Ballina Sport Arsenali marshon drejt titullit, shkëputet shtatë pikë

Arsenali marshon drejt titullit, shkëputet shtatë pikë

60
0

Arsenali ka mundur Brajtonin në natën e të mërkurës dhe falë ndalesës së Mançester Sitit, sheh të shkojë në 7 pikë avantazhi ndaj “qytetarëve” në garën për titullin kampion.

Por ekipi i Artetës në këtë sezon është vënë në shënjestër për faktin se pavarësisht fitoreve, nuk po bind aspak me lojën, duke ofruar pak futboll përtej rezultateve.

Kështu ndodhi edhe këtë të mërkurë, me fitoren 1-0 ndaj Brajton që erdhi me një gjuajtje të devijuar të Saka, ndërsa gjuajtja e dytë e të gjithë ndeshjes për Arsenalin erdhi në minutën e 88-të, me pjesën tjetër të lojës që kaloi duke e vonuar në maksimum apo duke menduar si të bllokohej loja e ekipit që kishte përballë.

Kësisoj, pas sfidës, trajneri i Brajtonit, Fabian Hurzeler, nuk u kursye në kritika. “Mendoj se sot kishte vetëm një skuadër në fushë që u mundua të luante futboll. Unë nuk do të jem kurrë ai tip trajneri që mundohet të fitojë në atë mënyrë.

Dua që të bëjmë mirë, dua që lojtarët e mi të vazhdojnë të përmirësohen, të luajnë futboll në fushë.

Në fund, sigurisht çdo skuadër do të mundohet të administrojë apo humbasë kohën, por mendoj se duhet të ketë një limit, të cilin duhet ta vendosë Premier Liga. Kufirin duhet ta vendosin edhe gjyqtarët, por për momentin po bëjnë atë që duan”, tha Hurzeler duke iu referuar lojës së Arsenalit.

“Nëse do i pyesja të gjithë të pranishmit në sallë nëse janë argëtuar duke parë këtë ndeshje futbolli, jam i sigurt se ndoshta njëri do të çonte dorën pasi është një tifoz i madh i Arsenalit, por përtej tij, nuk ka shanse që të ketë të tjerë”, tha Hurzeler në konferencën për mediat.