Avokati i Popullit është gjetur në shkelje të ligjit për prokurimin publik pas një verifikimi të kryer nga Agjencia e Prokurimit Publik (APP), lidhur me një procedurë tenderimi të tipit “e hapur, e thjeshtuar” për një kontratë publike furnizimi.
Sipas të dhënave zyrtare të pasqyruara në vendimin me nr. 09, datë 27.02.2026, hetimi administrativ është iniciuar nga një ankesë e paraqitur nga një palë e tretë (operatori ekonomik). APP ka verifikuar një procedurë të vetme, duke analizuar mënyrën se si Autoriteti Kontraktor ka vijuar hapat e mëtejshëm të tenderit.
Në konstatimet kryesore theksohet se Autoriteti Kontraktor, në këtë rast Avokati i Popullit, nuk ka vepruar në përputhje me nenet 111 dhe 112 të Ligjit nr. 162, datë 23.12.2020 “Për prokurimin publik”, i ndryshuar. Sipas APP-së, institucioni ka vijuar procedurën pa u siguruar më parë nëse ndaj saj ishte paraqitur ankesë dhe pa pritur vendimin përfundimtar të Komisionit të Prokurimit Publik mbi ankesën në fjalë.
Ky veprim konsiderohet shkelje e qartë e detyrimit ligjor për pezullimin e procedurës në rast ankese, një mekanizëm thelbësor për garantimin e barazisë së operatorëve ekonomikë dhe transparencës së procesit të tenderimit. Mospërfillja e këtij detyrimi cenon integritetin e procedurës dhe krijon rrezik për pavlefshmëri të vendimeve të ndërmarra në vijim.
Në bazë të neneve 23/e, 130 dhe 132, pika 3, të po këtij ligji, APP ka vendosur t’i propozojë titullarit të Autoritetit Kontraktor marrjen e masës disiplinore ndaj personit përgjegjës për prokurimin, në përputhje me shkeljet e konstatuara në vendim.
Rasti ngre pikëpyetje mbi respektimin e standardeve ligjore nga një institucion kushtetues që ka në mision mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të qytetarëve përballë administratës publike. Vendimi i APP-së përbën një sinjal të qartë se edhe institucionet e pavarura janë subjekt i detyrimeve të njëjta ligjore në fushën e prokurimit publik dhe se procedurat e tenderimit duhet të respektohen me rigorozitet të plotë./ekofin.al








