Ekonomia shqiptare po përjeton një krizë të thellë, e cila nga ekspertët po cilësohet si një “gjenocid ekonomik”. Sipas analizave të situatës aktuale, politikat qeveritare kanë krijuar një mjedis armiqësor për biznesin e ndershëm, duke favorizuar një grup të vogël oligarkësh përmes ligjeve speciale dhe duke e rënduar pjesën tjetër të ekonomisë me një barrë të lartë fiskale.
Një nga problemet më të mprehta është barra e lartë fiskale. Në një emision televiziv, deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku u shpreh se sipas të dhënave, ngarkesa totale e taksave për një biznes në Shqipëri arrin deri në 40% të xhiros, një shifër që e bën mbijetesën thuajse të pamundur.
Kjo situatë ka çuar në pasoja dramatike. Rreth 200,000 biznese janë gjendur në statusin debitor, të paafta për të paguar detyrimet.
Më tronditëse është se 60% e tyre, ose rreth 120,000 biznese, tashmë i kanë mbyllur dyert përfundimisht, duke shkaktuar humbje masive të vendeve të punës dhe duke gjeneruar një borxh ndaj shtetit prej mbi 2 miliardë eurosh.
Paralelisht me presionin mbi biznesin e vogël dhe të mesëm, denoncohet një skemë e favorizimeve selektive.
Tabaku tha se përmes ligjeve speciale dhe preferenciale, qeveria krijon monopole në sektorë të caktuar, duke nxjerrë jashtë loje konkurrencën.
Shembuj konkretë përfshijnë përjashtimet nga taksat për hotelet me pesë yje, industrinë e prodhimit të armëve, apo projekte si Durrës Marina dhe koncesionet për parqet solare.
Këto politika, sipas deputetes favorizojnë investitorë specifikë, shpesh pa kapital dhe me lidhje të dyshimta, ndërkohë që 95% e ekonomisë përballet me vështirësi dhe pasiguri.
Deklarata e plotë:
“Gjatë ditëve të fundit edhe prej kontaktit me zonën elektorale, po edhe prej protestave dhe njoftimeve për protestë, unë kam qenë në lëvizje nëpër biznese dhe ajo që reflektohet në raportin e investimeve të huaja, ku dy janë shtysat kryesore.
E para njëherë, që të gjithë e marrin fakt që taksat janë rritur. Dhe thonë, mirë u rritën taksat. Dhe kjo situata e taksave është e tillë që ne po paguajmë sot, megjithëse niveli maksimal i taksës është 23%, ngarkesa totale e taksave te një biznes shkon 40%.
40% e të gjithë xhiros së biznesit janë taksa. Kjo është një fakt i njohur tashmë.
Tani nga ana tjetër thonë, neve kemi selektivitetin e shtetit.
Që do të thotë, ligje preferenciale që nxjerrin nga tregu sektorë të tërë.
Me një ligj ai jep një, një monopol një sektori të caktuar dhe e nxjerr nga tregu gjithë konkurrentët. Kemi favorizime speciale taksash, për shembull hotelet me pesë yje në jug., kanë nxjerrë nga tregu gjithë bizneset e vogla.
Ai me katër yje nuk paguan TVSH, nuk paguan taksën e infrastrukturës, ka përfitime të tjera. Për prodhimin e armëve, imagjino për prodhimin e armëve që të gjithë e kuptojnë se është një aferë korruptive dhe aty ka përjashtime nga taksat.
Ka përjashtime nga taksa te Durrës Marina, ka përjashtime nga taksat aty ku ka ligje speciale dhe interesa të veçanta.
Ndërkohë që shumica e ekonomisë, që është 95% e ekonomisë, përballet me këtë vështirësi. Investitorët e huaj thonë që ndryshimi i shpeshtë i ligjeve krijon një amulli të jashtëzakonshme.
Krijon vështirësi për ta parashikuar se çfarë do bëjnë ato në të ardhmen. Ndërkohë që për bizneset shqiptare, sidomos kur je biznes i vogël, kjo kthehet në një mbyllje të biznesit.
Pak muaj më parë u diskutua paqja fiskale nga ana e qeverisë. Dhe ne pamë që kishte 200.000 biznese debitor, borxhli.
Çfarë do të thotë kjo? Që taksat aq të larta kanë detyruar, kanë detyruar 200.000 biznese që të mos t’i paguajnë dot. Shkon te fatura mbi 2 miliardë, mbi 2 miliardë euro. Nga këto, 60% ishin mbyllur. Domethënë 60% e këtyre 200.000 bizneseve e kishin mbyllur dhe qepenat”.







