Ballina Aktualitet Rrjoll/ Shpellzaj pretendon se i kanë dhunuar djalin, banorët e mohojnë: I...

Rrjoll/ Shpellzaj pretendon se i kanë dhunuar djalin, banorët e mohojnë: I shkuam për dokumentet, na doli me 15 vetë

154
0

Konflikti për pronën në Rrjoll të Shkodrës ka përshkallëzuar në dhunë të ashpër fizike mes palëve. Një reagim publik është bërë nga ish-drejtori i Kadastrës, Fatmir Shpellzaj, i cili thotë se djali i tij është dhunuar barbarisht nga banorët e Rrjollit. Shpellzaj akuzohet nga këto të fundit si zyrtari që u ka falsifikuar dokumentet dhe u ka vjedhur pronën për t’ia dhënë më pas ndërtuesit dhe botuesit Bashkim Ulaj për të ndërtuar resortin luksoz në tokën e tyre.

Sipas tij, ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme jashtë ambienteve të një televizioni ku ai ishte i ftuar. Shpellzaj thotë se djali kishte ardhur së bashku me një shokun e tij për ta shoqëruar, ku dhe është sulmuar fizikisht. Ish-drejtori i Kadastrës tregon se i biri dhe shoku i tij e kaluan natën në spital për shkak të frakturave të rënda që kishin marrë si pasojë goditjeve.

“Si një çetë e tërbuar nga fakti që dokumentet dhe ligji janë kundër tyre, e tërhoqën zvarrë dhe e dhunuan në mënyrën më të rëndë, deri sa përfunduam në spital, ku qëndruam deri në mëngjes, aq sa pas Spitalit Nënë Tereza na u desh të kalojmë për mjekim më të specializuar tek Trauma”, thuhet ndër të tjera në reagimin e Fatmir Shpellzës.

Mirëpo, Prekë Molla, përfaqësues i banorëve të Rrjollit e ka mohuar këtë version. Molla thotë se djali i Fatmir Shpellzajt e ka provokuar fillimisht duke e përplasur me sup dhe më pas, i shoqëruar me 10-15 vetë, ka sulmuar banorët. Sipas Mollës, ata kanë qenë dhe të armatosur dhe të pajisur me shkopinj bejsbolli.

Kjo situatë thotë Molla, provokoi dhe banorët e tjerë të pranishëm, të cilët u kundërpërgjigjën. Si pasojë thotë ai, disa prej tre kanë mbetur të lënduar, ndërsa pretendon dhe për kërcënime nga ana e djalit të Fatmir Shpellzajt. Prekë Molla gjithashtu ka publikuar dhe një foto të automjetit të tij me xhamin e parmë të thyer, duke pretenduar se është veprim i djalit të Fatmir Shpellzës dhe personave të tjerë që e shoqëronin. Prekë Molla ka thënë se ata i janë afruar me qëllim për t’i marrë dokumentet duke menduar se djali i Shpellzës ishte vetëm.

Ndërkohë ngjarja e ndodhur mbrëmjen e djeshme po hetohet nga policia ndërsa palët janë shoqëruar në komisariat dhe tashmë po hetohen në gjendje të lirë.

Në Rrjoll përplasjet mes banorëve, Bashkim Ulajt e policisë vijojnë prej më shumë 1 muaji. Banorët pretendojnë se Shpellzaj u ka vjedhur pronën duke u falsifikuar dokumentet dhe ia ka dhënë Ulajt për të ndërtuar resortin.