Ballina Kronika Toyota Auris, Gjykata Evropiane rrëzon ankesën e Radovan Çelës kundër SPAK-ut

Toyota Auris, Gjykata Evropiane rrëzon ankesën e Radovan Çelës kundër SPAK-ut

126
0

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, GJEDNJ, ka refuzuar të marrë në shqyrtim ankimin e avokatit Radovan Çela në lidhje me pretendimet se në hetimet e SPAK ndaj tij ishin shkelur dy nene të konventës për të drejtat e njeriut. GJEDNJ gjeti se Çela nuk kishte ezauruar ankimin në sistemin shqiptar të drejtësisë.

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, GJEDNJ, ka shpallur të papranueshme një padi të ngritur nga avokati Radovan Çela kundër shtetit shqiptar, e cila sfidonte ligjshmërinë e një kontrolli të ushtruar në banesën dhe zyrën e tij në shkurt të vitit 2022.

Vendimi, i cili mban datën 20 janar 2026 dhe i njoftuar palëve në 12 shkurt, thekson se aplikanti nuk ka shteruar mjetet e brendshme juridike në Shqipëri përpara se t’i drejtohej gjykatës ndërkombëtare, një kriter thelbësor për pranimin e ankesave në Strasburg.

“Nga kjo rrjedh se ankesa sipas Nenit 8 të Konventës, për sa i përket kontrollit të zyrës së kërkuesit, duhet të hidhet poshtë sipas Nenit 35/1 dhe 4 të Konventës për mosshterim të mjeteve juridike të brendshme”, thuhet në vendimin e Strasburgut.

Me të njëjtin argument gjykata rrëzoi edhe ankimin sipas Nenit 13, për sa i përket kontrollit të zyrës së kërkuesit. Gjykata thotë se “kërkuesi kishte një mjet juridik efektiv në dispozicion të tij në këtë drejtim”.

Në njoftimin e gjykatës thuhet se Çela në ankesën e tij në GJEDNJ, pretendoi se vendimi për kontrollin e shtëpisë dhe zyrës kishte shkelur Nenin 8 të Konventës Evropiane, “E drejta për respektimin e jetës private dhe familjare” dhe shkelje të Nenit 13, “E drejta për një zgjidhje efektive”, duke argumentuar se nuk kishte pasur asnjë mjet ligjor në dispozicion për të apeluar urdhrin e kërkimit.

Kontrollet ndaj avokatit Çela e kanë origjinën në një letër porosi të autoriteteve të Belgjikës. Në mars të vitit 2020, Gjykata e Shkallës së Parë në Bruksel i kërkoi autoriteteve shqiptare të kontrollonin të dhënat kompjuterike, telefonat dhe postën elektronike të Çelës, si pjesë e një hetimi të gjerë për veprat penale të “pastrimit të parave” dhe “falsifikimit të dokumenteve”.

Në atë kohë, Çela po përfaqësonte si avokat interesat e të dyshuarve si të përfshirë në atë që njihet publikisht si dosja Toyota Auris, për trafikimin dhe pastrimin e 3.4 milion eurove.

Në maj të vitit që shkoi Gjykata e Posaçme shpalli fajtor avokatin Radovan Çela për veprat penale të korrupsionit dhe ndikimit të paligjshëm, duke e dënuar atë përfundimisht me 2 vjet e 8 muaj heqje lirie. Bashkë me Çelën fajtor u gjet edhe ish-prokurori Aurel Zarka, çështja ndaj të cilit po rishqyrtohet në apel. Ndërkohë për çështjen nën akuzë janë edhe persona të tjerë.

Më herët, në korrik 2022, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë e kishte rrëzuar një ankesë të ngjashme të avokatit po me argumentin e mos-shterimit të mjeteve të brendshme./BIRN/