Ballina Ekonomia Ministria e Ekonomisë jep me qira për 20 vite mbi 30 mijë...

Ministria e Ekonomisë jep me qira për 20 vite mbi 30 mijë m² truall dhe ndërtesë në Durrës

187
0

Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit ka shpallur nisjen e procedurave për dhënien me qira, përmes konkurrimit, të pasurive shtetërore me nr. 10/211 të llojit “truall”, me sipërfaqe 30,310.89 m², si dhe pasurinë shtetërore nr. 5/160/ND të llojit “ndërtesë”, me sipërfaqe 685.3 m², të ndodhura në zonën kadastrale 8516, në qytetin e Durrësit.

Sipas shpalljes vlera dysheme e detyrimit mujor të qirasë për fillimin e konkurrimit është përcaktuar në rreth 3.27 milionë lekë në muaj dhe qëllimi i përdorimit të pasurisë është përpunimi aktiv i mallrave.

Afati i dhënies me qira të kësaj pasurie është 20 vjet. Procedura e konkurrimit do të zhvillohet më datë 10.03.2026, në orën 10:00, në ambientet e Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit.

Ofertat do të vlerësohen mbi bazën e tri kritereve kryesore: investimi me 30 pikë, punësimi me 40 pikë dhe tarifa mujore e qirasë me 30 pikë.

Dokumentacioni i kërkuar përfshin planin e biznesit, analizën e treguesve financiarë dhe deklaratat për përmbushjen e detyrimeve ligjore e tatimore, ndërkohë që mosparaqitja e dokumentacionit të plotë ose mospërmbushja e kushteve përbën shkak për skualifikim nga gara.