Antarktida, e cila është pothuajse katër herë më e madhe se Shtetet e Bashkuara, është pothuajse tërësisht e mbuluar nga një shtresë akulli disa kilometra e trashë.
Por Poli i Jugut nuk ka qenë gjithmonë i ngrirë. Pra, kur ka qenë hera e fundit që Antarktida ka qenë pa akull?
Kjo shtresë akulli u formua relativisht vonë në terma gjeologjikë, thanë ekspertët për Live Science. “Mendoj se shumica e njerëzve do të thoshin se rreth 34 milionë vjet më parë u formua për herë të parë shtresa e akullit në Antarktidë,” tha Eric Wolff, paleoklimatolog në Universitetin e Kembrixhit. “Më parë, pjesa më e madhe e saj do të ketë qenë si Kanadaja veriore sot, tundër dhe pyje halore.”
Temperaturat globale janë një faktor kyç që ndikon në shtrirjen e akullit. Rreth 50 milionë vjet më parë, bota ishte rreth 14 gradë Celsius më e ngrohtë se sot, por temperaturat ranë gradualisht gjatë 16 milionë viteve që pasuan. Deri rreth 34 milionë vjet më parë, një periudhë e njohur si kufiri Eocen-Oligocen, klima ishte 8 gradë Celsius më e ngrohtë se sot.
Por çfarë e shkaktoi këtë rënie të temperaturave dhe a ishte kjo e vetmja arsye që u formuan shtresat e akullit?
“Janë dy faktorë dhe ndoshta të dy kanë ndikuar,” tha Wolff për Live Science. “Njëri është ndryshimi në përqendrimin e dyoksidit të karbonit në atmosferë, dhe tjetri është lëvizja e kontinenteve dhe, në veçanti, hapja e Kalimit të Dreikut,” ngushtica midis Amerikës së Jugut dhe Antarktidës që lidh Atlantikun e Jugut me Paqësorin e Jugut.
Sa më shumë dyoksid karboni të ketë në atmosferë, aq më shumë nxehtësi mbahet dhe planeti bëhet më i ngrohtë.
Nga rreth 60 deri në 50 milionë vjet më parë, përqendrimi i dyoksidit të karbonit në atmosferën e Tokës ishte shumë i lartë, rreth 1000 deri në 2000 pjesë për milion, ose rreth 2.5 deri në 5 herë më shumë se sot, tha Tina van de Flierdt, gjeokimiste në Imperial College London.
“Por ne e dimë se CO2 në atmosferë ra gjatë periudhës së kufirit Eocen-Oligocen,” tha ajo për Live Science. Kjo ulje e CO2 në atmosferë do të ketë qenë shoqëruar me ftohje të klimës globale, shtoi ajo, duke e çuar ndoshta Tokën përtej një pragu që lejoi formimin e shtresave të akullit.
Megjithatë, ka të ngjarë që të ketë pasur edhe ftohje lokale në kontinentin e Antarktidës për shkak të tektonikës së pllakave, tha Wolff. Pikërisht në këtë periudhë, Amerika e Jugut dhe Antarktida u ndanë përfundimisht, duke hapur atë që sot quhet Kalimi i Deikut.
“Kjo çoi në atë që ne e quajmë rrymë qarkore polare, ujë që qarkullon rreth Antarktidës në një rreth,” tha Wolff. “Kjo e izolon Antarktidën nga pjesa tjetër e botës dhe e bën shumë më të vështirë që masat e ajrit të ngrohtë të kalojnë Oqeanin Jugor dhe, për rrjedhojë, Antarktida bëhet më e ftohtë.”
Tektonika e pllakave ndikoi gjithashtu drejtpërdrejt në nivelet e dyoksidit të karbonit, shtoi ai. Shpërbërja e shkëmbinjve dhe aktiviteti vullkanik janë pjesë e ciklit të karbonit, kështu që gjatë mijëra viteve proceset gjeologjike mund të ndryshojnë ekuilibrin e gazrave në atmosferë.
Megjithëse ende ka disa pasiguri, studiuesit janë mjaft të sigurt për këtë ndryshim që ndodhi rreth 34 milionë vjet më parë falë gjurmëve kimike në sedimentet e shkëmbinjve. Atomet e oksigjenit ekzistojnë në dy forma: oksigjen-16 (oksigjeni i zakonshëm) dhe oksigjen-18 (oksigjeni më i rëndë). Akulli kontinental përmban një përqindje më të madhe të oksigjenit më të lehtë 16, që do të thotë se oqeanet, dhe kështu edhe guaskat e krijesave të vogla detare, përmbajnë më shumë oksigjen-18 kur shtresat e akullit janë më të mëdha.
“Kur shikon izotopet e oksigjenit në guaskat karbonate të krijesave të vogla detare në sedimentet e oqeanit, sheh një ndryshim të madh rreth 34 milionë vjet më parë, të cilin njerëzit e interpretojnë si pasojë e faktit që izotopi më i lehtë i oksigjenit po kalonte në kontinentin e Antarktidës,” shpjegoi Wolff.
Sa i përket pyetjes nëse Antarktida mund të bëhet ndonjëherë përsëri pa akull, “është padyshim e mundur,” tha van de Flierdt. “Planeti Tokë e ka bërë këtë më parë. Planeti Tokë mund ta bëjë përsëri.” Ndërsa është e pamundur që aktiviteti njerëzor të shkrijë plotësisht gjithë shtresën e akullit, ajo shtoi se është e rëndësishme të bëjmë gjithçka që mundemi për të kufizuar humbjen e akullit në Antarktidë tani. “Është në duart tona të shmangim skenarin më të keq,” tha van de Flierdt.







