Ballina Politika “Nëse Ballukut s’i hiqet imuniteti, integrimi minohet. Përjashtimi i Shehajt, me prapavijë!”,...

“Nëse Ballukut s’i hiqet imuniteti, integrimi minohet. Përjashtimi i Shehajt, me prapavijë!”, Kapri: Gati 100 mijë firma, do t’ia çojmë Kongresit Amerikan

69
0

Deputeti i partisë Mundësia, Erald Kapri, deklaroi në  News24 se përjashtimi i Agron Shehaj nga seanca plenare ka prapavijë politike dhe lidhet, sipas tij, me faktin që mos të ketë zëra të fortë kundër ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Sipas Kaprit, masa 20-ditore synon që Shehaj të mos jetë i pranishëm në sallë dhe të mos përmendë çështjen e Ballukut. “Zoti Shehaj ka qenë politikani më i zëshëm për këtë çështje. Kërkesa për përjashtimin ishte firmosur nga grupi i ‘zjarrit’ të Ballukut. Na ishte dhënë fjala për dy minuta, por kur Shehaj nisi të flasë për Rrjollin, iu ndërpre fjala dhe u përjashtua nga seanca”, u shpreh ai.

Kapri pretendon se paralajmërimi për përjashtimin 30-ditor ishte bërë më herët nga Taulant Balla, duke shtuar se opozita do ta kundërshtojë çdo masë ndëshkimore. “Ai nuk fyeu askënd, thjesht ngriti çështjen. Do të flasim me partnerët ndërkombëtarë dhe do të publikojmë materialet edhe në anglisht për të treguar çfarë po ndodh,” tha deputeti. Duke u ndalur te shtyrja e seancës plenare për çështjen Balluku për në 12 mars, Kapri deklaroi se kryeministri Edi Rama po zhvillon një betejë politike për ta mbrojtur atë. “Ai e kupton se koha po punon kundër tij. Vetëm ai ka mbetur pa u hetuar nga SPAK,” u shpreh Kapri.

Sipas tij, opozita ka mbledhur afro 100 mijë firma në mbështetje të drejtësisë dhe kundër ndërhyrjeve politike dhe do t’i çojë në Kongresin Amerikan. “Nëse preket drejtësia, cenohet liria e shqiptarëve. Çështja Balluku është thelbësore për integrimin në BE dhe pasojat do të jenë të mëdha nëse ajo vijon të qëndrojë si deputete. Kryeministri do të bëjë gjithë betejën politike që të mbrojë zonjën Balluku dhe të trembë onturazhin e saj. Ajo është hequr fizikisht nga detyra, por janë emëruar njerëz të saj. Jemi përballë një beteje të ashpër që ai po bën me drejtësinë. Vetëm ai ka ngelur pa u hetuar nga SPAK. Rama e kupton se koha po punon kundër tij. Jemi afër 100 mijë firmave, që shqiptarët kanë firmosur pro drejtësisë që mos të preket nga politika. Nëse preket drejtësia, cënohet liria e shqiptarëve. Çështja Balluku është thelbësore për integrimin në BE. Pasojat do të jenë të mëdha nëse ajo qëndron si deputete.” përfundoi Kapri.