Në gusht të vitit 1972, nga internimi, Liri Belishova i drejtohet edhe një herë Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë. Nuk ishte letra e parë. Ishte vetëm një tjetër përpjekje pas shumë kërkesash të mëparshme që kishin mbetur pa përgjigje.
Letra mban datën 8 gusht 1972 dhe fillon me një fjali që përmbledh gjithë dramën e saj personale:
“Kam 11 vjet e ca pa u takuar me tim shoq, Maqo Çomon.”
Belishova kujton në letër se nga 23 janari deri më 26 qershor 1961 ajo dhe burri i saj kishin qenë të internuar bashkë. Pas kësaj periudhe familja u nda. Vitet kaluan dhe në 1967 Maqo Çomo u arrestua dhe u dënua me 10 vjet burg. Që nga ajo kohë, megjithë kërkesat e vazhdueshme, ajo shkruan se nuk i ishte lejuar asnjëherë ta takonte.
Por drama nuk mbaron me kaq.
Në të njëjtën letër ajo përmend edhe vëllanë e saj, Bardhyl Belishovën. Prej rreth 12 vitesh edhe me të ishte ndarë. Kishte mundur ta shihte vetëm një herë, për pak minuta, shumë vite më parë. Pas kësaj ai ishte arrestuar dhe dënuar me 25 vjet burg, dhe që nga ajo kohë nuk e kishte parë më.
Në rreshtat e saj, Belishova shpjegon se kishte bërë shumë kërkesa për t’u lejuar një takim të tillë, por përgjigjja kishte qenë gjithmonë e njëjtë: refuzim ose heshtje.
“Organet e punëve të brendshme kanë refuzuar kërkesat tona ose nuk na janë përgjigjur fare”, shkruan ajo.
Megjithatë, ajo vazhdon të kërkojë ndërhyrjen e shtetit. I drejtohet Prokurorit të Përgjithshëm duke argumentuar se mohimi i këtij takimi përbën një shkelje të një të drejte elementare njerëzore.
Belishova shkruan se nuk mund të ekzistojë një ligj që ndalon takimin e një gruaje me burrin e saj apo të një motre me vëllanë, pavarësisht nëse ata janë të internuar apo të burgosur.
Në një nga rreshtat më të fortë të letrës, ajo shkruan se një ndalim i tillë nuk mund të jetë i drejtë as ligjërisht dhe as njerëzisht. Ajo kujton se edhe të burgosurit e tjerë që kanë gra të internuara lejohen të takohen me familjen e tyre dhe se kjo është një gjë e drejtë dhe e kuptueshme.
Në fund, kërkesa e saj mbetet e thjeshtë.
Ajo kërkon vetëm të lejohet të shohë burrin dhe vëllanë e saj, njerëzit më të afërt që nuk i kishte parë prej më shumë se një dekade.
“Ju lutem shumë të më përgjigjeni”, shkruan ajo në fund të letrës.
Poshtë rreshtave mbetet firma e saj:
Liri Belishova
Sot, këto letra mbeten një dëshmi e fortë e dramës njerëzore që përjetuan shumë familje gjatë diktaturës. Nuk janë dokumente të gjata dhe as deklarata politike. Janë vetëm disa faqe të shkruara me dorë nga një grua që i kërkonte shtetit diçka shumë të thjeshtë: të drejtën për të parë njerëzit e saj më të dashur.
Ironia e historisë është se pas vitit 1991, Liri Belishova mbeti e vetmja ish-anëtare e Byrosë Politike që kërkoi publikisht falje për krimet e regjimit komunist. Por në vitin 1972 ajo ishte vetëm një grua e internuar që priste një përgjigje nga shteti — një përgjigje për një kërkesë që në çdo shoqëri normale do të ishte e vetëkuptueshme./vna







