apeli e ka cilësuar gabim veprën penale si rrëmbim personi. Pretendimet janë çmuar si të bazuara nga Gjykata e Lartë.
Në arsyetimin e Gjykatës së Lartë, thuhet se nga provat e shqyrtuara, është provuar se dëshmitari Edmond Tahiraj e kishte marrë përsipër vetë ta dërgonte Dritan Karajn jashtë shtetit. Me të drejtë Gjykata e Shkallës së Parë ka krijuar bindjen se në veprimet që kane kryer të dy të dyshuarit, kanë pasur një qellim të vetëm, të realizojnë një të drejtë që i ishte mohuar padrejtësisht Dritan Karajt, nga ana e Edmond Tahirajt. Megjithëse rruga e ndjekur ishte e paligjshme, pasi ai mund ta realizonte duke iu drejtuar me kërkesë Gjykatës, pa kaluar në vetëgjyqësi.
Deri në fund të vitit 2014, grupet e Fushë-Krujës, që Policia i konsideronte si një bandë kompakte në atë kohë, nuk kishin problematika mes njëri-tjetrit. Bëhej fjalë për grupime personash mjaft problematikë, që vepronin në fshatrat Nikël e Larushkë, që gjenden në dy krahët e rrugës nacionale që lidh Tiranën me Fushë-Krujën, Laçin e Lezhën. Fshatra që janë vetëm 3.8 kilometër larg e përshkohen në makinë për 10 minuta. Ata bashkëvepronin edhe me grupe të tjera nga Tirana, Durrësi, Laçi, Lezha, madje edhe më tej, kryesisht për sigurimin e mjeteve për kryerjen e krimeve të rënda. Madje në disa raste policia i kishte pasur të dyshuar edhe si pjesëmarrës e autorë në disa ngjarje të rënda. Megjithatë asnjëherë nuk kishte pasur prova të mjaftueshme për t’i lënë pas hekurave.
Mëngjesin e 26 qershorit të vitit 2014, Artan Santo, drejtori i Bankës “Credins” dhe aksioner në dy televizione u qëllua me plumb në kokë. Dy autorët arritën të shmangin Policinë. Ende pa hedhur dy hapa drejt bankës që ai vetë themeloi, 58-vjeçari ka rënë pre e një atentati të mirëorganizuar ndaj tij. Dy persona me motor dhe me skafandra në kokë qëlluan me pistoletë biznesmenin e njohur. Sipërmarrësi 58-vjeçar, i njohur në fushën e bankave, u qëllua me tre plumba duke gjetur vdekjen e menjëhershme.
Ngjarja ndodhi rreth orës 09:15 në kryqëzimin e zonës së ish-Bllokut në Tiranë, ku ndodhen zyrat qendrore të Bankës Credins e drejtuar deri atë ditë nga Artan Santo. Atë mëngjes ai kishte dalë nga shtëpia e tij në një godinë banimi pas Televizionit Publik Shqiptar rreth orës 08:50, ku e prisnin dhe atentatorët. Ata e kanë ndjekur gjatë gjithë rrugës dhe kanë zgjedhur ta kryejnë vrasjen pikërisht aty, para bankës në ish-Bllok.
Një vit pas vrasjes së tij, doli për herë të parë në publik emri i të dyshuarit kryesor si ekzekutor i tij. Ai ishte Durim Bami, person që ishte arrestuar pas deklaratave publike të Tom Doshit, se ishte porositur për ta vrarë edhe atë. Emri i Durim Bamit si i dyshuari i vrasjes së Santos u përmend nga ministri i Brendshëm i asaj kohe, Saimir Tahiri, gjatë dëshmisë që dha para prokurorëve të Krimeve të Rënda, për çështjen “Doshi”. Tahiri deklaronte se para takimit me Durim Bamin, me kërkesë të Tom Doshit, kishte mbledhur informacione nga zyrtarë të policisë për 36 –vjeçarin nga Nikla.
Nga informacionet e marra para këtij takimi, Tahiri deklaronte se kishte të dhëna se mund të ishte i përfshirë në vrasjen e Artan Santos dhe një seri ngjarjesh të tjera kriminale. Gjatë dëshmisë së tij, ministri është shprehur disa herë për dyshimet se historia e planit për të eliminuar Tom Doshin, ishte e sajuar për të mbuluar vrasjen e bankierit Artan Santo, ose atë të kryekomisar Dritan Lamajt, për të cilin është dënuar me burg përjetë, Arben Frroku.
E megjithëse konsiderohej nga grupi hetimor si i dyshuari kryesor për vrasjen e Santos, Durim Bami nuk ishte proceduar asnjëherë për këtë krim. Megjithatë, pas kësaj ngjarjeje, edhe për shumë krime të tjera të kësaj natyre, të gjitha rrugët e çonin Policinë drejt Fushë-Krujës dhe zonave përreth. Për ngjarje që ndodhin aty por edhe për ngjarje, provat e të cilave fshihen po aty. Duket se herë pas here rrugët e krimeve të rënda që ndodhin në çdo skaj të Shqipërisë kryqëzohen atje. E në fakt ashtu rezulton edhe nga bisedat e SKY që u zbërthyen nga SPAK, që zbuloi edhe aleancat e krimit. Atje digjen makina e armë të përdorura në vrasje. E herë pas here atje rekrutohen të rinj nga grupe kriminale, për të realizuar vjedhje, për të gjetur armë e madje edhe për të vrarë. Ndodh që shumë ngjarje atje mbeten pa autor. Të paktën pa autor të provuar, pasi në fakt janë të njëjtët eksponentë, emrat e të cilëve dalin në skenë pas çdo ngjarjeje kriminale. Shoqërohen e lirohen për mungesë provash. Ashtu sikurse edhe Durim Bami. Por banorët e këtyre zonave zgjedhin t’i zgjidhin vetë hallet e tyre. Ndër vite ata kanë preferuar vetëgjyqësinë. Policia i viziton shpesh, por po aq shpesh kthehet mbrapsht ashtu siç ka shkuar. Banorët e fshatrave përreth Fushë-Krujës janë stërvitur ndër vite që problemet t’i zgjidhin pa shtet, por mes njëri-tjetrit. Dhe rezultatet flasin vetë. Atentate që herë dështojnë e që herë pas here vrasin të pafajshëm. Ashtu siç u vra gabimisht halla e Marklen Hakës në Nikël, edhe më 4 korrik 2023 u vra kunati i Gentjan Bejtjas, në Larushkë e u plagosën djemtë e tij të mitur 13 e 10 vjeç.
Policia për shumë kohë numëronte gëzhojat e makinat që digjeshin. Shoqëronte të njëjtët personazhe gjithmonë, që përfundonin sërish duke u lënë të lirë. E rezultati ishte po i njëjtë. Hesape të vjetra që mbyllen e varre të reja që hapen. Madje në ndonjë rast, dikush edhe pse mendohet i vdekur, as varr nuk ka…
Ndërsa sot duket se gjërat kanë ndryshuar. Bisedat e zhvilluara në SKY bënë që SPAK tashmë të ketë emra konkret autorësh që kanë porositur vrasje, që kanë kryer krime e që kanë bashkëpunuar për të zhdukur provat, madje edhe kufomat.
Ekspozimi më i madh i grupeve të Fushë-Krujës ishte në vitin 2013, atëherë kur u arrestuan Enver Stafuka dhe Gentian Bejtja, në lidhje me atentatin ku mbeti i vrarë kryekomisari Dritan Lamaj. Bejtja qëndroi pak kohë në qeli dhe u hetua në gjendje të lirë e pas një kohë pak më të gjatë në burg, u lirua edhe Stafuka.
Por pas këtij momenti gjërat nisën të ndryshojnë. Ndërsa shkëputja përfundimtare ndodhi pas një atentati që ndodhi më 5 janar të vitit 2015, kur u qëllua ndaj Emiljano Shullzit e Gilmando Danit. Një muaj më vonë u rrëmbye dhe rezulton i zhdukur sot e kësaj ditë, miku i Bejtjas, Enver Stafuka. Pas kësaj ngjarje grupet e Fushë-Krujës u përçanë përfundimisht e atentatet në dy krahët e rrugës nacionale, mes Niklës e Larushkës nuk do të mungonin. Historia më vonë do të tregonte se në fakt gjithçka ishte pasojë e ngjarjeve ku vetë ata ishin përfshirë, në mos drejtpërdrejt, në forma të tjera që i bënin po aq përgjegjës. Aq sa nisën të përfshihen edhe në aleanca të fuqishme me grupet më të mëdha kriminale në vend. E duket se gjithçka sillej rreth Durim Bamit. Pa çka se nuk u arrit të provohej asnjëherë ligjërisht, ai u përfol për disa nga krimet më të rënda që ndodhën vitet e fundit.
Rreth orës 20:22, të datës 5 janar 2015, në sallën operative të Policisë së Tiranës ka telefonuar një qytetar, i cili deklaronte se tek mbikalimi i Rinasit, sa kalon lokalin e Hasan Hakës, ka të shtëna me automatik. Policia dërgoi në vendngjarje specialistin e zonës dhe nga verifikimi, rezultoi të ishte qëlluar në drejtim të mjetit tip ‘Golf’, me targa AA 629 HR, por polici nuk kishte konstatuar persona të dëmtuar.
Më pas, në një komunikim të dytë, u njoftua se drejt Spitalin Ushtarak, po transportoheshin të plagosur me armë zjarri, shtetasit Emiljano Shullazi dhe Gilmando Dani, që ndodheshin në makinën që kishte dalë jashtë rruge.
Si pasojë e të shtënave me armë zjarri, ka mbetur i plagosur shtetasi Emiljano Shullazi, 36 vjeç dhe Gilmando Dani, 36 vjeç, të cilët ndodhen nën kujdesin e mjekëve. Në vendin e ngjarjes, u formua grupi hetimor të cilët kryen veprimet e para, duke mbledhur dhe administruar provat në vendngjarje dhe sekuestruar disa gëzhoja.
Grupi hetimor nisi procedim penal për zbardhjen e ngjarjes e kapjen e autorëve. Ngjarja kishte ndodhur në fshatin Bërxullë, në rrugën “Nënë Tereza”, në afërsi të mbikalimit të Rinasit dhe u klasifikua si tentativë vrasje. Ishte qëlluar me armë ndaj Emiljano Shullazit dhe Gilmando Danit, kur ata po ktheheshin nga Fushë – Kruja, duke udhëtuar në drejtim të Tiranës me automjetin e tyre tip “Golf 4”, ngjyrë gri. Pak metra para se të mbërrinin tek Qafa e Kasharit, një makinë tjetër u kishte zënë pritë. Nga kjo makinë është qëlluar me breshëri dhe të dy miqtë, Shullazi e Dani, mbetën të plagosur.
Për pasojë, automjeti ku ndodhej Shullazi, ka humbur drejtimin, duke përfunduar jashtë rrugës kryesore dhe ka rënë në një arë në anë të saj, nga krahu i fshatit Domje. Duke përfituar nga ky moment, autorët kanë arritur të largohen me shpejtësi dhe ende nuk u arrit të identifikoheshin.
Dy të plagosurit u pyetën në Spitalin Ushtarak, por thanë se nuk kishin parë asgjë dhe nuk kishin njohur askënd. Megjithatë Policia pati disa të dyshuar e të shoqëruar, ndonëse ngjarja nuk u arrit të dokumentohej asnjëherë. Pati dyshime se personi që qëlloi ishte Enver Stafuka, ndërsa në drejtim të makinës ishte Gentian Bejtja. Por asgjë nuk u provua dhe dosja mbeti pa autor. Ndërsa vetë Emiljano Shullazi duket se kishte identifikuar si organizator të kësaj ngjarje Durim Bamin.
Lidhur me këtë, ai do të bënte çmos që të krijonte aleanca për ekzekutimin e tij. Për 5 vite disa atentate kanë dështuar, por Policia përveç dyshimeve nuk ka pasur asnjëherë prova konkrete, derisa EUROPL dhe Eurojust i sollën SPAK-ut fashikuj të tërë bisedash të zhvilluara në SKY që hodhën dritë për dhjetëra krime.
Siç rezulton në dosjen e Prokurorisë, në janar të vitit 2020 zhvillohet një bisedë në SKY mes Marklen Hakës dhe Emiljano Shullazit, që edhe pse ndodhet në burg, përdor një celular, madje ka edhe SKY. Markleni e informon Emiljanon për lëvizjet e Durim Bamit me një makinë të blinduar “Range Rover”.
Emiljano Shullazi: Kape… mos ja zgjat, se jam këtu dhe robt që janë jashtë, me fol kuptohet dhe e kanë pak problem me ardhë në Nikël dhe me mbaru punë. Po të jem vetë e mbaroj aty te dera e shtëpisë. Ky legeni që është këtu në burg, Rraja (Redjan Rraja), thotë që Duri është më i fuqishmi aty. I bën Reklamë.
Ai Duri i ka çuar haber atij Nokës (Arben Ndokës) që të nxjerr kë të duash përveç Valterit dhe më jep garanci që e mbyllim bashkë.
Si t’ja bëjmë me e kap k… me e rrjep me e torturu, ishalla ta mbysin fort. Se tani s’ka blind që e ruan.
Ndërsa në muajin mars të vitit 2020, Emiljano Shullazi komunikon me Arben Ndokën, duke i dhënë informacione për lëvizjet e Durim Bamit, por pa i thënë që këto informacione i merrte nga Marklen Haka.
Emiljano Shullazi: Po më thotë tani që rri aty te Oxhaku shumë dhe del edhe pa blind te lokal “A…” dhe me shumë se 20 minuta nuk rri. Rri me çunin e xhajës së vet, atë Koçin (Gentian Koçi) dhe Ervin Kodrën nga Tapiza. Është fol me nja dy veta dhe ishalla e bëjnë (e vrasin). Don terezi ai m… se del një ditë dhe rri gjithë javën pa dalë. Shohim mos po i vjen ora. Unë jam tek cili variant të dali më para, vetëm të iki. Se do dalin të gjitha pastaj, kush ka dhënë e kush ka gjuajtur. I flet Valteri të gjitha pastaj sa t’i thuash e ke radhën ti.
Bisedat vijojnë edhe me persona të tjerë që kanë bashkëpunuar me qëllim vrasjen e Durim Bamit, por në asnjë rast nuk arrijnë ta realizojnë. Në një moment, në gusht të vitit 2020, Arben Ndoka bisedon me Ervis Martinaj, për faktin që Shullazin e kishin izoluar në regjimin e posaçëm “41 Bis”.
Ervis Martinaj: Milin e qitën jashtë loje, s’na mbaron punë dot më. Kush ja boni sipas teje? E çun te bizi 1 vit. S’i ke pa lajmet?
Arben Ndoka: Unë fola me Gentin (Gentian Bejtja). Na duhet një makinë. Shiko nëse mundesh sa më shpejt më mir.
Ervis Martinaj: Po katërfenerëshin tënd që ma ke dhan mu, ku do me ta sjellë? Po kam edhe Audi. Po presim ca ditë për atë. Fshihen ca kamera të qytetit që janë marrë, kamerat e bashkisë. Po çove ata njerëzit e tu thua? Kshu bëhet. Ndryshe ata s’kanë by…. Mllef të madh kanë ata, kjo ka rëndësi.
Nga çfarë rezulton gjatë hetimeve të SPAK, Arben Ndoka është i angazhuar për të vrarë Durim Bamin, pasi dyshon se është autori kryesor dhe organizator i vrasjes së vëllait të tij, Aleksandër Ndoka, në vitin 2017. Gjatë komunikimeve në SKY me persona të tjerë, Ndoka shprehet se është i interesuar që t’i vrasë vëllezërit Durim e Valter Bami, por edhe kushdo që të jetë në prezencën e tyre. Për këtë qëllim ai bashkëpunon me familjarë dhe miq.
Një ndër ta është edhe Arian Tuku, bashkëshorti i vajzës së tij, i cili e mbështet duke i krijuar kontakte me persona të tjerë që të kryejë vrasjen, e ndihmon ekonomikisht dhe me informacione për ta lokalizuar Durim Bamin. Nga ana tjetër, Tuku është i gatshëm që të transferojë para nga llogaria e tij bankare në Itali drejt një banke në Shqipëri që t’i përdorin për këtë qëllim. Ndoka bashkëpunon gjithashtu edhe me nipin, Samuelin, i cili është djali i vëllait të vrarë. Me porosi të xhaxhait të tij, Samuel Ndoka mban kontakte me Gentian Bejten dhe Naim Stafukën, të cilët i kanë treguar vendet që frekuenton Durim Bami, automjetet që përdor dhe oraret kur lëviz. Samueli po ashtu mban kontakte edhe me Aldo Avdylin dhe Arben Mërkurin, persona të kontraktuar për të kryer vrasjen.
Bashkëpunimin kryesor për realizimin e vrasjes së Durim Bamit, Arben Ndoka e ka me Ervis Martinajn, që ka financuar për këtë qëllim, ka kontraktuar persona që të angazhohen në vrasje, si dhe ka siguruar automjete për vëzhgimin. Gjithashtu, Ndoka lidh aleancë edhe me Astrit Avdylin, me qëllim vrasjen e Durim Bamit dhe marrjen peng të vëllait të tij, Valter Bami.
Në një nga episodet ku tentohet eliminimi i Durim Bamit, kur ai ndodhet në plazh në Ksamil, në gusht të vitit 2020, bien në sy veprimet aktive të Gentian Bejtjas, i cili u vra më 15 mars 2024 dhe si të dyshuar për ngjarjen Policia e Tiranës pati vëllezërit Bami, të cilët rezultuan se ndodheshin në Dubai. Bejtja shfaqet duke komunikuar me kunatin e tij, i cili ndodhet në plazh me Bamin dhe nga ai merr informacionet që më pas ia transmeton Arben Ndokës. Nga bisedat që bëhen mes tyre, rezulton se bëhet fjalë për Ramazan Sinon, i cili mbeti i vrarë në një tjetër atentat para shtëpisë së Gentian Bejtjas, më 4 korrik 2023, kur ndodhej në makinë bashkë me dy djemtë e Gentianit.
Pas disa tentativave e ndjekjeve për ta vrarë, por pa arritur t’i afrohen, më 4 nëntor 2020, ndodh atentati më serioz i kryer ndaj Durim Bamit. Jo në lokalin ku kishte informuar Bejtja, por në makinë, tek Ura e Tapizës. Është qëlluar me armë zjarri nga një automjet “Golf” ngjyrë gri në drejtim të Durim Bamit, i cili drejtonte makinën “Range Rover”, të zezë, me targa italiane. Ai ka qenë duke udhëtuar nga Ura e Tapizës në drejtim të Fushë-Krujës dhe pasagjer ka qenë djali i hallës së tij, Ervin Kodra, i cili mbeti i plagosur. Nga hetimet e kryera, rezulton se personat që kanë pasur rolin e ekzekutorit në këtë ngjarje, kanë qenë Hektor Xheçuka dhe Florenc Kelmendi. Ndërsa Albert Zaja e ka vëzhguar atë nga Kamza në Tapizë. Në Fushë-Krujë e ka vëzhguar Marklen Haka. Këtë ngjarje, sipas SPAK e ka porositur dhe financuar Ervis Martinaj, që ka kontraktuar Xheçukën dhe Zajën.
Megjithatë, edhe pas angazhimit e ndjekjes së tij nga Veriu në Jug, vrasja e Durim Bamit nuk u arrit të realizohej, ndonëse ishin angazhuar 15 persona.
Në dosjen e SPAK, ku zbërthehen aleancat e krimit, mes të akuzuarve është edhe Naim Stafuka. Hetimet dhe bisedat në SKY, e rendisin vëllain e Enver Stafukës në aleancën që kërkonte domosdoshmërisht vrasjen e Durim Bamit. Si disa prej tyre edhe Naim Stafuka e kishte një motiv të fortë për ta eliminuar.
Në orën 19:46 të mbrëmjes së datës 9 shkurt 2015, persona të veshur si policë e të maskuar, rrëmbyen në qendër të Fushë-Krujës, Enver Stafukën. Ai kishte qenë i hetuar si personi që vodhi makinën ‘BMW’ nga ku u qëllua për vdekje komisari Dritan Lamaj. Teksa po pinte një kafe në lokalin që ndodhet pranë shtëpisë së vëllait të tij, Stafuka doli për të hipur në makinë, dhe në këtë moment, ai u mor forcërisht. Dëshmitarët kanë treguar se Enver Stafuka ka qenë në kafe dhe aty kanë shkuar edhe Durim Bami, Gentjan Bejtja e Ramazan Rraja. Ata kanë qëndruar aty për afro 20-30 minuta dhe janë larguar pak para se të rrëmbehej Stafuka. Ai ka dalë pasi dikush e ka marrë në telefon. Sipas dëshmitarëve ky person i ka kërkuar që ta takojë dhe ndodhej në Kameras të Krujës.
Policia e Durrësit, u kujdes që kërkimet dhe hetimet të mbaheshin në sekret të plotë. Ndërsa as sot pas 10 vitesh nga zhdukja e tij, askush nuk di të thotë se kush e mori dhe cili ishte fati i Enver Stafukës.
Babai i 4 fëmijëve u arrestua mbrëmjen e 27 majit të vitit 2013 në qytetin e Fushë-Krujës, si bashkëpunëtor i dyshuar në vjedhjen e automjetit BMW, nga i cili u ekzekutua mbrëmjen e 24 shkurtit të atij viti, kryekomisari Dritan Lamaj. Por Gjykata e Shkallës së Parë në Durrës e liroi si të pafajshëm më 13 nëntor të vitit 2013. Për vrasjen e Lamajt, u arrestua në Selanik biznesmeni, Arben Frroku, i cili i më pas u dënua drejtësisë shqiptare. Prokuroria provoi se Frroku njihej me Stafukën dhe ditën kur u vra Dritan Lamaj të dy kishin komunikuar me njëri-tjetrin.
Familja e Enver Stafukës vazhdimisht e ka drejtuar gishtin nga Durim Bami, por asgjë nuk është provuar deri më sot.
E njëjta gjë ndodhi më vonë edhe me Marklen Hakën, që në fakt ishte edhe kushëriri i Durim Bamit, por edhe me Gentian Bejtjan që pas 3 atentateve të dështuara, në të katërtin u ekzekutua.
Në atententatin e 4 korrikut 2023, kur u vra kunati i Gentian Bejtjas, u shoqëruan dy vëllezërit, Durim dhe Valter Bamin, si dhe Marklen Haka, emra që në fakt janë të parët që Policia liston për t’i pyetur sa herë që ka ngjarje në, kryesisht në hapësirën mes fshatin Nikël e Larushkë. Megjithatë, siç ka ndodhur edhe më parë, disa orë pas shoqërimit ata u lanë të lirë.
Por 24 orë në vonë, Policia arrestoi Valter Bamin. Pas aktit të ekspertimit kimik për faktorë plotësues, rezultoi se ai kishte qëlluar me armë zjarri. Në dorën e majtë të tij, ekspertiza konstatoi gjurmë baruti, çka fakton se ka kryer qitje me armë zjarri. Disa orë pas urdhrit të lëshua nga Prokuroria e Tiranës më 6 korrik, rreth orës 20:30, në fshatin Greps, të Niklës, është lokalizuar, kapur dhe shoqëruar në ambientet e Policisë së Tiranë Valter Bami.
Por mungesa e lirisë për Valter Bamin zgjati vetëm disa muaj. Në janar të vitit 2024 ai u la i lirë, pasi Gjykata e Tiranës ndryshoi masën e sigurisë, duke e lënë në “arrest shtëpie”.
Po ashtu edhe për ngjarjen e 15 marsit 2024, kur Gentian Bejtja u ekzekutua para shtëpisë së tij, Policia sërish kishte si të dyshuar vëllezërit Bami, por nuk mundi as t’i shoqërojë për t’i marrë në pyetje. Kësaj here ata ishin në Dubai.
ALEANCAT PER TE VRARE KUNDERSHTARET
Pasi i shpëtoi një atentati në afërsi të Urës së Tapizës, Durim Bami nisi të interesohej së kush e kishte organizuar sulmin ndaj tij dhe arriti ta zbulonte. Në këtë formë ai vendos të hakmerret, por nga ana tjetër edhe të parandalojë një sulm tjetër të mundshëm ndaj tij. Kjo edhe për arsye se kishte mësuar për një aleancë mes Arben Ndokës dhe Ervis Martinajt.
Grupet kriminale që drejtohen nga Durim Bami dhe Leonard Duka janë bërë bashkë për të realizuar vrasje. Në dosjen e SPAK, janë disa episode planesh për organizim vrasjesh, ku njëri prej tyre, është sigurimi i kushteve për të vrarë Arben Ndokën. Një tjetër është për të vrarë Ervis Martinajn.
Në episdonin e sigurimit të kushteve për të vrarë vrasjen e Arben Ndokës, rezulton të jenë angazhuar të paktën 4 persona: Durim Bami në rolin e organizatorit, Endrit Dokle në rolin e personit që siguronte informacione për vendodhjen e tij, Xhelal Rraja në rolin e organizimit të personave që do të kryenin vrasjen e Ndokës dhe Marklen Haka në rolin e siguruesit të vrasësve, të ruajtjes dhe ndjekies së Arben Ndokës.
Durim Bami komunikon në SKY me Endrit Doklen në lidhje me mundësinë e vrasjes së Arben Ndokës. Endriti i tregon Durimit se Ndoka ka mundësi që të shkojë për kafe dhe qokë në rrugën e Elbasanit, tek pallati i kuq, pasi kishte vdekur një gjyqtar nga Lezha. Në një tjetër episod, pasi ka kërkuar informacione lidhur me automjetin nga ku e kishin qëlluar në atentatin e vitit 2020, Durim Bami nis bashkëpunimin për identifikimin e personave tjerë që kishin marrë pjesë. Dy prej tyre ishte Erigers Mihasi, një prej njerëzve më të afërt të Ervis Martinajt dhe Hektor Xheçuka. Ajo çfarë del në dosjen e SPAK është roli i dyfishtë i Marklen Hakës. Ndonëse fillimisht akuzohet si një prej pjesëmarrësve në atentatin ndaj Durim Bamit në vitin 2020, më vonë shihet duke bashkëpunuar me të.
Nga hetimet dhe analizimi i bisedave të zhvilluara në SKY, rezulton se Durim Bami është informuar në vazhdimësi, për një mundësi për të vrarë Arben Ndokën më 28 janar 2021. Ndërsa e orientonte që për të gjitha veprimet të lidhej me Marklen Hakën dhe Xhelal Rrajën, që sipas hetimeve rezulton që kishin organizuar dhe planifikuar të gjitha kushtet me qëllim vrasjen e Ndokës. Ndonëse dikur i përkisnin të njëjtit krah politik, duket se dy ish-deputetet e Partisë Socialiste, Arben Ndoka dhe Rrahman Rraja, i cili është vëllai i Xhelal Rrajës, në jetë kanë qenë kundër njëri-tjetrit. Durim Bami del që komunikon me Xhelal Rrajën për gjetjen e vrasësve. Kanë koordinuar të gjitha veprimet, derisa më vonë, në një tjetër komunikim me Endrit Doklen, kanë pritur dhe për pak dhe janë larguar, duke qenë se vizita e Arben Ndokës në adresën e dhënë nuk u realizua për arsye që nuk vareshin nga ata.
Gjatë komunikimeve në SKY, në janar të vitit 2021, zbulohet edhe një miqësi e Durim Bamit me ish-efektivin e RENEA-s, Altin Morina, i cili shprehet i shqetësuar për të pas një aksioni që kishin zhvilluar forcat speciale.
Altin Morina: Të kam shkruar 100 herë se u bëra merak natën që erdhi RENEA. Më lajmëruan çunat e RENEA-s, më thanë po shkojmë te ai shoku yt, Durim Bami. Shkova të takoja kushëririn që ka lokalin te Oxhaku, po nuk e gjeta.
E duket se historia 10-vjeçare e Durim Bamit, të paktën që kur u ekspozua për herë të parë, ka qenë e ndërthurur mes planeve për të vrarë e planeve për ta vrarë. Plane që kanë dështuar ndoshta jo krejt rastësisht. Hetimet e SPAK treguan se Durim Bami kishte lidhjet e duhura në radhët e krimit, por kryesisht në radhët e Policisë. Ai merrte informacionet e duhura nga ata që supozohej të ishin shërbëtorë të qytetarëve, por që në fakt ishin kthyer në shërbëtorë të tij.
Në këtë formë ai i kishte shpëtuar edhe plumbave edhe prangave. Të paktën deri sot. Tashmë ai u ekstradua nga Dubai. SPAK, Interpol dhe Ministria e Drejtësisë bënë gjithçka që ta ekstradonin drejt vendit tonë. Më në fund ia dolën, falë edhe vendimit të gjykatës atje, që i hapi rruge ekstradimit, duke mos e pranuar kërkesën e tij që të qëndronte atje si rezident.
Durim Bami, i shoqëruar nga oficerë të Interpol Tiranës dhe efektivë të RENEA-s, u mor në dorëzim në Abu Dabi dhe mbërriti në Rinas përmes një tranziti në Stamboll më 26 shkurt 2026, në orën 19:40. Policia e Shtetit dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, kishin marrë të gjitha masat për të siguruar transferimin e tij nga Aeroporti drejt paraburgimit 313, ku ai u izolua mbrëmjen e 26 shkurtit. Kjo tregon edhe një herë rëndësinë e këtij personazhi të botës së krimit, qoftë për drejtësinë, qoftë edhe për rrezikimin e vetë jetës së tij.
Shqetësim që e ka ngritur edhe avokati i tij, Ilir Murati, i cili përmes një shkresë drejtuar, Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, Ministrisë së Drejtësisë dhe Prokurorisë së Posaçme, kërkon transferimin e Durim Bamit nga paraburgimi 313, pasi sipas tij dhe vetë Bamit, në këtë institucion i rrezikohet jeta.
Shtetasi Durim Bami, më datë 26.02.2026 ka mbërritur në Republikën e Shqipërisë nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve Tiranë, është dërguar pranë IEVP 313, Rruga “Jordan Misja” Tiranë. Ky shtetas akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për kryerjen e veprave penale të “Sigurimit të kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”. Ndërkohë, në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka filluar dhe po gjykohet çështja penale në ngarkim të grupeve të strukturuara kriminale siç janë grupi “Martinaj”, “Avdylaj”, “Bajri” etj., ku të pandehur janë rreth 16 persona, të cilët së bashku (sipas Prokurorisë së Posaçme) kërkonin eliminimin fizik të shtetasit Durim Bami. Në këtë proces, i pandehuri Durim Bami është në cilësinë e viktimës së veprës. Në institucionin ku ai ndodhet aktualisht i akomoduar në IEVP 313, si dhe në IEVP 302, Rruga “Mine Peza” Tiranë, në IEVP Peqin dhe IEVP Reç Shkodër etj, ndodhen persona, të cilët në të kaluarën kanë siguruar kushte për vrasjen e tij, fakt i njohur botërisht edhe nga media dhe dokumentuar në procedimet penale përkatëse. Në cilësinë e mbrojtësit të shtetasit Durim Bami, aktualisht i paraburgosur në IEVP 313 pas ekstradimit të tij, u paraqes këtë kërkesë për transferimin e tij të menjëhershëm në një tjetër institucion paraburgimi. Prania e tyre në të njëjtin ambient krijon një rrezik real, serioz dhe aktual për jetën dhe integritetin fizik të tij.
Në kërkesën e tij, avokati shprehet se gjatë një takimi që ka pasur në paraburgim me Durim Bamin, një ditë pas ekstradimit, ai ishte në gjendje jo të mirë shëndetësore dhe po mbahej në kushte jo të mirë. Gjithashtu, sipas tij, Bami ishte në stres të vazhdueshëm për shkak të pranisë në këtë institucion paraburgimi edhe të disa të arrestuarve me akuza për vrasjen e mbetur në tentativë ndaj tij dhe grup të strukturuar kriminal. Në fakt në të njëjtin paraburgim, mbahet i izoluar prej disa vitesh, Emiljano Shullazi, që në dosjen e SPAK konsiderohet si një ndër personat që ka kërkuar eliminimin e Durim Bamit. Për këtë arsye, avokati kërkon transferimin e menjëhershëm të Bamit në një institucion tjetër, ku nuk ndodhen persona që paraqesin rrezik për jetën e tij dhe aktualisht institucioni më i përshtatshëm ku nuk ka persona në konflikt me të është IEVP Fushë – Krujë, duke qenë se është edhe afër vendbanimit të tij.
Dy ditë pas ekstradimit nga Dubai, Durim Bami doli para Gjykatës së Posaçme, ku iu komunikua masa e arrestit e dhënë në mungesë, për akuzat e ngritura nga SPAK.
Ai tashmë është në duart e drejtësisë shqiptare.
Nëse Durim Bami do vazhdojë t’i qëndrojë “betimit” të eksponentëve të Fushë-Krujës për të heshtur apo do ta shkelë për të bashkëpunuar me drejtësinë, kjo mbetet për t’u parë. Por ajo çfarë dihet me siguri është fakti se Durim Bami vlen shumë dhe duket se ai do të ketë vetë në dorë fatin e tij, pa besuar më tek rastësia, tek lidhjet që ai kishte dikur me krimin apo edhe me vetë Policinë.
Historia e Durim Bamit është një luftë mes atyre që donin ta vrisnin dhe atij që dinte shumë për të gjithë.
Tashmë në duart e SPAK, pyetja është vetëm një: A do të heshtë apo do të flasë?
Sepse këtë herë, një vendim i Durim Bamit mund të ndryshojë jo vetëm jetën e tij, por edhe historinë e krimit të organizuar në Shqipëri.







