Ballina Dossier “Kur Jusufi i tha nuk kam pse të paguaj taksë për një...

“Kur Jusufi i tha nuk kam pse të paguaj taksë për një aeroport, që e kam ndërtuar me këto krahë, si i burgosur politik’, polici shtangu dhe…”/ Ngjarja e rrallë me përkthyesin e famshëm të frëngjishtes

102
0

Nga Luan Rama 

 Kanë kaluar pesë vjet dhe portreti i mikut tim ka mbetur i pa fshirë nga kujtesa ime dhe kjo ndoshta sepse pikëtakimet tona në Paris ishin të shumta, me miq të përbashkët dhe një punë të përbashkët, ditë e vite ku u ngjiz një miqësi e vërtetë, që do të rrezatonte gjithnjë mirësi, respekt, mirënjohje, duke mbetur për mua njëkohësisht një referencë filozofike për jetën, vlerën e njeriut, se ç’përfaqëson në vetvete ajo dhe ç’është itinerari i një njeriu në këtë botë, ç’është pushteti, modestia dhe ç’është të qenit human. Pesë vjet kanë kaluar shpejt, sikur të ishte thjeshtë një stinë. Ndoshta kjo ndodh sepse këto çaste jam në Paris dhe më bie të shkel dhe në ‘Avenue Victor Hugo’, ku Jusufi kishte jetuar në vitet ‘20-’30-të, dhe në ‘Rue de Grenelle’, ku pas tij unë jetova në të njëjtin apartament tre vjet me radhë, apo kur mblidheshim në shtëpinë e ëmbël të Liri Begesë dhe të Luc Barnier, në ambasadë apo UNESCO, e gjer në apartamentin e tij të fundit në ‘Rue Croix-Nivert’ pranë Porte de Versailles, atje ku do të kalonte dhe ditët e fundit të jetës së tij.

                                                             Vijon numrin e ardhshëm

Lavdosh Sulo, një vlonjat i urtë e bujar, që banonte atë kohë në “Bulevarde Paniatoëski”, në periferi të Parisit. Bashkë me Jusufin ngjitëm shkallët gjer në katin e fundit të ndërtesës dhe hymë në banesën e vogël të mikut të tij, me të cilin kishin kaluar disa vjet në kampin e punës së detyruar në Shtyllas të Fierit.

Takimi i tyre ishte vërtet emocionant. Ata nisën të kujtonin vitet e burgut, shokët e tyre, ata që ishin gjallë dhe ata që kishin ikur nga kjo botë, episode të ndryshme dhe të dhimbshme. Luc xhironte dhe unë incizoja, duke mbajtur atë llambë të vogël ndriçimi. Pas atij takimi, Luc donte të vazhdonte të xhironte përsëri episode të tjera të jetës së përditshme të Jusufit, por gjithçka u bë e pamundur. Jusufi refuzonte gjithnjë.

Më kujtohet gjithashtu historia dhe aventura e librit të tij “Botë e shlyer” (“Mondes effaces”), që shkroi në bashkëpunim me mikun e tij francez Eric Fay, romancier dhe kritik letrar. Një ditë Jusufi më tregonte se ishte penduar që kishte marrë paradhënie për shkrimin e këtij libri nga shtëpia botuese, madje për këtë ishte bërë shkas vetë François Nourissier.

-“Sigurisht, atë kohë kisha nevojë për para, por nuk më bëhej që të tregoja e të shkruaja për veten time. E çdo të thoshin të tjerët”?! Kështu, ai filloi të kthejë mbrapsht paratë e marra më parë si paradhënie. Por shtëpia botuese, kurrë nuk ja pranoi. Lexuesi francez dhe më pas ai shqiptar, patën fatin të lexojnë nga ai atë libër mjaft interesant dhe që përshkruante tërë itinerarin e jetës së tij.

“Ja fati i jashtëzakonshëm i këtij njeriu, pinjoll i një familjeje të madhe shqiptare të perandorisë otomane”, – do të shkruante në pasthënien e librit të tij botuesi i “Editions Jean-Claude Latteès”, – njeri i cili ka përshkruar trazirat kryesore të Evropës së sotme. Një dëshmi pasionante, ajo e rënies dhe pastaj e ngritjes, dëshmi e një aktori e njëkohësisht viktimë e lëvizjeve kulturore e politike të shekullit”.

Po, “Mondes effaces”, ishte një libër impresionant, ku gjithçka ngjall kureshtje, interes: kthimi i tij në Tiranë, takimi me nënën e tij dhe jeta e tyre e përbashkët në hotel “Dajti”, ku nga dritarja e hotelit shquhej bulevardi i madh me emrin “Musolini”, mimozat që mbushnin rrugët e atyre ditëve, pastaj kapitullimi i Italisë, hyrja e gjermanëve duke mbushur hotelin, ashtu të ngjeshur plot armë, ikja e të dyve nga hoteli dhe çlirimi i Tiranës.

Jusuf Vrioni ishte arrestuar në një dite vjeshte të vitit 1947, në sheshin e Tiranës, tek shkonte në një takim me të dashurën e tij. “Ishte 13 shtator…! Kur u lirova nga burgu unë shkova ta kërkoj atë vajzë. Por ajo nuk më priste. Ishte martuar…! Atë periudhë Partia Komuniste përgatiste Kongresin e saj të Parë të vitit 1948. Ngado dëgjoheshin breshërima. Pas gjashtë muajsh pyetje në qeli, ata sajuan një proces për spiunazh në shërbim të Francës…! U dënova 15 vjet burg”.

“Të burgosurit i shërbenin rindërtimit të vendit, – psherëtiu Jusufi duke buzëqeshur, duke kujtuar siç duket vite të tëra që kishte punuar, duke gërmuar për tharjen e kënetës së Maliqit, në kanalet e vaditjes, minierat, ndërtimin e pistës së aeroportit të Rinasit, etj. Olivier Deprez, producent filmash e spektaklesh, më kishte treguar një ditë një histori të çuditshme, por të vërtetë. Atë ditë të vitit 1997, kur ai po kthehej nga Shqipëria për në Paris, bashkë me mikun e tij Jusuf Vrioni.

Po kalonin doganën e Rinasit, kur një nga policët i kërkoi Jusufit të paguante taksën e kalimit, një dhjetë dollarësh, çka atë kohë ju kërkohej të gjithëve. Jusufi ishte befasuar nga kjo kërkesë dhe pas një hezitimi, i kishte thënë policit se nuk do e paguante.

Polici këmbëngulte, por edhe Jusufi këmbëngulte nga ana e tij, gjersa me në fund i kishte thënë: – “Nuk kam pse të paguaj taksë për një aeroport që e kam ndërtuar me këto krahë si i burgosur politik”! … Polici ishte shtangur dhe e kishte lënë të kalonte.

Jusufi ishte njeri i paqtë dhe e donte shumë muzikën. Madje jo çdo lloj muzike. I pëlqente shumë xhazi, të cilin e kishte ndjekur veçanërisht në rininë e tij. Mbaj mend disa mbrëmje, kur Jusufi, në fillim me ndrojtje, ngrihej të kërcente, por brenda disa minutave i mahniste të gjithë me elegancën e kërcimit të tij.

Një drekë, në shtëpinë e një miku, Simon Antoine, në ‘Aulnay-sur-Bois’, pranë Parisit, me të dëgjuar një “bluz”, u ngrit dhe i dehur nga muzika filloi të kërcente. Sigurisht e ndoqëm dhe ne më të rinjtë.

Veç një merak kishte Jusufi: vuajtjen e nënës së tij gjatë kohës që ai ishte në burg dhe ajo e internuar, si dhe varri i përdhunuar i babait, kockat e të cilit ishin hedhur në lumë vitin e parë të pas çlirimit të Shqipërisë. Një ditë, pas daljes nga burgu, duke lexuar një shkrim rreth romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, ku thuhej se ky roman meritonte të përkthehej, ai kërkoi ta lexojë menjëherë, dhe që në faqet e para ai e kuptoi gjeninë e shkrimtarit, të cilin nuk e njihte: ishte Ismail Kadare.

Dhjetë vjet rresht, përpara makinës së shkrimit, Jusuf Vrioni u shndërrua në një hije apo fantazmë që përkthente veprat e shkrimtarit të madh. Askush nuk e dinte se kush i përkthente ato romane “Made in Albania”, nga “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, tek “Tamburet e shiut” e me radhë, si “Kronika e qytetit të gurtë”, “Dimri i madh”, “Perëndimi i zotërve të stepës”, etj. Me romanin “Prilli i thyer” dhe “Ura me tri harqe”, u shfaq për herë të parë emri i përkthyesit-fantomë.

Madje atij i kërkuan të përkthente dhe botime politike e në radhë të parë vepra të Enver Hoxhës, të cilat sigurisht s’mund t’i refuzonte, ndryshe duhej të rikthehej në qelitë e dikurshme. Një nga miqtë e afërt të Jusufit ishte studiuesi dhe romancieri francez Eric Fay, me të cilin dhe punoi për botimin e librit “Mondes effaces” apo “Botë e shlyer”.

– “Para se të njihesha me Jusufin, – shkruan ai, – kisha njohur dhe kisha përjetuar mjaft nga vendet ku ai kishte jetuar dikur: në Romë, Durrës, Tiranë, në qytetin e tij të lindjes, në Berat, ku një gidë na kishte treguar një ndërtesë ku kishte ndenjur familja e tij e që tashmë ishte kthyer në ‘Muzeu Historik i Luftës Nacionalçlirimtare’”.

Në prill të vitit 1990, kur gjendesha në Tiranë për bashkëbisedimet e mia me Ismail Kadarenë, më prezantuan përkthyesin e tij, atë “djalosh shtatëdhjetepesë vjeçar”. Gjatë takimit tonë rreth një kafeje në hotel “Dajti”, shumë shpejt e kuptova se gjendesha përballë një njeriu me një histori të jashtëzakonshme.

Gjatë viteve, një miqësi e thellë u lidh mes nesh. Kur ai më kërkoi ta ndihmoja që të sistemonte kujtimet e tij për t’i hedhur në letër, unë u gjenda përballë të papriturave.

Evropa dhe historia e saj e sotme a mund të prodhojë fate kaq marramendëse, të fuqishme, të gjymtuara e të pasura sa kjo e këtij njeriu? Një fëmijëri si e Nabokovit, “rini e artë”, me studime të gjata që gatuan një shpirt të aftë për të interpretuar situata shumë të ndryshme, për të arsyetuar dhe luftuar në një mori fushash, kampet staliniste të llojit të Solzhenicinit, pastaj gjithë ajo ngjitje e ngadaltë drejt jetës, në një botë që nuk e zgjodhi ai, me të cilën ju desh të adoptohej çdo ditë, gjer në rinjohjen e tij përmes universit letrar, një rinjohje që ju bë shumë vonë për të shijuar vërtet dhe me dhimbjen e viteve të humbura”.

Mjeshtëria e përkthimit të Jusuf Vrionit është vlerësuar padyshim nga gjithë kritika letrare franceze e shqiptare. Kjo është vënë në dukje disa herë në “Assises Européenne de la traduction littéraire”, ku krahas përkthimeve të autorëve të mëdhenj si Proust, Sarraut, Duras apo Bodelaire, është folur dhe për përkthimet e tij nga veprat e Kadaresë. Për këto vlera atij ju dha më 1995 në Arles, në jug të Francës, çmimi i njohur në botën e përkthyesve “Helperine-Kaminsky”, nga “Shoqëria e Letrave të Francës”, të themeluar nga Hugo, Balzac, Dumas dhe George Sande.

Një vit më vonë, po në Arles, kryetari i bashkisë Michel Vauzel, ish-ministër i Drejtësisë në epokën e Miteranit, e nderoi atë me titullin “Qytetar Nderi” i Arles. Pas dekorimit të tij me titullin “Chevalier de l’Ordre des Arts et lettres”, ai ishte dekoruar me “Urdhrin Naim Frashëri” dhe “Penda e Argjendtë”, në Tiranë më 1998. Pesë vjet kanë kaluar nga dita kur ka vdekur Jusuf Vrioni. Vetëm një stinë.

Kujtoj Jusufin dhe nuk e di pse përsëri në mend rivijnë fjalët e mikut të tij francez, poetit Ives Mabin: “Jusuf Fisniku, Jusuf Shqiptari, Jusuf Francezi”. Kur ne shëtisnim në Paris për herë të parë, kur ti u lejove të rivije pas aq vjet ndalimi e mungese, ti më the se ishe “xhaxhai” im, por që dhe unë isha “xhaxhai” tënd.

Në fakt, ti ishe vëllai im. Vëllai im më i madh në moshë, në mençuri, në eksperiencë të dhimbshme, por shpesh vëlla i vogël, kur ti më kërkoje ndonjë këshillë dhe kur unë të shihja aq të gjallë, si një i ri i përjetshëm. Ne ishim vëllezër Jusuf dhe vëllezërit dinë që në të gjallë ta njohin njëri-tjetrin. Por dhe të vdekur dinë të pikë-takohen. Mirupafshim së shpejti Jusuf!…Memorie.al