Ballina Kulturë Hapet ekspozita ‘Epopeja në kujtesën e shtypit kosovar 2000–2020’

Hapet ekspozita ‘Epopeja në kujtesën e shtypit kosovar 2000–2020’

57
0

Me rastin e 28-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” u hap ekspozita me titull “Epopeja në kujtesën e shtypit kosovar 2000–2020”, e cila sjell para publikut pasqyrimin e kësaj ngjarjeje historike në median e shkruar gjatë dy dekadave.

Po ashtu u hap edhe ekspozita fotografike “Ditënetët e zjarreve në Prekaz”, me fotografi nga fotografi Sefer Aliqkaj, e cila përmes imazheve dokumentare dhe sjell historinë në Prekaz.

Drejtoresha e Përgjithshme e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës,  Blerina Rogova Gaxha, tha se heronjtë e familjes Jashari përfaqësojnë një nga ngjarjet më të mëdha të memories sonë kolektive.

“Dy ekspozitat që hapim sot, ‘Epopeja e UÇK-së në shtypin e Kosovës (2000–2020)’ dhe ‘Ditënetët e zjarreve në Prekaz’, përmes titujve të gazetave, shkrimeve të ilustruara, fotografive panoramike dhe peizazhit të lagjes Jashari, krijojnë një dialog të dyfishtë: kujtesën në fjalë dhe kujtesën në imazh”, u shpreh ajo.

Autori i ekspozitës fotografike, Sefer Aliqkaj, u shpreh i nderuar që ka realizuar fotografi të një prej ngjarjeve më të lavdishme të historisë së Kosovës.

“Ekspozita përmban 36 fotografi, të realizuara në stinë dhe vite të ndryshme. Është një emocion dhe nder i veçantë që të përfaqësoj Prekazin historik në momente të ndryshme”, tha ai.