Ndeshja e Kupës së Shqipërisë mes Partizanit dhe Elbasanit, që u mbyll me fitoren 1-3 të miqve, vazhdon të prodhojë polemika. Në qendër të tyre është penalltia në fund të kohës shtesë, që solli golin e kualifikimit të Elbasanit.
Pas qëndrimit zyrtar të Partizanit, që kontestonte kryesorin Eldorjan Hamiti, ka reaguar edhe klubi elbasanas. Në një postim në faqen e vet, të shoqëruar me videon e penalltisë së shumë diskutuar, Elbasani thekson se vendimi është i drejtë.
Postimi i plotë i klubit elbasanas
Në ndeshjen e djeshme ndaj FK Partizani Tirana pati disa episode që meritojnë një analizë të qartë.
Penalltia e akorduar në favor të skuadrës sonë ishte një vendim i drejtë, pasi kontakti ndaj lojtarit tonë brenda zonës ishte i dukshëm dhe në përputhje me rregullat e lojës.
Çdo diskutim për këtë episod është i panevojshëm, pasi situata është e qartë dhe nese shikoni videon e plotë asnjë nga lojtarët e Partizanit nuk reagon, pasi penalltia ishte e dukshme për të gjithë ata që ishin pranë aksionit.
AF Elbasani do të vazhdojë të mbrojë interesat e klubit dhe të lojtarëve të saj, duke kërkuar gjithmonë drejtësi dhe respekt për rregullat e lojës.







