Ballina Aktualitet Bllokimi i autorizimit për heqjen e imunitetit, SPAK paralajmëron shtyrjen e hetimeve...

Bllokimi i autorizimit për heqjen e imunitetit, SPAK paralajmëron shtyrjen e hetimeve me dy vite për Belinda Ballukun

101
0

Tensionet politike dhe institucionale janë shtuar pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për arrestimin e deputetes dhe ish-zv/kryeministres Belinda Balluku, ndërsa procedura parlamentare për heqjen e imunitetit të saj po shkon drejt limiteve kohore.

SPAK paralajmëroi këtë të premte se çështjet më komplekse hetimore mund të zgjasin përtej afatit standard prej 6 muajsh, duke u shtrirë deri në 2 vite. Sipas institucionit të drejtësisë, këto dosje trajtohen nga një prokuror i posaçëm dhe dy hetues, për të garantuar analizë më të thelluar dhe hetim të specializuar.

“Çështjet komplekse zgjaten përtej afatit prej 6 muajsh deri në 2 vjet. Për t’i përfunduar këto çështje angazhohet një prokuror i posaçëm dhe dy hetues”, nënvizoi dje SPAK gjatë një reagimi të shpërndarë në rrjetet sociale.

Por ky paralajmërim shihet si sinjal se dosja, ku po hetohet Balluku konsiderohet ndër më sensitive në nivel politik dhe juridik. Ndërkohë në Kuvend po vijon përplasja mes mazhorancës dhe opozitës për votimin e kërkesës së SPAK për arrestimin e saj. Opozita ka kërkuar që çështja të futet urgjentisht në rendin e ditës, duke akuzuar shumicën socialiste se po zvarrit procesin për të penguar procedurën.

Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, deklaroi se afati ligjor po mbaron dhe se kërkesa rrezikon të konsiderohet e rrëzuar nëse nuk votohet brenda pak ditësh. Nga ana tjetër, kreu i grupit socialist Taulant Balla tha se PS nuk e ka ende gati raportin e saj dhe se vendimi do të merret në mënyrë kolegjiale nga deputetët socialistë.

Ai siguroi se votimi do të zhvillohet brenda afatit tre mujor dhe pritet të mbahet në seancën e 12 marsit. Raporti i opozitës në Këshillin e Mandateve është dorëzuar tashmë dhe rekomandon votën pro kërkesës së SPAK për masë arresti ndaj Ballukut. Dokumenti mbështetet në provat e paraqitura nga prokuroria, në jurisprudencën kushtetuese dhe në rekomandimet e Komisionit të Venecias. Ndërkohë, zhvillimet rreth kësaj dosjeje kanë tronditur skenën politike, pasi hetimet e SPAK pritet të prekin edhe figura të tjera të rëndësishme të politikës shqiptare.

Në fokus të drejtësisë janë edhe disa nga emrat më të njohur të politikës në vend. Mes tyre përmendet ish-kryeministri SaliBerisha, i cili po hetohet për çështjen e kompleksit “Partizani” si dhe për zhvillimet që lidhen me ngjarjet e 21 janarit. Gjithashtu në vëmendje të organeve të drejtësisë është edhe ish-presidenti Ilir Meta për aferën e njohur CEZ-DIA, një nga dosjet më të diskutuara në vitet e fundit. Po ashtu, në listën e figurave të rëndësishme politike për të cilat drejtësia ka hapur hetime përfshihet edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.

Në këtë kontekst, paralajmërimi i SPAK se hetimet për çështje komplekse mund të zgjasin deri në dy vite shihet si një sinjal se proceset ndaj figurave të rëndësishme politike mund të jenë të gjata dhe të thelluara, ku në finalë çdo i korruptuar dhe inkriminuar e presin prangat (burgu). Pra ky paralajmërimi i Prokurorisë së Posaçme (SPAK) nëse hetimet janë të komplikuara mund të zgjasin 2 vite është në

Çfarë ka ndodhur?

Ndërkohë kujtojmë se procedura parlamentare për kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, SPAK për arrestimin e deputetes Belinda Balluku po shkon drejt limiteve kohore, ndërsa mazhoranca socialiste po zvarrit votimin në seancë plenare me pretendimin se nuk kanë ende një qëndrim politik.

Në seancën e së enjtes, opozita kërkoi përfshirjen në rend të ditës të votimit të raportit të anëtarëve të saj në Këshillin e Mandateve dhe akuzoi mazhorancën se po kërkon të dështojë procedurën parlamentare, duke shkelur limitet kohore 3-mujore që parashikohen për këtë procedurë. Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, tha se “kërkesa ka natyrë urgjente ndërkohë që dhe një javë ka mbetur që të konsiderohet e rrëzuar”. Por, kryetari i grupit socialist Taulant Balla tha se PS nuk kishte ende gati raportin e saj dhe as një vendim ‘kolegjial’ të grupit të deputetëve, ndërsa premtoi se votimi në seancë do të bëhej pa shkelur limitin kohor të 3 muajve.

Ai pretendoi se pas mbledhjes së fundit të Këshillit të Mandateve palët kanë 2 javë kohë për të hartuar raportin dhe anëtarët socialiste nuk e kanë gati ende raportin e tyre. “Ky grup parlamentar është serioz, ku nuk merren vendimet nga një person, nga kryetari i grupit, po janë vendime kolegjiale”, theksoi Balla. Duke iu referuar afateve kohore, Balla shtoi se votimi do të bëhet në seancën e 12 marsit për të dy raportet.

Anëtarët e opozitës në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin dorëzuan të hënën raportin e tyre, duke rekomanduar votën pro kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për një masë arresti ndaj ish-zv/kryeministres Balluku. Raporti bazohet në provat e sjella nga SPAK në Kuvend, jurisprudencën kushtetuese, opinionet e Komisionit të Venecias si dhe frymën e luftës antikorrupsion.Kërkesa e SPAK u depozitua në Kuvend më datë 16 dhjetor 2025, ndërsa vendimmarrja e Kuvendit u zvarrit fillimisht nga Kryetari i Kuvendit Niko Peleshi duke mos thirrur mbledhjen e Këshillit të Mandateve. Ndërkohë Kryeministri Edi Rama mori përsipër mbrojtjen politike e ligjore të Ballukut nga një masë sigurie “pezullim nga detyra” dhënë nga Gjykata e Posaçme, e cila u la në fuqi nga Gjykata Kushtetuese.

Në fund të procesit ligjor në Kushtetuese, Rama vendosi të shkarkonte Ballukun nga detyrat ekzekutive, shkarkim që u bë faktik në seancën e së enjtes me votën e 85 deputetëve. Në seancë u votuan dhe shkarkimet e dy ministrave të tjerë, Elisa Spiropalit dhe Pirro Vengut dhe emërimi i ministrave të rinj në qeveri; Albana Koçiu si zëvendëskryeministre, Besfort Lamallari Ministër i Brendshëm, Toni Gogu Ministër Drejtësie, Ferit Hoxha ministër i Jashtëm, Ermal Nufi ministër i Mbrojtjes, Enea Karakaçi ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë  dhe Eriona Ismaili ministre e Shtetit për Marrëdhënie me Parlamentin. Ministrat e rinj u betuan dje në Presidencës, duke marrë zyrtarisht detyrën.