Ballina Dossier “Lufta dhe Gjermanët e Regjimentit të 14-të “Skënderbeu’”

“Lufta dhe Gjermanët e Regjimentit të 14-të “Skënderbeu’”

55
0

Nga Auron Tare

Tani që lufta ka filluar dhe në mediat shqiptare kanë dalë papritur qindra analistë e specialistë të çështjeve të Iranit, unë preferoj të kthehem pas në kohë. Tek Lufta e Dytë Botërore në territoret tona.
Shumë miq dhe ndjekës më pyesin shpesh pse nuk shkruaj më shumë për këtë periudhë. Duket qartë se ka një kuriozitet të madh për Luftën e Dytë Botërore, aq më tepër që arkivat tona kanë shumë pak informacion mbi operacionet gjermane në territorin shqiptar.
Keshtu qe po ndaj sot një kuriozitet historik mbi një regjiment gjerman që deri në fund të luftës mbajti emrin “Skënderbeu”.
Fotoja që po sjell në këtë postim nga arkivi i Bibliotekës së Kongresit në Washington DC është mjaft interesante dhe ka lidhje me kete regjiment gjerman. Me shumë gjasë ajo është realizuar gjatë një operacioni të trupave SS të Divizionit “Prinz Eugen”, i cili operonte në territorin e Malit të Zi dhe Kosovës, me rreze veprimi deri në Shkodër.
Në foto shfaqen:
August Schmidhuber (majtas), komandant regjimenti
ulur, Gjeneral Arthur Phleps, komandant i Divizionit të 7-të SS “Prinz Eugen”.

“Lufta dhe Gjermanët e Regjimentit të 14-të
Të dy këta oficerë me një karrierë të gjatë në repartet gjermane lanë gjurmë në territoret e Ballkanit.
Gjenerali Arthur Phleps, i lindur në Rumani dhe ushtarak karriere në ushtrinë rumune, iu bashkua forcave gjermane ku arriti gradën Generalmajor. Ai drejtoi Divizionin SS “Prinz Eugen”, i cili u bë i njohur në Bosnje, Kroaci dhe Mal të Zi për operacionet e ashpra kundër partizanëve, por edhe për masakra ndaj popullsisë civile. Divizioni ishte krijuar për luftë kundër guerriljes dhe ishte një njësi malore e specializuar për këtë lloj operacioni.
Ndërkohë, koloneli dhe më vonë gjenerali August Schmidhuber u bë i njohur në territoret shqiptare si organizatori dhe drejtuesi i Divizionit SS “Skënderbeu”. Ky divizion u ngrit në Kosovë dhe veproi kryesisht kundër çetave partizane, sidomos atyre serbe.
Më 17 prill 1944, Schmidhuber mori komandën e Divizionit të 21-të Malor Vullnetar SS “Skënderbeu”.
Më 21 qershor 1944, Schmidhuber u dekorua për ngritjen e këtij divizioni. Megjithatë, pas rreth gjashtë muajsh ekzistence, divizioni u shpërnda për shkak të dezertimeve masive, rezultateve shumë të dobëta dhe moralit të ulët të trupave.
Në raportet e dërguara në Berlin, Schmidhuber shkruante se ushtari shqiptar:
“gjatë sulmit shkon vetëm aq larg sa gjen diçka për të plaçkitur”.
Pas evakuimit gjerman nga Shqipëria, më 21 janar 1945, Schmidhuber zëvendësoi SS-Brigadeführer Otto Kumm si komandant të Divizionit të 7-të SS “Prinz Eugen”.
Oficerët gjermanë të Divizionit të 21-të (Reichsdeutsche dhe Volksdeutsche) u përfshinë në Regjimentin e 14-të SS-Freiwilligen-Gebirgsjäger të Divizionit “Prinz Eugen”, të cilit iu dha emri i nderit “Skanderbeg”, në kujtim të formacionit të shpërbërë.
Shumica e vullnetarëve shqiptarë u liruan zyrtarisht nga shërbimi.
* Regjimenti i 14-të SS “Skanderbeg”
Regjimenti SS-Freiwilligen-Gebirgsjäger “Skanderbeg” u be pjesë e Divizionit të 7-të SS “Prinz Eugen”.
Ai u krijua në vitet 1944–1945, pas shpërbërjes së Divizionit të 21-të SS “Skanderbeg”.
Si pasojë e performancës shumë të dobët të këtij divizioni, gjermanët vendosën të transferonin oficerët dhe njësitë ndihmëse në Divizionin “Prinz Eugen”. Për nder të formacionit të mëparshëm, regjimentit të ri iu dha emri Regjimenti Malor i 14-të “Skanderbeg”.
Struktura e regjimentit ishte tipike për këmbësorinë malore:
3 batalione këmbësorie malore
kompani mitralozësh
kompani mortajash
kompani zbulimi dhe logjistike
Përveç trupave gjermane, regjimenti përfshinte edhe Volksdeutsche (gjermanë etnikë nga Ballkani), si dhe një numër të vogël shqiptarësh që kishin mbetur nga Divizioni “Skënderbeu”.
Regjimenti veproi kryesisht në:
Kroaci
Bosnje
Dalmaci
Serbinë jugore
Detyra kryesore ishte lufta kundër partizanëve jugosllavë dhe mbrojtja e tërheqjes së ushtrisë gjermane nga Ballkani.
Në fazën e fundit të luftës, regjimenti ishte nën komandën e Gjeneral August Schmidhuber.
Në pranverën e vitit 1945, Divizioni “Prinz Eugen” dhe Regjimenti i 14-të u tërhoqën drejt Austrisë, ku u dorëzuan tek forcat britanike në maj 1945.
Për shkak të reputacionit të divizionit për operacione të ashpra dhe masakra ndaj civilëve në Ballkan, disa nga oficerët kryesorë u dorëzuan autoriteteve jugosllave. Mes tyre ishte edhe Schmidhuber, i cili u gjykua dhe u ekzekutua në Beograd në vitin 1947.
Rregjimenti i 14 malor “Skenderbeg” ishte nje prej formacioneve me jeteshkurter ne njesite ushtarake gjermane ne Luften e Dyte por qe gjithsesi deri ne fund mbajti te pandryshuar emrin e ‘Skenderbeut” nje kuriozitet historik per ate periudhe.