Buxheti i shtetit e ka nisur vitin 2026 me një suficit të konsiderueshëm fiskal. Sipas performancës paraprake të treguesve fiskalë për muajin janar, të ardhurat buxhetore kanë tejkaluar ndjeshëm shpenzimet, duke gjeneruar një suficit prej rreth 226 milionë euro, më i lartë edhe se ai i regjistruar në të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Të dhënat e Financave tregojnë se të ardhurat totale për muajin janar 2026 arritën në 69.8 miliardë lekë, duke u realizuar në 103.4% të planit të muajit dhe në 8.5% të planit vjetor. Krahasuar me janarin e vitit të kaluar, të ardhurat janë rritur me 5.2 miliardë lekë ose 8.1%, duke reflektuar një performancë pozitive të mbledhjes së të ardhurave fiskale.
Ndërkohë, shpenzimet e përgjithshme publike për muajin e parë të vitit arritën në 48.1 miliardë lekë, me një realizim prej 90% të planit të periudhës. Në krahasim me janarin 2025, shpenzimet janë rritur me rreth 1.6 miliardë lekë ose 3.4%, ndërsa në raport me planin vjetor ato përfaqësojnë vetëm 5.4% të totalit të parashikuar për vitin 2026.
Të ardhurat nga administratat fiskale – tatimet dhe doganat – për muajin janar arritën në 43.8 miliardë lekë, rreth 1.1 miliardë lekë ose 2.6% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.
Nga këto, të ardhurat doganore u realizuan në 16 miliardë lekë, duke arritur 92.3% të planit të muajit. Zëri kryesor mbetet TVSH në import, e cila solli në buxhet 10.1 miliardë lekë.
Ndërkohë, akciza u realizua në 5.2 miliardë lekë, rreth 341 milionë lekë ose 7% më shumë se janari i vitit 2025 dhe pak mbi planin e muajit. Të ardhurat nga taksat doganore arritën në 614 milionë lekë, me një rritje prej 4.8% në terma vjetorë, ndërsa renta minerare në eksport kontribuoi me 63 milionë lekë.
Të ardhurat e mbledhura nga administrata tatimore u realizuan në 27.7 miliardë lekë, rreth 1.5 miliardë lekë ose 5.7% më shumë se janari 2025 dhe 1.2% mbi planin e muajit.
Kontributin kryesor e dha TVSH-ja neto në vend, e cila arriti në 12.3 miliardë lekë, duke u rritur me 1.1 miliardë lekë ose 9.5% në krahasim me të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Rimbursimet e dhëna gjatë janarit ishin relativisht të ulëta, në 186 milionë lekë.
Një tjetër zë me rritje të ndjeshme ishte tatimi mbi fitimin, i cili arriti në 3.4 miliardë lekë, rreth 16.1% më shumë se janari i vitit 2025 dhe mbi planin e muajit me 9.8%.
Ndërkohë, tatimi mbi të ardhurat personale u realizua në 7.6 miliardë lekë, me një rritje prej 4.5% në terma vjetorë, ndërsa taksat nacionale sollën në buxhet 4.4 miliardë lekë.
Të ardhurat nga fondet speciale, që përfshijnë kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, arritën në 17 miliardë lekë, rreth 758 milionë lekë ose 4.7% më shumë se një vit më parë. Ky zë u realizua në 100.8% të planit të muajit.
Në tërësi, performanca fiskale e muajit të parë të vitit tregon një fillim të fortë të mbledhjes së të ardhurave, ndërkohë që ritmi i shpenzimeve ka qenë i ngadaltë. Ky kombinim ka çuar në krijimin e një suficiti të konsiderueshëm buxhetor që në muajin e parë të vitit.
Një suficit i tillë në fillim të vitit është një fenomen i zakonshëm për financat publike shqiptare, pasi realizimi i investimeve dhe shpenzimeve kapitale zakonisht përshpejtohet në muajt e mëvonshëm të vitit. Megjithatë, niveli i këtij suficiti në janar 2026, më i lartë se ai i një viti më parë, është sinjal i ngecjes së shpenzimeve dhe akumulimit të tyre pastaj kryesisht në dhjetor.







