Ballina Dossier Një histori bese, nderi dhe sakrifice kombëtare

Një histori bese, nderi dhe sakrifice kombëtare

113
0

Nga Gjekë Gjonaj 

Në kohët e pushtimit, shqiptari nuk dënohej sepse kishte bërë keq, por sepse nuk pranonte të nënshtrohej. Shqiptari, kur i merret liria, nuk thyhet – përkundrazi, ngrihet. Kështu ndodhi edhe me arratisjen e dy shqiptarëve – njëri nga Hoti, tjetri nga Kraja- nga burgu famëkeq i Tivarit. Aty ku muret nuk mbyllnin vetëm trupat, por synonin të thyenin shpirtrat. Aty ku muret ishin të trasha dhe shpresa e hollë, Tomë Nikë Gojçaj i njohur si Tomë Nika i Hotit dhe një krajan, emrin e të cilit nuk arrita ta zbujoj, nuk e humbëm shpresën. Ata e dinin se burgu nuk ishte fundi, por një provë tjetër e karakterit.

Në historinë shqiptare, ka momente kur njeriu përballet me pushtetin dhe zgjedh, ose të thyhet, ose të ngrihet. Hotiani dhe krajani zgjodhën të dytën. Ata në errësirat e burgut nuk kërkonin mëshirë, por bashkëkombës, sepse shqiptari në burg kërkon vëlla.

Dhe fati i solli përballë njëri-tjetrit. Kjo nuk është vetëm histori trimërie, por është histori dinjiteti dhe besimi te tjetri, të cilën ma tregoi mërgimtari hotinan, Shtjefën Gojçaj, me banim në Miçigan-Detroit.

Hoti dhe Kraja në një qeli

Në qelitë e errëta të burgut të Tivarit, Toma pa shumë të burgosur, por kërkonte me ngulm ndonjë shqiptar nga Shkodra ose rrethinat. Aty takoi një fshatar nga Kraja. U bashkuan dy burra, dy treva, një fat. Hoti dhe Kraja u takuan në një qeli. Jo si krahina shqiptare, por si ndërgjegje shqiptare. Ky nuk ishte thjesht një takim i rastësishëm. Ishte bashkim i dy krahinave që ndanin të njëjtin ideal: lirinë. Pa njohje të mëparshme, pa interesa personale. Vetëm një fjali mjaftoi: “Kam ndërmend të iki”. Përgjigjja erdhi si betim: “Jam gati të vij me ty. Por si”?

Toma kur mësoi se nëna krajane i binte ushqim djalit të saj dhe se kishin dele, e porositi: ”Thuaji nënës të zërë kos shumë të trashë. Brenda kosit të fusë një limë pa bisht, që të mos duket se ka diçka të fshehur”. Kaq mjaftoi. Kjo është besa shqiptare, një marrëveshje morale që nuk thyhet, një nga shtyllat më të rëndësishme të etikës dhe traditës sonë kombëtare. Thyerja e saj konsiderohej turpi më i madh moral në shoqërinë tradicionale shqiptare.

Nëna krajane – heroina e heshtur

Plani i arratisjes u mbështet mbi një figurë që rrallë përmendet në kronikat zyrtare: nënën e krajanit, e cila nuk mban armë, por mban botën mbi supe. Ajo pranoi të rrezikonte jetën për djalin dhe për një burrë që nuk e kishte parë kurrë. Por e dinte se është shqiptar. Në një kusi me kos të trashë fshehu limën me të cilën do t’i prenin hekurat. Nëna e guximshme dhe burrërershë krajane kaloi përmes kontrollit të rojeve të burgut, por nuk i gjetën asgjë të dyshimtë dhe ia dorëzoi djalit mjetin e shpëtimit.

Nëna shqiptare, në kohë pushtimi, nuk është vetëm nënë. Ajo është shtyllë e qëndresës, është ndërgjegje kombëtare, është symbol, është zemra morale e kombit, pa zhurmë, pa lavdi, pa flamuj, pa këngë. Vetëm me sakrificë.

Plani i arratisjes

Me veglën në dorë, Toma i tha krajanit: “Këtë limë do ta përdorim për me i pre hekurat”.

Krajani u step: “Jemi në një lartësi të madhe. Nëse hidhemi, do të bëhemi copë-copë mbi shkëmbinjtë gëlqerorë”

ia shpjegoi planin me qetësi ushtarake: “Kur të vijnë rojat, do të jenë dy. Njëri do të jetë më i madh, kurse tjetri më i vogël. Unë hidhem mbi të madhin, ti mbi të voglin. Kur ta rrëzosh, shkkëputia ( thyeja) qafën”.

Ata pritën çastin e volitshëm. Kur rojat po ndiznin cigaret, Toma i bëri shenjë krajanit. Nga kati i dytë u hodhën njëkohësisht. Toma, më i fuqishëm fizikisht, ia theu qafën rojës së parë. Por kur u kthye, pa rojen tjetër duke e mbytur krajanin me thonj në fyt. Me një kërcim të dytë, po aq të shpejtë e të saktë, Toma u hodh mbi rojën tjetër dhe e shpëtoi krajanin.

Arratisja nëpër shkëmbinj e gjemba

Pasi ata i shpëtuan rojes së burgut, prenë me limë grilat e hekurit. I shpërthyen ato dhe u ngjitën drejt një kreshte mali, përmes terrenit të egër me shkëmbinj të mprehtë si thika dhe gjemba të egër. Rojet e tjera u alarmuan, u vunë në veprim dhe nisën ndjekjen, duke qëlluar pa pushim. Plumbat fishkëllenin rreth tyre, ndërsa këmbët u çaheshin mbi gurë dhe trupat u gërvishteshin në shkurre. Lanë pas gjak e mish në shkurre, por arritën të shpëtonin. Ata nuk ikën vetëm nga burgu. Ata ikën nga poshtërimi drejt dinjitetit .

Besa e Krajës

Më në fund mbërritën në shtëpinë e krajanit, ku u fshehën me kujdes të madh.Të plagosur e të rraskapitur, hotinai dhe krajani kur arritën në Krajë, banorët nuk i pritën si të arratisur, por si bij. U dhanë ushqim, rroba, ua pastruan trupat e përgjakur, plagët dhe nuk kursyen asgjë. Pasi Toma u forcua pak nga lodhja u tha krajanëve t’ia tregojnë rrugën për në Hot, të cilën nuk e njihte. Edhe pse ai ishte i ndjekur nga dy ushtri armike, turke e malazeze dhe nga një familje shqiptare, nuk donte t’i vinte në rrezik. Megjithatë, ata e shoqëruan deri përtej liqenit të Shkodrës. Solidariteti i kësaj treve u shndërrua në mburojë njerëzore. Askush nuk pyeti për pasojat, askush nuk u tërhoq. Këtu komuniteti foli më fort se frika.

Kalimi i liqenit – betim kolektiv për jetë a vdekje

Vendimi i krajanëve për ta shoqëruar së bashku Tomën përtej liqenit të Shkodrës ishte kulmi moral dhe emocional i kësaj historie: “O kalojmë të gjithë, o vdesim të gjithë”.

Kjo fjali përmbledh filozofinë e mbijetesës shqiptare: individi nuk lihet vetëm, fati ndahet bashkë. Ky nuk ishte thjesht kalim gjeografik, ishte rit përkushtimi. Ky është kodi i mbijetesës sonë historike.

Rruga e vetmisë

Në ndarje, burrat u përqafuan. Krajanët u kthyen pa pasoja në shtëpitë e tyre. Toma mori rrugën për në Hot, i plagosur, i uritur , duke u fshehur gjatë gjithë udhëtimit, sepse ndiqej nga osmanët, shkijet, administrata e burgut dhe armiqtë e tij.

I rraskapitur nga plagët dhe uria, ai mbante me vete dhuratën e fundit të krajanëve: pak ushqim, kripë dhe një thikë që, në rast nevoje, të mund të therte ndonjë bagëti, ta piqte dhe të mbijetonte. Një histori që dëshmon se, edhe në kohët më të errëta, besa, guximi dhe solidariteti njerëzor mund të bëhen ura shpëtimi.

Mesazhi për sot

Kjo histori nuk është vetëm për dje.Ajo na flet sot. Na kujton se shqiptarët nuk janë bërë komb me fjalime, por me sakrifica. Jo me deklarata, por me plagë. Jo me privilegje, por me besë. Dy burra – një hotian dhe një krajan – pa ushtri, pa shtet, pa mbështetje ndërkombëtare, sfiduan burgun, perandoritë dhe frikën. Ata na lanë një testament moral: se liria nuk dhurohet, se vëllazëria nuk negociohet, se kombi mbijeton vetëm kur njerëzit janë gati të rrezikojnë për njëri-tjetrin.

Dhe sa herë që flasim për lirinë, duhet të kujtojmë edhe këta dy burra. Ata na treguan se atdheu fillon aty ku një shqiptar vendos të mos e lërë tjetrin vetëm.