Ballina Aktualitet Sistemi i gjurmueshmërisë nuk ekziston, Rosmann & Lala shiti qumësht toksik për...

Sistemi i gjurmueshmërisë nuk ekziston, Rosmann & Lala shiti qumësht toksik për fëmijët

66
0

Disa ditë pas alarmit se qumështi për fëmijë i prodhuar nga Nestlé rezultoi i kontaminuar me toksinën cereulide, Mbretëria e Bashkuar foli me shifra zyrtare.

Agjencia e Sigurisë Shëndetësore e Mbretërisë së Bashkuar deklaroi se 36 foshnja u sëmurën pasi konsumuan formulën e kontaminuar, ndërsa në Francë ka nisur hetimi për humbjen e jetës së dy foshnjave.

I njëjti produkt, i importuar nga Rossmann & Lala, është tregtuar edhe në Shqipëri, konkretisht në rrjetin e dyqaneve të këtij subjekti.

Sipas burimeve zyrtare nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, sasia totale e qumështit të importuar është 1,878 copë, nga të cilat 462 copë janë rieksportuar në Republikën e Kosovës. Në Shqipëri rezulton se janë bllokuar 836 kuti me qumësht .

Ndërsa sasia e qumështit të kontaminuar e shitur është 580 kuti, secila me peshë 800 gram.Ky alarm nga Bashkimi Evropian zbuloi një problematikë në subjektin Rossmann & Lala në Shqipëri.

Pas kontrolleve të kryera, inspektorët e AKU-së e kanë gjobitur subjektin për dy shkelje: mangësi në sistemin e gjurmueshmërisë dhe mospërmbushje të përgjegjësive të Operatorëve të Biznesit Ushqimor (OBU).

Mungesa e gjurmueshmërisë cenon rëndë sigurinë ushqimore dhe, në këtë rast, bëhet fjalë për një produkt delikat si ushqimi për foshnja. E thënë më thjesht, nëse një produkt rezulton i pasigurt (p.sh. i kontaminuar apo i skaduar), autoritetet nuk mund ta tërheqin shpejt nga tregu, sepse:

• Nuk dihet në cilat supermarkete ka përfunduar.

• Nuk dihet sa njësi janë shitur.

• Nuk mund të bëhet tërheqje e saktë dhe e menjëhershme.

Për shkak të këtyre shkeljeve, subjekti Rossmann & Lala është gjobitur nga AKU.Në lidhje me këtë çështje, TV Ora Neës iu drejtua me një kërkesë për informacion edhe subjektit , duke kërkuar një qëndrim zyrtar mbi shkeljet e konstatuara nga AKU.

Rossmann & Lala nuk ka dhënë përgjigje për informacionin e kërkuar, por i ka kërkuar gazetares Alketa Çeku që të vizitojë pikat e shitjes ose zyrën qendrore të subjektit. Duke qenë se interesi parësor mbetet informimi i publikut përmes një qëndrimi zyrtar, kjo ftesë është refuzuar.

Ky rast rikthen në vëmendje se siguria ushqimore nuk është formalitet administrativ, por përgjegjësi direkte ndaj jetës dhe shëndetit të fëmijëve./ora news