Ballina Aktualitet Bledar Teferiçi denoncon krizën e arsimit profesional: Shkollat e mbyllura, nxënësit detyrohen...

Bledar Teferiçi denoncon krizën e arsimit profesional: Shkollat e mbyllura, nxënësit detyrohen të largohen jashtë vendit

79
0

Gjatë takimit, fjalën e tij e mbajti edhe Bledar Teferiçi nga Kavaja, i cili prej 10 vitesh, nga 2009 deri në 2018, ka qenë drejtor i shkollës “26 Marsi”.

Ai u shpreh se situata e arsimit profesional në Shqipëri është në krizë totale, ku propaganda qeveritare për rritje dhe zhvillim fsheh realitetin e hidhur: numri i nxënësve ka rënë krahasuar me 2005-ën, shkollat rikonstruktohen vetëm për t’u mbetur të mbyllura, dhe pjesëmarrja e vajzave është jashtëzakonisht e ulët.

Teferiçi denoncoi përqendrimin e arsimit profesional në Tiranë dhe pak qytete të mëdha, duke lënë më shumë se 50% të territorit pa mbulim, dhe theksoi shembuj konkretë, si shkolla “26 Marsi” në Kavajë, e cila, edhe pas një rikonstruksioni prej 1.5 milionë eurosh, mbetet e mbyllur.

Ai paralajmëroi se mungesa e strategjisë dhe menaxhimi i keq i infrastrukturës po detyron nxënësit të braktisin shkollat lokale, duke zgjedhur arsimin jashtë vendit, dhe kërkoi ndërhyrje urgjente për të rikthyer arsimin profesional nën administrimin e plotë të Ministrisë së Arsimit dhe për t’i dhënë qytetarëve mundësi reale për të ndjekur këtë degë.

Pjesë nga deklarata:

Atëherë, unë do të ndalem pak në arsimin profesional. Jemi në një realitet ku propaganda qeverisëse, kundrejt realitetit të hidhur, është në një humnerë që vazhdon të thellohet çdo ditë. Retorika e qeverisjes për rritjen e regjistrimeve në arsimin profesional në vitet 2020-2025, e shprehur në përqindje, është retorikë tipike e propagandës së Rilindjes, që synon fshehjen e realitetit dhe dështimin e politikave të ashtuquajtura arsimore në arsimin profesional.

Në tabelën në monitor keni një statistikë të thjeshtë: në vitin 2005, numri i regjistruar në arsimin profesional ishte afërsisht 18,000 nxënës. Në vitin 2018, ky numër ishte 21,000. Ndërsa sot, në analizën e vitit 2025, edhe pse kanë 12 vite në pushtet dhe kanë harxhuar miliarda, shifrat janë 17,000 nxënës. Kundrejt Bashkimit Europian, ku 40-60% e nxënësve të arsimit të mesëm shkojnë në arsimin profesional, ne kemi vetëm 15-18%.

Situata është edhe më alarmante për vajzat: vetëm 15% e nxënësve në arsimin profesional janë vajza, krahasuar me 42-44% në Bashkimin Europian. Ky realitet hedh poshtë propagandën dhe retorikën boshe të qeverisjes së Rilindjes.

Një fakt tjetër tronditës për vitin 2025 është se, edhe pse politika shtetërore synon rritjen e arsimit profesional, INSTAT nxjerr se vetëm 15% e vajzave ndjekin këtë degë. Shqipëria ndoshta është vendi i vetëm në Europë dhe më gjerë ku arsimi profesional nuk është nën administrimin dhe përgjegjësinë e Ministrisë së Arsimit. Në programin elektoral të vitit 2025, ne kemi këmbëngulur se me ardhjen tonë në qeverisje do ta rikthejmë arsimin profesional në Ministrinë e Arsimit, një nga detyrat tona kryesore.

Institucionet dhe organet qeverisëse vendore nuk kanë asnjë kompetencë dhe marrëdhënie administrative me shkollat e arsimit profesional. Në Shqipëri ka 61 bashki, të ndara në 12 qarqe, ndërsa sot janë vetëm 31 shkolla dhe 11 qendra formimi profesional, tre prej të cilave në Tiranë. Pra, arsimi profesional është përqendruar në pak qytete të mëdha, duke lënë 50% të territorit të pambuluar, krahasuar me 2005-2013, kur shkolla dhe qendrat e formimit profesional ishin pothuajse në çdo qytet.

Ky është një fakt domethënës. Një nga këmbënguljet e mia ka qenë që të ofrojmë shërbimin e arsimit profesional drejt çdo qytetari. Për shembull, nxënësit e Kukësit kanë braktisur shkollën “Hafzi Nela” dhe studiojnë në Prizren një fakt tejet tronditës.

Edhe pse janë investuar miliona euro për rikonstruksion, shumë shkolla janë të mbyllura. Qeverisja bën tendera, vjedh para taksapaguesve, hedh në tulla, tjegulla dhe mure, por nuk i arredon shkollat dhe nuk ka strategji ose politika për arsimin profesional. Një shkollë që kam drejtuar për nëntë vite, “26 Marsi” në Kavajë, është e mbyllur prej dy vitesh.

Në eksperiencën time personale, kam fituar dy herë gjyq për largime nga puna, por edhe pas fitoreve, shkolla ka qenë e mbyllur. Rikonstruksioni i saj ka kushtuar 1.5 milionë euro, por sot është e braktisur. Për këtë arsye, kam dërguar çështjen në prokurori, por sistemi gjyqësor, i ndikuar nga ndërhyrjet politike, e ka lënë çështjen për moskompetencë në gjykatën administrative.