Nga Fitim Zekthi
Vizita e kryeministrit Rama në Izrael dhe fjalimi i tij në parlamentin e Izraelit, gjuha e përdorur në atë fjalim e cila nuk tha asgjë për krimet e përbindshme të kryera nga Izraeli në Gaza, per genocidin ashiqare para botes (dhe është e qartë se nuk mund të thoshte gjë në shtëpinë e tyre, nuk ka asnjë lloj sensi) ishin një prej gjërave më të neveritshme politike të një lideri politik në krizë të plotë. Interesi kombëtar shqiptar nuk lidhet pazgjidhshmërisht me vajtjen në Izrael, nuk lidhet as paprekshmëria, as pavarësia, as zhvillimi ynë ekonomik dhe asgjë tjetër në mënyrë të pazgjidhshme me Izraelin dhe vajtjen në Izrael. Në këtë sens ajo ishte një vizitë e tmerrshme për qëllime vetëm të tijat, qe meriton percmim.
Pavarësisht kësaj ai është kryeministër i vendit të cilin mund ta kritikosh, ta neverisësh, po deshe edhe ta mallkosh ndonëse unë mallkimet nuk i dua fare, por do te duhet ta njohesh si kryeminister te vendit, si njeri qe drejton qeverine e vendit tend. Dua të them dy gjëra të vogla në lidhje me librin që ai promovoi dhe me debatin që solli ai libër. Do doja që ne të kishim një etikë dhe qartësi (të qartë thotë një shkrimtar i njohur) kur flasim për gjithçka, por sidomos për gjëra me ndjeshmëri të lartë.
Pavarësisht cili është kryeministri ai ka të drejtë të bëjë një libër me fjalimet e tij të mbajtura në iftare. Ai ka të drejtë të shtrojë iftare dhe të mbajë fjalime kur flet mirë për islamin, për bashkëjetesën mes besimeve, për traditën e besimtarëve dhe të vendit, për vlerat e Ramazanit etj. Unë personalisht kam shkruar kundër iftareve që synojnë votuesin apo politikën, kam shkruar edhe kundër mënyrës se si kryeministri Rama përdor gjuhën, stilemat apo retorikën në iftare, se si rreket të sillet edhe si hoxhë apo imam etj. Mendoj se ajo gjuhë dhe sjellje në thelb tenton (jo domosdo me dashje, madje ka shume mundesi komplet pa dashje) të laicizojë, ndoshta edhe të ekspozojë politikisht apo politizojë besimin mysliman. Ato mendime i kam ende, madje i kam edhe më të përforcuara.
Por përtej kësaj unë i njoh të drejtën dhe besoj duhet që kushdo t’ia njohë të drejtën një politikani, edhe kryetarit të opozitës, edhe kryeministrit, edhe anëtarëve të kryesive apo deputetëve të partive, që të shkojnë dhe në iftare, të shtrojnë iftare dhe të flasin mirë siç ata e gjykojnë për besimin dhe besimtarët, për fetë dhe njerëzit e fesë. Askush nuk ka të drejtë të gjykojë qëllimet e kryeministrit apo të kryetarit të opozitës. Ne gjykojmë aktet e jashtme.
Fjalimet e Ramës (dhe të kryetarëve të opozitës të paktën 10 vitet e fundit) janë vlerësuese, kanë gjykim të mirë për islamin dhe fenë në tërësi, shtyjnë drejt respektit për to dhe për festat e besimtarëve. Kjo është një gjë e mirë, jo e keqe.
Mendoj se të marrësh pjesë në një promovim të një libri të kryeministrit me fjalime të mbajtura ndër vite në iftare nuk është sakrilegj. Unë vetë nuk shkoj në to, por nuk mendoj se duhet marrë dajaku në dorë ndaj atyre myslimanëve që shkojnë. Madje besoj është detyrë të shkosh brenda një mase të caktuar. Sigurisht pesha e fjalimit në Kneset, vajtja e turpshme, kanë ngarkesën e vet të pashlyeshme, por gjërat duhen të ndahen pavarësisht se bëhet fjalë për të njëjtin njeri. Kur dikush bën diçka që ka sens, që mund të shihet nga një kënd ndryshe, ajo duhet parë kësisoj. Nuk mund të kemi gjykime holiste apo më keq totalitare. Kur nje kryeminister (sidomos nje kryeminuister) apo nje kryetar opozite apo nje minister qofte ky kushdo ndihmon (pavaresisht qellimit te tij te cilin askush nuk ka te drejte ta gjykoje sespe parimisht askush nuk e di ne menyre absolutihst te sakte) qe liria e besimit apo vlerat e besimit te respektohen ai duhet respekjtuar per kete gje. Kur nje kryeminister (sidmos ne kohera te tilla te trazuara dhe te helmuara disi) flet me nderim per vlerat e vellazerise dhe bashkejeteses qe bartin besimet fetare, ai mysliman ne kete rast, ai duhet respektuar per kete. Kur nje kryeminister fton myslimanet te marrin pjese ne nje promovim libri me fjalimet ne iftare, madje u kerkon atyre te shkruajne nej recense, nje parathenie apo nje pasthenie sic ata vete duan ta shkruajne ai duhet vleresuar pavaresisht qellimeve pse ai e ben kete sespe thame askush nuk mund te flase me bindje absolute mei qellimet e tij. Une vete po te ftohesha (nuk me ka ftuar njeri) nuk do te shkoja por ky nuk eshte nje standart etalon apo domosdo i mire apo me i miri, eshte thjesht i imi.
Ne jetojmë në këtë shoqëri, që është e jona, që është e përbërë mrekullisht mirë nga njerëz dhe një popull i mrekullueshëm që ka myslimanë në shumicë, por që ka edhe shumë të krishterë të cilët i duam shumë fare, që ka edhe njerëz pa besim të cilët gjithashtu i duam shumë. Kryeministri kur flet me respekt për fetë, për besimet, për myslimanët apo të krishterët, kur bën një libër dhe flet me respekt për islamin, Ramazanin apo traditën e bashkëjetesës, nuk ka pse merret me gurë dhe aq më tepër nuk ka pse merret me gurë dikush që shkon atje, një mysliman apo një i krishterë që shkon atje.
Këtë po e them unë që nuk e kam votuar kurrë Ramën, që politikisht e quaj një prej politikanëve më të këqij në 35 vite, që ndryshe nga shumë të tjerë sidomos në partinë time demokratike kanë pasur mendim të mirë në vitet 1998-2000 madje edhe me pas për të deri nga 2009 ( u be edhe nje marreveshje shkaterrimtare per vendin ne 2008-en madje), kam pasur një mendim të tmerrshëm për të që kur isha student, qe kur u be minister culture nbe vitin 1998 madje qe kur shkruante tek Gazeta Koha ne vitet 90, Gazeta AKS apo tek revista Perpjekja po ne ato vite. Kjo nuk diskutohet fare. Pra nuk eshte se kam ndonje grime vleresimi per te, liberalizmin apo majtizmin ne kohe te vjetra qe medemek nxori koke sot dhe shkruaj kete gje.
Ne duhet të mësojmë t’u japim njerëzve atë që njihet si benefit of the doubt në radhë të parë. Në radhë të dytë duhet të mësojmë që jetojmë në një shoqëri jo fetare. Jetojmë në një shoqëri që i pranon dhe i respekton fetë, por nuk është fetare. Ka shumë e shumë myslimanë dhe shumë të krishterë, por nuk është shoqëri myslimane dhe as shoqëri e krishterë.
Duke qenë kështu ne duhet të vlerësojmë respektin e kujtdo që nuk është mysliman për besimin mysliman dhe besimin e kujtdo që nuk është i krishterë për besimin e krishterë, dhe nuk duhet të presim që ata ta bëjnë këtë siç thotë dogma apo doktrina islame apo ajo e krishterë dhe, po lëvizën pak nga kjo, t’u kapim dajakun. Jo.
PS: Sigurisht që politikanët janë bërë bajat me vajtjet nëpër iftare apo me shtrimet e iftareve, siç janë bërë bajat edhe shumë drejtues të komuniteteve myslimane apo hoxhallarë që shkojnë pa ndalur në këto iftare me ta. Do të duhet shumë më shumë përkorësi. Shkohet njëherë në shenjë respekti dhe vlerësimi dhe mbyllet aty, por si në çdo gjë ne nuk kemi masë. Kjo përsëri nuk është arsye për të kapur dajakun. Zoti i madh i mbroftë me mëshirën e vet të gjithë ata që duan dhe përpiqen për të mirën!







