Ballina Dossier “Sapo iku Kosygin, në Lindjen e Mesme vrapoi Kissinger dhe botës iu...

“Sapo iku Kosygin, në Lindjen e Mesme vrapoi Kissinger dhe botës iu tha se ai shkoi me një ‘plan paqeje’ për…”/ Shkrimi i Enver Hoxhës dhjetor ’73, për konfliktin ndërmjet Izraelit dhe vendeve arabe

49
0

Nga Dashnor Kaloçi

Ka qenë 16 dhjetori i vitit 1973, kur gazeta “Zëri i Popullit”, organ i Komitetit Qendror të PPSh-së, publikonte si kryeartikull të saj një shkrim të gjatë të kreut të Shqipërisë komuniste, Enver Hoxhës, për konfliktin e armatosur në Lindjen e Mesme, i cili me tone të ashpra fliste kundër asaj që e quante “diplomacia e egër dhe barbare”. Përmes një “analize thumbuese”, artikulli akuzonte ministrat e jashtëm të SHBA-ve dhe Bashkimit Sovjetik, apo “dy superfuqive”, (siç i etiketonte rëndom Tirana zyrtare), Henry Kisinger dhe Aleksey Nikolayevich Kosygin, se lufta në Lindjen e Mesme, nuk ishte gjë tjetër, veçse një mjet presioni për të forcuar hegjemoninë e dy superfuqive. Sipas udhëheqësit kryesor të Shqipërisë komuniste, “ky nuk është thjesht një artikull gazete, por një aktakuzë e ashpër kundër ‘diplomacisë së kasafortave’”.

Sipas Enver Hoxhës, “në kulmin e Luftës së Ftohtë, Shqipëria u bë zëri i vetëm që guxoi të thoshte se armët atomike dhe traktatet ultra-sekrete nuk ishin për sigurinë, por për grabitjen e interesave të popujve”. Gjithnjë sipas analizës së udhëheqësit kryesor të Shqipërisë komuniste, “ndërsa Uashingtoni dhe Moska reklamonin një epokë të re të ‘paqes së përjetshme’”, Tirana zyrtare lëshonte alarmin për atë që e cilësonte si “diplomacia e fshehtë”.

Artikulli i botuar në dhjetorin e vitit 1973 në gazetën “Zëri i Popullit”, të cilin Memorie.al e sjell të plotë në këtë shkrim, “zbardh prapaskenat e rrezikshme të takimeve Brezhnjev – Nikson, nga kriza e naftës në Lindjen e Mesme, deri te pazarllëqet me lirinë e kombeve”, ku Enver Hoxha, në kulmin e delirit të madhështisë e me mitomaninë e tij, “si një udhëheqës i proletariatit botëror e, vazhdues i denjë, i Marksit, Engelsit, Leninin dhe Stalinit”, rrekej t’i tregonte shqiptarëve dhe botës mbarë, se si Shqipëria e asaj kohe, sfidonte hapur dy perandoritë më të mëdha të globit, duke i cilësuar marrëveshjet e tyre, si “një borxh të rëndë që skllavëronte popujt”.

Sot, kur konflikti në Lindjen e Mesme (ndërmjet Izraelit e SHBA-ve, me Iranin), rrezikon të përshkallëzohet më tej dhe bota po përballet sërish me ri konfigurimin e zonave të interesit, ky dokument historik, shërben edhe si një dëshmi e rrallë, se si ishte linja politike e shtetit shqiptar të asaj kohe nën udhëheqjen e Enver Hoxhës, i cili nuk nguronte të denonconte dhe të ngrinte zërin “kundër diktatit ndërkombëtar dhe ‘parazitëve diplomatikë’ që gërryenin sovranitetin e vendeve të vogla”.

“DIPLOMACIA E FSHEHTË E DY SUPERFUQIVE — RREZIK I MADH PËR LIRINË DHE PAVARËSINË E POPUJVE”

Artikulli i Enver Hoxhës, botuar në gazetën “Zëri i Popullit”

Të dëgjosh propagandën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Sovjetik dhe jehonën që i bëhet asaj nga satelitët e tyre, do të dukej sikur preokupimi i vetëm dhe kryesor i Uashingtonit e i Moskës, qenka tani ulja e tensionit midis shteteve, zgjidhja e grindjeve midis kombeve, sigurimi i popujve nga çdo agresion e ndërhyrje, vendosja e paqes një herë e përgjithmonë në tërë botën. Gazetat e revistat, radioja e televizioni imperialistëve amerikanë dhe ato të revizionistëve sovjetikë, me mijëra e dhjetëra mijë propagandistë, priftërinj, spiunë e tellallë të zellshëm, po thërresin në të katër anët se diplomacitë amerikane e sovjetike nuk po i zë gjumi për të realizuar këtë “paqe” e “sigurim të përjetshëm”, që njerëzimi nuk i ka njohur ndonjëherë që nga krijimi i tij.

Dhe udhëheqësit amerikanë e sovjetikë kanë braktisur të gjitha rehatet e tyre për t’u rënë kryq e tërthor kryeqyteteve të botës për të kërkuar “paqen e premtuar”. Pas tyre, ministra e ambasadorë, emisarë e agjentë të të gjitha llojeve, rangjeve e kategorive po vrapojnë sa nga njëri vend në tjetrin për të gjetur ndonjë shteg, që “paqja amerikano-sovjetike” të kalojë pastaj pa pengesa dhe të derdhet mbi gjithë botën. Por kjo është një mjegull demagogjike me të cilën zotërinjtë e mëdhenj të Shteteve të Bashkuara të Amerikës e të Bashkimit Sovjetik, duan të mbulojnë prapaskenat e ndyra të diplomacisë së tyre të fshehtë. Qysh më 1908, Lenini ka demaskuar hipokrizinë e kësaj diplomacie.

Dhe kush mund të besojë se krerët sovjetikë e amerikanë mblidhen kokë më kokë dhe vetëm për vetëm me qëllim që të flakin tej armët, të kthejnë paqen në Indokinë e në Lindjen e Mesme, të sigurojnë Evropën e Azinë, të ndihmojnë Afrikën e uritur, t’i shpëtojnë njerëzit nga ndotjet e ambientit, të hapin rrugët e tregtisë botërore dhe të garantojnë lirinë e popujve? Ç’kërkoi Kosygin në Kajro në kulmin e luftës midis arabëve dhe Izraelit? U tha se ai shkoi në Egjipt “për të biseduar për paqen”, “për të shpëtuar”, botën nga rreziku i një lufte të përgjithshme etj. Por faktet vërtetuan se ai shkoi atje për t’u bërë presion egjiptianëve, të hiqnin dorë nga vazhdimi i mëtejshëm i ofensivës dhe të pushonin luftën.

Zhurma rreth rrezikut të një komplikacioni amerikano-sovjetik, për shkak të luftës në Lindjen e Mesme, alarmi rreth minimit të tendencës së uljes së tensionit ndërkombëtar, u përdorën si mjete presioni mbi arabët që të pranonin armëpushimin, ndërsa për opinionin publik, këto “teori” u shitën si argumente për të vërtetuar se sakrificat arabe, ia vlenin shpëtimit të paqes botërore. Revizionistët sovjetikë nuk e kanë dashur dhe nuk e duan në asnjë mënyrë fitoren e arabëve. Kossigini, Kuznetsov e të tjerë nxituan të shkonin në vendet arabe, që të shuanin sa më shpejt luftën e armatosur çlirimtare, sepse zhvillimi me sukses i saj do të çonte edhe në zgjidhjen e konfliktit arabo-izraelit, do të çonte edhe në likuidimin e nevojës së pranisë sovjetike në këtë zonë.

Atyre u duhej medoemos një kthim në gjendjen “as luftë, as paqe”, një gjendje që krijon një paqëndrueshmëri të vazhdueshme e mbi të cilën mund të qëndrojë e të përparojë hegjemonizmi i të dyja superfuqive. Sapo iku Kossigini, në vendet arabe vrapoi Kisyngeri. Botës iu tha se ai kishte shkuar me një “plan paqeje”, bile edhe me “oferta” e “propozime”, për ta zgjidhur përfundimisht konfliktin njëzetepesëvjeçar të Lindjes së Mesme. Por Kisyngeri nuk shkoi në vendet arabe as për paqe, as për të zgjidhur konfliktin. Këshilltari i posaçëm i Niksonit, nxitoi në kryeqytetet arabe, pasi imperializmin amerikan e trembi shumë perspektiva e forcimit të unitetit të popujve arabë, që u shfaq me një forcë të re gjatë luftës.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i trembi sidomos perspektiva e revolucionarizimit të lëvizjes çlirimtare arabe, të cilin vazhdimi i luftës e bënte një proces të natyrshëm. Borgjezia amerikane filloi të dridhej nga një zhvillim i luftës, i cili nuk do të kishte të bënte vetëm me Izraelin, por do të përfshinte edhe çështjen e naftës, edhe fitimet përrallore që puset e vajgurit arab, u sjellin monopoleve amerikane. Përderisa Izraeli bën një luftë totale, edhe arabët do t’i përgjigjeshin me një luftë të tillë. Ishin këto motive që i detyruan Niksonin e Kissingerin, t’u buzëqeshin arabëve, të mos ua kursejnë lajkat dhe t’i mbushin me premtime. Diplomacia e fshehtë është në vetë natyrën e blloqeve të tilla, si NATO e Traktati i Varshavës, e këshillave, e komiteteve të tyre.

Prapa dyerve të mbyllura fort mblidhen ministrat e jashtëm dhe kryetarët e shteteve, shefat e shtabeve dhe komandantët e ushtrive. Të gjitha komunikatat e këtyre mbledhjeve flasin për paqe e mbrojtje, por të gjitha veprimet flasin për presione e shantazhe ndaj vendeve të lira e të pavarura, flasin për ndërhyrje e komplote në vendet e pazhvilluara, flasin për përpjekje për të zgjeruar ekspansionin e neokolonializmin. Këta e mbajnë sekret, por të gjithë e dinë se në shtabet e këshillat e këtyre blloqeve agresive, janë planifikuar e planifikohen luftëra atomike, janë hartuar e hartohen projekte operacionesh për pushtime të armatosura kundër këtyre, ose atyre vendeve në këtë ose atë rast.

Vallja e diplomacisë së fshehtë ka përfshirë edhe përfaqësues të vendeve të tjera. Kështu, nën pretekstin për të sqaruar gjendjen në Lindjen e Mesme, justifikohen bisedimet kokë më kokë me krerët sovjetikë. Por popujt kanë të drejtë dhe janë të interesuar të dinë: Ç’bëhet në këto takime? Sepse pavarësisht që ndokush mund të ketë iluzione se krerët e Moskës janë zbutur e nuk përbëjnë më ndonjë rrezik, popujt janë të bindur se social-imperialistët sovjetikë, kurdisin plane kundër lirisë e pavarësisë së tyre, se ata përpiqen të krijojnë kushtet për agresione të reja. Ka ndonjë që deklaron se ai nuk i njeh zonat e influencës dhe është kundër atyre që luftojnë për shtrirjen e hegjemonisë. Kjo si deklaratë është një akt pozitiv.

Por si pajtohen këto deklarata me aprovimin, nga ana tjetër, të politikës sovjetike në Lindjen e Mesme? Mos vallë Bashkimi Sovjetik ndjek politikën e zonave të influencës, vetëm për Bullgarinë e Çekosllovakinë, dhe këtë nuk e bën për Lindjen e Mesme, Mesdheun, Adriatikun ose rajonet e tjera? Në këtë kohë intrigash e komplotesh, sovjetikët kanë shumë nevojë që t’u bëhen reklama e homazhe, si mbrojtës të paqes së popujve arabë. Këtë ata e duan sidomos tani pas mbledhjes së të paangazhuarve, në Algjer, ku shumë vende kritikuan e demaskuan politikën ekspansioniste e neokolonialistë të udhëheqësve të Kremlinit.

Mundet që, në raste të tilla, të mendohet për të përfituar nga rivaliteti midis superfuqive dhe të shfrytëzohet momenti për të shkëputur ndonjë favor.

Por historia e ka provuar rrezikun e madh që përbën politika e ekuilibrit. Ajo ka provuar edhe se fuqitë e mëdha imperialiste nuk zbuten nga lutjet dhe as gënjehen nga “djallëzitë”. Sidoqoftë, një gjë dihet mirë: edhe nëse u merret ndonjë favor, udhëheqësit sovjetikë, ashtu si dhe imperialistët amerikanë, nuk japin asgjë pa marrë diçka. Kreditë ose armët e dhëna prej tyre, për cilindo që i pranon, përfaqësojnë një borxh të rëndë, që qëndron peshë mbi lirinë e pavarësinë e vendit, janë zinxhir që të lidhin, edhe kur nuk dëshiron, pas veprimeve e politikës së aventurave të Moskës e të Uashingtonit.

Imperializmi dhe social-imperializmi vazhdojnë t’i pompojnë e t’i përdorin të tjerët ose emisarët e tyre si mesitë, për të lidhur e për të zgjidhur intriga në kurriz të popujve. Popujt nuk u besojnë të tillë njerëzve dhe as atyre diplomatëve e kancelarive që përplasen tek ata, për të rregulluar gjoja punën e njërit ose të tjetrit. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që gjenden në pozita të vështira për të zbatuar hegjemoninë e tyre në botë, kanë hapur qesen e kredive. Jo vetëm Lindja e Mesme, por gati shumica e ngjarjeve ndërkombëtare dëshmojnë se imperialistët amerikanë dhe social-imperialistët sovjetikë, e ngritën në shkallën më të lartë dhe e bënë diplomacinë e fshehtë metodën e vetme të marrëveshjeve të tyre, për shtrirjen e zonave të influencës dhe grabitjen e interesave të popujve të ndryshëm.

Takimet Brezhnjev – Nikson kanë qenë kulmet e kësaj diplomacie të egër e barbare. Këtu janë thurur intriga e komplote, të cilave akoma nuk u ka dalë koka. Shpejtësia me të cilën Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Sovjetik, dolën me një qëndrim të përbashkët për ndalimin e luftimeve në Lindjen e Mesme, gjë që u shpreh këtë herë fare haptazi në rezolutat e Këshillit të Sigurimit, tregon se Uashingtoni dhe Moska kanë hartuar plane të fshehta dhe kanë përgatitur zgjidhje të gatshme, edhe për situata të ngjashme në vende të tjera. Asnjeri nuk e di ç’është thënë e ç’është vendosur në bisedimet ultra sekrete Brezhnjev-Nikson në San-Klemente, çfarë transmetohet e çfarë vendoset nëpërmjet “telefonit të kuq”.

Asnjë nuk e di ç’është thënë e ç’është vendosur në takimet e fundit në Moskë, midis Kissingerit e udhëheqësve sovjetikë për Lindjen e Mesme dhe për rajonet e tjera të botës. Por asnjë nuk dyshon se midis tyre janë bërë pazarllëqe e allishverishe të mëdha. Traktati amerikano-sovjetik mbi armët atomike, që u nënshkrua në Uashington, bashkë me nenin 4 famëkeq, ashtu si dhe marrëveshjet e tjera që ruhen në kasafortat e të dyja superfuqive e, që akoma nuk kanë hyrë në veprim, u rezervojnë popujve jo vetëm shumë të panjohura e të papritura, por edhe rreziqe akoma të pa mendueshme e, të pallogaritshme.

Në qoftë se popujt e botës dhe, në radhë të parë, proletariati i të gjitha vendeve do të njiheshin me përmbajtjen e vërtetë të të tilla takimeve e diskutimeve të fshehta, në qoftë se ata do të dinin ç’fshihet prapa deklaratave mashtruese që lëshohen në këto raste, ata do të shikonin se gjenden përpara agresioneve, luftërave imperialiste e katastrofave nukleare, të cilat nuk mund t’i ndalojë asnjë nga krerët e imperializmit e të social-imperializmit, por vetëm popujt dhe proletariati botëror. Populli shqiptar mendon se ka ardhur koha, bile edhe po kalon, që të gjithë të ngrenë krye kundër këtij komploti e shantazhi të tmerrshëm të diplomacisë së fshehtë të fuqive imperialiste, që në të kaluarën ka shkaktuar luftëra botërore, që më vonë shkaktoi luftën në Kore e në Vietnam dhe tani në Lindjen e Mesme, e që nesër do t’i vërë përsëri zjarrin gjithë botës.

Frika që ka zënë vendet e Evropës Perëndimore nga marrëveshjet e fshehta e të pashpallura të të dyja superfuqive, tregon se edhe aleatët e privilegjuar të SHBA-së, kanë filluar të ndiejnë peshën e rëndë të diplomacisë së fshehtë amerikano-sovjetike. Evropianët e Perëndimit kanë vërejtur tani se pas takimeve Brezhnjev-Nikson, presionet mbi vendet e tyre janë bërë më të mëdha e më të shpeshta. “Karta e re e Atlantikut”, e propozuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në një kohë që këto po forcojnë marrëdhëniet e gjithanshme me Bashkimin Sovjetik, kërkon t’u mohojë pjesëmarrësve disa nga atributet e patjetërsueshme të sovranitetit kombëtar dhe të të drejtave për të marrë pjesë lirisht dhe në mënyrë të pavarur e të barabartë në çështjet ndërkombëtare.

Vendet e Evropës Perëndimore janë të pakënaqura që Niksoni i ka marrë përsipër t’i diskutojë çështjet botërore, bile edhe ato që i përkasin kontinentit evropian, vetëm me Bashkimin Sovjetik, duke lënë jashtë vende të tilla të mëdha, si: Franca, Anglia, Gjermania etj. Ato po vënë re, gjithashtu, se pas takimeve Brezhnjev-Nikson, janë shtuar përpjekjet e të dyja superfuqive për ta bërë Mesdheun një det sovjeto-amerikan dhe për të mos pyetur e për të mos vënë në dijeni ç’bëjnë në Lindjen e Mesme. Vendet e Evropës Perëndimore nuk dinë fare ç’diskutohet e ç’vendoset në ‘SALT’ dhe njoftohen vetëm atëherë kur u kërkohet të aprovojnë vendimet e marra në bisedimet super-sekrete të të dyja superfuqive.

Imperialistët amerikanë dhe social-imperialistët sovjetikë, vringëllojnë armët atomike dhe kërcënojnë me to botën. Por tani këto armë i kanë edhe Anglia, Franca e Kina. Historia e ka dënuar e demaskuar me të gjithë forcën e saj diplomacinë e fshehtë të imperialistëve që, siç thoshte Stalini, “me zhurmë e me këngë për paqen, përpiqen të mbulojnë përgatitjet për luftë”. Dhe, ashtu si në të kaluarën, qëllimi i kësaj diplomacie që imperialistët amerikanë e social-imperialistët sovjetikë po e zbatojnë me aq zell e konsekuencë, është që prapa krahëve të popujve dhe syve të opinionit publik, të përgatitë ndarjen e botës midis tyre, të shesë e të blejë interesat e vendeve të tjera, t’u hapë rrugën agresioneve.

Sa më shumë ajo aktivizohet, aq më të mëdha janë rreziqet për paqen e sigurinë e përgjithshme. Prandaj, si në të kaluarën edhe sot, kundër diplomacisë së fshehtë, duhet luftuar ashtu siç luftohej në kohët e Leninit, po për ato shkaqe dhe po për ato pasoja. Demaskimi dhe shkatërrimi i saj është një detyrë dhe detyrim për të gjithë popujt paqedashës, është një shërbim që u bëhet luftërave çlirimtare e anti-imperialiste, përpjekjeve të të gjithë atyre që luftojnë për forcimin e lirisë e të pavarësisë kombëtare, kundër diktateve dhe për barazi në marrëdhëniet ndërkombëtare. Popujt kanë të drejtë dhe duhet të dinë ç’bëhet e çfarë vendoset në sferat e larta të politikës ndërkombëtare, ç’bëhet në takimet e në bisedimet midis sovjetikëve e amerikanëve, ç’bëhet në Uashington, në Moskë etj., ku praktikohet diplomacia e fshehtë në kurriz të popujve.

Çështjet që diskutohen aty nuk janë çështje private, por probleme që kanë të bëjnë me interesat e fatet e popujve, me të ardhmen e shteteve dhe sigurinë e paqene përgjithshme. Në mjegullën e tmerrshme të krijuar nga diplomacia e fshehtë, të gjithë këta diplomatë janë disa parazite krimbash të rrezikshëm, që gërryejnë jetën e popujve dhe mbulohen me parulla false. A mundet proletariati dhe popujt e botës ta pranojnë këtë situatë? Në qoftë se do ta pranonin, ata kanë pranuar vdekjen. Por popujt dhe proletariat botëror, nuk e pranojnë vdekjen pa luftë, ata e dinë se vetëm me luftë shtypen këta krimba.

Populli shqiptar, që kur linden Partia dhe pushteti i tij popullor, është futur në polemikë me shtete e njerëz të tillë dhe këtë luftë do ta vazhdojë me ashpërsi, pa pasur frikë as nga shantazhet, as nga presionet, as nga ndërhyrjet e armatosura. Të gjithë ata që do të guxojnë të bëjnë hapa ose veprime të tilla, të jenë të sigurt se do ta kenë keq me popullin shqiptar dhe do të dështojnë me turp. Ne nuk jemi vetëm; për këtë që themi, për këtë që mendojmë e luftojmë ne shqiptarët, mendojnë e luftojnë qindra e qindra milionë njerëz në botë.Memorie.al