Auditimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka nxjerrë në pah probleme në funksionimin e sistemit të arkivit digjital të Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, i cili synonte modernizimin e administrimit të dosjeve historike dhe lehtësimin e aksesit në dokumente.
Sipas raportit, në vitin 2022 është realizuar një procedurë prokurimi për blerjen dhe instalimin e një sistemi digjital për arkivimin e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit, projekt i financuar nga Qeveria Suedeze në kuadër të modernizimit të infrastrukturës së institucionit. Sistemi synonte të mundësonte kërkim më të shpejtë të dokumenteve arkivore dhe analizë më të strukturuar të të dhënave historike.
Megjithatë, auditimi konstaton se pas marrjes në dorëzim të sistemit në korrik 2022, deri në dhjetor 2023 ai nuk ka funksionuar në mënyrë efektive, pasi databaza nuk ishte populluar me të dhënat e nevojshme dhe sistemi nuk gjeneronte raporte të përdorshme për qëllime institucionale. Sipas KLSH-së, edhe pse modulet teknike ishin instaluar, mungesa e hedhjes së të dhënave ka penguar përdorimin real të sistemit.







