Ballina Sport Kane mund të bëhet lojtari i dytë më i shtrenjtë pas Ronaldos

Kane mund të bëhet lojtari i dytë më i shtrenjtë pas Ronaldos

66
0

Harry Kane po e kalon një sezon të jashtëzakonshëm me Bayern Munichun.

Kur jemi në fillim të muajit mars, qendërsulmuesi anglez duket i vendosur ta fitojë Këpucën e Artë pasi ka arritur tashmë në 45 gola në të gjitha kompeticionet me ekipin bavarez.

Në Bundesligë, ai e ka një mesatare prej një goli çdo orë loje dhe ka arritur tashmë në 30 gola në renditjen e golashënuesve.

Me 12 ndeshje deri në fund, Kane mund ta synojë edhe rekordin absolut të kampionatit gjerman, të vendosur nga Robert Lewandowski, i cili i kishte shënuar 41 gola në sezonin 2020/21.

Vetë sulmuesi anglez e ka komentuar këtë mundësi në një intervistë për “Bild”:

“Do të jetë e vështirë ta thyej rekordin e Lewandowskit, sepse ai i humbi edhe disa ndeshje dhe megjithatë realizoi shumë “tregolësha” atë sezon. Mendoj se kam rreth 50% shanse për ta bërë, jam në një pozicion të mirë, edhe pse nuk jam i fokusuar vetëm te rekordet.”

Pas largimit nga Tottenham Hotspur në vitin 2023 për rreth 100 milionë euro plus 20 milionë bonuse, Kane e ka hequr edhe etiketën e sulmuesit të madh që nuk fiton trofe.

Ai është pranë fitimit të Bundesligës së dytë radhazi me Bayernin dhe synon gjithashtu ta udhëheqë ekipin drejt suksesit në Ligën e Kampionëve, ku bavarezët konsiderohen ndër favoritët kryesorë.

Megjithatë, në verë mund të hapet edhe çështja e së ardhmes së tij.

Në kontratën e Kanet me Bayernin ekziston një klauzolë largimi prej 65 milionë eurosh, që mund të aktivizohet gjatë afatit kalimtar veror.

Nëse ai do të transferohej për këtë shifër në moshën 33-vjeçare, do të bëhej lojtari i dytë më i shtrenjtë në histori në këtë moshë, pas Cristiano Ronaldos, i cili ishte transferuar te Juventusi për rreth 100 milionë euro.

Nga ana tjetër, Bayerni dëshiron ta vazhdojë kontratën e sulmuesit dhe tashmë i ka nisur kontaktet me përfaqësuesit e tij.

Megjithatë, duke qenë se negociatat nuk janë të thjeshta dhe drejtuesit bavarezë po mendojnë edhe për një skenar alternativ në rast se Kane largohet.

Emri që ka dalë në skenë si pasues i mundshëm është ai i Victor Osimhen, një sulmues disa vite më i ri, i cili pas suksesit me Napolin po vazhdon të shkëlqejë edhe me Galatasarayn.