Ballina Kulturë Poezia e pamoshë e një poeti lirik

Poezia e pamoshë e një poeti lirik

89
0

Nga Ndue Dedaj 

Nuk është për t’u habitur që çdo libër i ri poetik i poetit të mirënjohur Basir Bushkashi ngjanë më i freskët se tjetri; edhe pse mosha e tij ecën, poezia vazhdon të mbetet djaloshare, spontane, lirike, plot ngjyrë e mendim. I njëzeti vëllim poetik i tij, në më shumë se një gjysmë shekulli krijimtari, me titullin “Zërat e ndjenjave”, vjen pa bujë, siç rrugëton gjithnjë poezia e vërtetë në kohë dhe hapësirë. Nuk “gurgullon” tashmë në poezinë tij vetëm Mati, Shqipëria, por motivet janë dhe nga Italia, Gjermania e vise të tjera europiane.

Bushkashi është rasti i poetëve që i janë dorëzuar një ditë urdhrit të poezisë, në rininë e hershme gjimnaziste e studentore dhe kanë mbetur lëvrues besnikë të saj, pa ndërruar asnjëherë hulli dhe pa u tunduar për t’u shprehur me format e tjera letrare, siç është proza, qoftë dhe ajo e shkurtër. Poezia e tij, sa ç’është në dukje klasike për nga forma, është po aq bashkëkohore për nga ndjesitë, mënyra e të konceptuarit poetik dhe e ligjërimit. Poezia e tij është gjithëhere këngë e njeriut, si në rastin e kushtimeve të drejtëpërdrejta ndaj miqve krijues e të tjerë, ashtu dhe kur ajo është përgjithësuese.

“Të gjithë njerëzit,

Që kur lindin:

Ecin në ikje…”, shkruan poeti në poezinë “Një përndritje” dhe ti thua më vete, a mund të jetë poezia më origjinale se kaq!

Poeti nuk shkruan asnjëherë i sforcuar, kur nuk ka diçka për të shenjëzuar e ftilluar përmes vargut. Një nga motivet e tij është ai i diellit. Te poezia “Puthja e diellit” ai shprehet:

“Dielli më puth

Nxehtësisht,

Çdo ditë

Po lum

Kush diellin

E ruan në shpirt…”

Edhe në poezinë “Sikur”, ai e rimerr sërish këtë motiv:

“Kur shoh fëmijë

Nëpër qytet,

Më ngjan se dielli

Në tokë zbret…”

Ndodh jo rrallë që poezitë që poetët u kushtojnë vargjeve të tyre janë si një “grackë”, por jo të Bushkashi, i cili shpreh të vërtetën e tij poetike:

“Dhe kurrë me vargjet

Nuk patëm të ndarë:

Rritëm njëri-tjetrin

Jetës, nëpër valë…”

Mund të jenë bërë krahasime nga më të larmishmet për poetët, por për Basirin “Ata, shpirtbukurit” janë: “Si qielli pa ré”. “Mua më shqetëson / Zymtësia e një reje” shprehet diku tjetër autori, fundja ky është poeti që mbart jo vetëm shqetësimet mëdha të botës, por dhe një detaj kaq specifik si… zymtia e njeriut.

Poezia e këtij poeti është e thjeshtë vetëm në dukje, pasi brenda saj ka një dinamikë mjaft kreative. Edhe kur ai shkrun për motive të njohura, si vendlindja, malet, lumi, malli etj. sjell gjithnjë diçka të re. Kështu poezia “Malet” është një sintezë poetike e rrallë: “Dhe kur në male / Zjarrmojnë / Rrufetë / Malet / Po male / Kryepërpjetë…”, ku nuk është vështirë, përmes metaforës, të identifikosh shqiptarët në shekuj. Ke dëshirë ta mësosh përmendësh këtë disitik, që këngëzon brenda teje. Poezi të tilla – kredo has në të gjithë librat e poetit, ashtu si dhe lirikat e ndjenjave e dashurisë, që në vëllimin e fundit janë ndër më të arrirat, si poezia “E rroka të tërën” për çka… “Dëshmi kam hënën”. Në vazhdën e lirikave plot ndjesi të bukura është dhe ajo me titull “Eh, si nuk pashë!”, kushtuar vashës me çadër, ku i lutet shiut të “pushoje” pak, sa t’ia shohë sytë, por shiu s’e dëgjon e ai as nuk bëhet dot erë, që t’ia ngrejë çadrën: “Ta shihja njëherë…” Poezi të tilla me fabul artistike më mirë shijohen, pasi komentet sikur ua zbehin vlerën.

Poezia me tingëllimë gazmore “Dallgët e ndjenjave” i kushtohet një italianeje “që e pi kafen brenda” në lokal, ndërsa “unë pi kafe jashtë”, ku:

“…dallgët e ndjenjave

Ne n’na rrëmbefshin:

Do e thyjmë dhe xhamin

Do e thajmë dhe detin…”

Në këtë vazhdë janë dhe poezitë lirike dashurore “Dielli”, “Një urë”, “Bukuroshe ëmbël”, “Krejt rastësisht”, “Ura e të dashuruarve” etj.

Dhe sakaq poeti shndërrohet në një djalosh çapkën:

“E, unë, etur

Të shoh nga larg:

Ah, sikur

Të isha fllad…!

Në Verona poeti pozon bashkë me Zhulietën në bronz, duke iu drejtuar asaj me një solemnitet artistik mahnitës:

“…E florinjta, e dhembshur

Derdhur në skulpturë,

Renkon nëper shekuj

E prehje s’gjen kurrë…”

Femra në poezinë e Bushkashit është e pranishme kudo, në çdo ndjesi, reliev e fjalë, që i frymëzon atij motive të pamosha.

“Se s’të deshi jeta

Sa e doje ti”, i drejtohet ai Ema Bovarisë.

Personazhe të tij janë që nga Diogjeni, “Pindari i madh / Poeti i lashtësisë” e deri te bashkëqytetarët e tij, me të cilët ngjatjetohet përditë rrugëve të Burrelit, ku jeton më së shumti poeti; por dhe si shtegtar “Udhëve qiellore / Nëpër kaltërsi”, teksa në tokën gjermane e pret një mik, të cilit i drejtohet:

“Erdhëm, Klajdi, erdhëm

Ja, prit dhe pak:

Ne me sy nga poshtë,

Ti më sy nga lart…”

Një detaj që vetëm sytë e përfytyrimit të poetit e bëjnë aq poetik. Poezia tjetër “Nëpër Frankfurt” vjen si një këngë plot melodi, që sikur e fërshëllën nën zë, teksa lëviz në qytetin e Gëtes, ku:

“E, me tej, një vajzë

Me rroba sportive,

Thua se ka zbritur

Nga bota e yjeve…”

Poezia e Basirit është plot befasi: “S’e shoh dot erën / Kurrësesi / Se s’e ka parë / Asnjeri…”, apo: “Çdo ditë Atdheu / Më i pakë: / Qiejt e dhimbjes / Digjën flakë…” Poezia e tij kumbon së thelli si zë i tokës, kundër atyre që “E llahtarojnë: Përditë me të vrarë…”

Në të njëjtën vazhdë, në poezinë “Oqeani i ngrirë”, thotë:

“Po kur nisën luftërat

Çfarë nuk pa me sy:

Dhe u shtang i tëri

Dhe nisi me ngri…”

Befasuese dhe e bukur është dhe poezia “Nëpër ëndërra”:

“Po, kur shoh ëndërra

Që jeta s’m’i gjen,

I them ëndrrës

Ëndërr, rrëmbemë…!

Asnjë poet nuk i shpëton asaj që mund të quhet poezia sociale, ku Bushkashi spikat me disa të tilla, duke fshikulluar njerëz dhe vese:

“Sa më çudisin

Ca mediokër,

Sikur prej tyre

Globi vjen rrotull”;

apo poezia tjetër “Mallkimi i pyllit”, ku vrasësi i tij tani ecën në qytet me paterica. Ashtu si poezia “Kohë moderne”:

“Mbeta i shtangur

Për ç’pashë:

Njerëz dhe qen

Lehnin bashkë…”

Tejet e ndjerë dhe origjinale është poezia “Na ishte njëherë”, që evokon vdekjen e njeriut, që më pas njerëzit do ta thonë si një përrallë. Filozofike dhe e veçantë është dhe poezia “Ca gardhe”. Poeti është padyshim dhe misionar i njerëzimit:

“E unë, në mendime,

Ndër vete rashë:

Sikur githë popujt,

Të kërcenin bashkë…”

Basir Bushkashi është një poet i pamoshë dhe i motiveve përherë të gjetura. Në fundin e shumë vargjeve, strofave, poezive ka retiçensë, çka të shtyn jo vetëm ta kërkosh më thellë asaj që duket esencën popetike, por të presësh sërish e sërish në kohët që vijnë poezi gjithë ndjesi e bukuri fjale nga ky poet lirik prej motesh i dëshmuar si i tillë. Për të përdorur një fjalë të patapëlqyer të tijën, poezia e tij “yllëson” në qiellin e poezisë shqipe.